Pone: Listat e zgjedhësve, gabimi një në njëmijë
Zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Pone, ka deklaruar se zgjedhjet e 8 Majit për pushtetin lokal do të jenë me standarde të larta. Gjatë një takimi të zhvilluar me përfaqësuesit e administratës së Prefektit të qarkut Fier si dhe krerë të njësive të qeverisjes vendore, në këtë qark, gjatë analizës njëvjeçare të punës së Institucionit të prefektit, Pone është ndalur gjerësisht sidomos në procesin elektoral të pritshëm të zgjedhjeve për pushtetin lokal. “Zbatimi me korrektësi i ligjit dhe respektimi i standardeve të zgjedhjeve, duke garantuar të drejtat e kryetarëve të njësive vendore, sidomos me listat e zgjedhësve, ambientet e qendrave të votimit, pse jo edhe një klime më të mirë me njëri-tjetrin për të shkuar në 8 Maj si në një ditë feste”, deklaroi ai. Pone u ndal sidomos në procesin e listave zgjedhore, pastrimit të tyre nga dublimet, evidentimin e njerëzve me moshë mbi 100-vjeçare etj. Ne,- tha ai,- do të kemi në këto zgjedhje gabime një për njëmijë. “Rrethi Fier dhe Mallakastër ka përfunduar punën me dublimet, me 100-vjeçarët dhe vetëm dy njësi vendore, bashkia Patos dhe bashkia Roskovec nuk kanë komunikuar me drejtorinë e përgjithshme të gjendjes civile, lidhur me dublimet dhe numrin e shtetasve mbi 100-vjeçarë.” Pone nuk ka lënë pa akuzuar edhe opozitën duke u shprehur se “Shqipëria e vërtetë është ajo që po përpiqet që nëpërmjet institucioneve legjitime të saj të shkojë në një proces zgjedhor demokratik. Shqipëria e vërtetë është e institucioneve dhe nuk është e atyre të rrugëve si dhe e britmës së kukuvajkës”.