E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha po na çon drejt humnerës financiare, vota për PS shpëton ekonominë

TIRANE- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama akuzon kryeministrin Berisha se po e çon vendin drejt humnerës financiare. Në një konferencë për shtyp nga selia e PS-së, Rama ftoi qytetarët që t’i besojnë alternativës së propozuar nga opozita, duke u shprehur i sigurt se ajo është e vetmja rrugë për shpëtimin e ekonomisë.

“Ekonomia ka 5 vjet që nuk rritet asnjë milimetër, përkundrazi tkurret. Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin janë më të ulëta se në vitin 2009 dhe janë më të ulëtat e gjithë këtyre viteve. Kjo do të thotë që biznesi nuk fiton më siç fitonte deri katër vite më parë dhe nuk investon më. Këto janë fakte dhe jo broçkulla rrugësh. Biznesi i vogël në rrugën e rrënimit të mëtejshëm ku e merr zvarrë kjo qeveri, po shkatërrohet. Thuajse 1/3, 27.4% , më pak të ardhura nga taksa e biznesit të vogël, se sa në vitin 2009. Xhiroja, fitimi i biznesit të vogël janë në rënië, gjendja e biznesit të vogël dramatike. Kush paguan për të gjitha këto, paguan ekonomia shqiptare me një rritje dramatike të deficitit buxhetor kundrejt rënies së të ardhurave. Deficiti është 3 herë më i lartë se 4 vite më parë. A e kuptoni se në çfarë rruge drejt një humnere financiare po e çon Saliu Shqipërinë. Ka rëndësi themelore që përtej bindjeve majtas e djathtas shqiptarët të ndalin me votë këtë rrënim”,- u shpreh Rama.

Kryesocialisti theksoi vendosmërinë e PS-së për të hequr taksën e biznesit të vogël dhe përgjysmim e tatimit mbi fitimin për këtë biznes, që në 100 ditët e para të qeverisjes.

“Në 23 qershor ka vetëm një rrugë, votë për PS-në. Për të vetmin program qeverisës që shpëton vendin nga kriza, hap rrugën për investime, nxjerr arsimin nga tuneli i errët dhe zgjidhjen e shumë problemeve të tjera që ka ky vend",- vijoi Rama.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Rama: Berisha po na çon drejt humnerës financiare, vota për PS shpëton ekonominë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›