Rama:Jo konsensus nëse nuk ndalohet grabitja e mandateve
Partia Socialiste paralajmëron mazhorancën se nëse nuk ndalë atë që ajo e cilëson grabitje të mandateve në qarqet e Fierit dhe të Gjirokastrës atëherë ajo nuk do të japë konsensusin për asnjë ligj që kërkon shumicë të cilësuar në Kuvend.
Në një deklaratë për shtyp, kreu i PS-së Rama thekson se opozita ka vullnetin për të respektuar çdo gërmë të marrëveshjes për tre çështjet e dakordësuara me palën tjetër, por nuk do të bëjë asnjë hap më tutje për ligjet me 3/5-at nëse ligji do vazhdojë të shkelet në mënyrë flagrante për të grabitur ditën për diell mandatet për qarqet Fier e Gjirokastër.
Kryetari i Partisë Socialiste Rama gjithashtu i ka bërë thirrje mazhorancës dhe kryeministrit Berisha që të tërhiqet nga veprimet antikushtetuese për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve në Këshillat e Qarqeve Fier e Gjirokastër.
“Në solidaritet të plotë me zgjedhësit tanë në Fier e në Gjirokastër dhe plotësisht i vetëdijshëm për peshën e veçantë morale e politike të deputetëve opozitarë të këtyre dy qarqeve, po edhe për kërcënimin alarmant të procesit të normalizimit të bashkëjetesës politike si shkak i orvatjes për përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve në Këshillat e Qarqeve Fier e Gjirokastër, përsëris apelin tim për Saliun e për Ilir Metën: Tërhiquni nga veprimet antikushtetuese e antiligjore në këto dy qarqe” thuhet në deklaratën e Ramës.
Gjithashtu kreu i PS-së ka përsëritur apelin ndaj trojkës së ambasadorëve që të mos lejojnë atë që ai e cilëson si një tjetër grabitje zgjedhjesh mu nën hundën e tyre.
“Përsëris po ashtu apelin tonë për trojkën e ambasadorëve që kanë bërë shumë për të ndihmuar normalizimin e procesit dhe s`mund të mos bëjnë atë që lypset, për të mos lejuar një tjetër grabitje zgjedhjesh mu nën hundën e komunitetit ndërkombëtar. Kjo do të ishte një tjetër goditje e rëndë për kushtetutshmërinë e rendin ligjor në këtë vend dhe pa asnjë dyshim, një shtysë e re për t`u tërhequr nga rruga e përpjekjeve tona për konsensuse me një pushtet që me kartonat bën ligje dhe me dhunë e korrupsion i bën ligjet karton. Integrimi europian s`është farsë ligjvënieje, po vullnet ligjzbatues dhe nëse ky vullnet mungon e mungon përsëri, opozita s`mund të gënjejë as popullin as vetveten për t`u rigjendur e rivjedhur përsëri e përsëri në votat e saj” ka theksuar Rama.