E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni për reformën zgjedhore, Fule: Hap përpara

Komisioneri për zgjerim në Komisionin Europian Stefan Fyle ka përshëndetur sot konsensusin bipartizan të forcave politike për të ngritur komisionin parlamentar për reformën zgjedhore dhe dy kodet që kërkojnë shumicë të cilësuar.
 

Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Europian, Fyle gjithashtu ka përshëndetur edhe vendimin e Konferencës së Kryetarëve për vendimin që mori për të krijuar një grup parlamentar i cili do të punojë për reformën zgjedhore, si dhe për kalendarin që përfshin miratimin e ligjeve me 3/5.
 

“Këto zhvillime, së bashku përbëjnë hapa vendimtare drejt normalizimit të situatës politike në vend dhe pritet të shënojë edhe fundin e ngërçit politik. Këto janë elemente të rëndësishme të përpjekjeve të rinovuara të Shqipërisë për të ecur përpara me reformat kyçe dhe për të përmbushur dymbëdhjetë prioritetet kryesore të përcaktuara nga Komisioni Europian për anëtarësim” thekson Fyle.

Ai gjithashtu inkurajon forcat politike për rivendosjen e plotë të dialogut kontruktiv, për të lejuar funksionimin e duhur të institucioneve kryesore demokratike, sidomos parlamentit, dhe për të arritur rezultate konsensuale të reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.

 “E gjithë kjo duhet të rezultojë në krijimin e një moment të ri për integrimin e Shqipërisë në BE dhe në veçanti për zbatimin e dymbëdhjetë prioritetet kyçe të Komisionit Europian” shton Fyle.
 

Në fund të deklaratës së tij Fyle thekson se Komisioni Evropian është i gatshëm të ofrojë mbështetje dhe bashkëpunim në mënyrë që Shqipëria të përmbush objektivat për t`u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›