E Diel, 1 Nëntor 2026

METE, inspektorët: Distancohemi nga veprimet korruptive, masa urgjente

Menjëherë pas arrestimit të inspektorëve të Metrologjisë ka reaguar Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës e cila në një deklaratë shprehet se e ka ndjekur me vëmendje ngjarjen e ditës së sotme, ku policia ka arrestuar me akuzën për korrupsion disa zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë dhe Kalibrimit, institucion nën varësinë kësaj ministrie. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës distancohet nga veprimet korruptive të çdo individi, i cili abuzon me detyrën e shtetit. Për METE-n, çdo person mban përgjegjësi individuale për punën dhe veprimet e tij. METE do të nisë urgjentisht analizat e duhura jo vetëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë dhe Kalibrimit, por edhe në të gjitha institucionet e tjera të varësisë, duke marë të gjitha masat e nevojshme, gjithmonë në mbështetje të një shteti ligjor dhe të së drejtës.

Më herët policia e Tiranës ka vënë pas hekurave tetë zyrtarë të drejtorisë së meterologjisë dhe shpall një në kërkim. Operacioni i koduar "Kalibrimi" ka tronditur mëngjesin e së enjtes një nga drejtoritë e Meterologjisë duke u vendosur pranga që nga zv.drejtori e deri të inspektori të cilët kishin abuzuar me detyrën.
Pas 7 muajsh hetim ka rezultuar se zyrtarët kryenin kalibrime fiktive të :
Depozitave, Distributorëve, autoboteve të karburanteve dhe gazit, Peshore të llojeve të ndryshme të supermarketeve, lokaleve, furrave të bukës, dyqaneve të argjendarive, mallrave të paketuar si dhe taksimetrat. Pasi merrnin paratë e kolaudimit apo kalibrimit të njësive të peshëmatjes, një pjesë të konsiderueshme të ardhurash nuk i kalonin në arkën e shtetit.
Po ashtu, në shumën e rasteve nuk u jepnin subjekteve të ndryshme faturat e Tvsh -së si dhe duke u kërkuar ryshfet subjekteve të ndryshme për të bërë kalibimin apo kolaudimin e njësive të peshëmatjes. Gjithashtu, duke bërë kalibrimin apo kolaudimin fiktiv në peshoret e furrave të bukës, subjektet trëgëtare përfitonin duke shitur bukën nën peshën reale. Po ashtu, edhe në supermarkete dhe subjekte të tjera tregëtare, dyshohet se bënin kolaudimin fiktiv në peshoret e këtyre subjekteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›