Rama: Ndalni vjedhjen në Fier dhe Gjirokastër. Apeli i Vlorës rrëzon vendimin
Gjykata e Apelit të Vlorës ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Parë të Fierit në lidhje me çështje e Këshillit të Qarkut. Kjo e fundit mori vendim që asnjë institucion lokal apo ekzekutiv nuk mund të organizojë mbledhje që lidhen me konstituimin e Këshillit të Qarkut.
Ndërkohë që një mbledhje e muajit të kaluar zgjodhi Vangjel Ndrekon si kreun e Këshillit, një tjetër mbledhje duke shkelur vendimin e Shkallës së Parë u organizua nga prefekti Bujar Hasa, LSI, duke shpallur si kryetar Artur Shehun.
Dita e djeshme ishte e tensionuar për Fierin pasi militantë të PS-së dhe qytetarë bllokuan hyrjen për në Pallatin e Kulturës ku Hasa pretendonte të zhvillonte mbledhjen. Ndërkohë, vendimi i Apelit vjen një ditë pasi prefekti Hasa shkeli vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë.
Vendimi i kësaj të fundit u interpretua në mënyra të ndryshme nga të dyja palët, opozita dhe mazhoranca.
***
PS i bën thirrje maxhorancës të heqë dorë nga përpjekja për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve në këshillat e qarqeve Fier e Gjirokastër. Pas deklaratës së kreut të grupit parlamentar socialist në PS, kreu i opozitës, Edi Rama, ka ripërsëritur apelin me anë të një deklarate për shtyp.
Duke e cilësuar veprimin e maxhorancës si një kërcënim alarmant të procesit të normalizimit të bashkëjetesës politike, Rama i ka bërë thirrje krerëve të partive aleate në pushtet të tërhiqen nga veprimet antikushtetuese e antiligjore në këto dy qarqe.
Apeli i kreut të opozitës i drejtohet edhe trojkës së ambasadorëve, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishmë për krijimin e një klime bashkëpunimi mes palëve politike.
Përsëris po ashtu apelin tonë për trojkën e ambasadorëve që kanë bërë shumë për të ndihmuar normalizimin e procesit dhe smund të mos bëjnë atë që lypset, për të mos lejuar një tjetër grabitje zgjedhjesh mu nën hundën e komunitetit ndërkombëtar. Kjo do të ishte një tjetër goditje e rëndë për kushtetutshmërinë e rendin ligjor në këtë vend dhe pa asnjë dyshim, një shtysë e re për tu tërhequr nga rruga e përpjekjeve tona për konsensuse me një pushtet që me kartonat bën ligje dhe me dhunë e korrupsion i bën ligjet karton. Integrimi europian sështë farsë ligjvënieje, po vullnet ligjzbatues dhe nëse ky vullnet mungon e mungon përsëri, opozita smund të gënjejë as popullin as vetveten për tu rigjendur e rivjedhur përsëri e përsëri në votat e saj, thuhet në deklaratën e kreut të PS.
Rama rikonfirmon në emër të opozitës vullnetin për të respektuar çdo germë të marrëveshjes për tre çështjet e dakordësuara me palën tjetër, por rinënvizoj shqetësimin se asnjë hap sdo mund të bëhet më tutje për ligjet me 3/5-at nëse ligji do vazhdojë të shkelet në mënyrë flagrante për të grabitur ditën për diell mandatet tona për qarqet Fier e Gjirokastër.
