Rama:Programi ynë, rruga për ndryshim
Partia Socialiste nis ndarjen e përgjegjësive për anëtarët në bazë qarku për implememtimin e programit politike përmes të cilit socialistët synojnë fitoren në zgjedhjet e 2013. Duke iu drejtuar anëtarëve të Asamblesë kombëtare, kryesocialisti Edi Rama i kërkoi secilit nga anëtarët të përçojë këtë program tek çdo shqiptar si pjesë e një politike të re që duhet të vijë me kontributin e çdo qytetari. Kryesocialisti shpalosi edhe një herë alternativën e socialistëve për reformimin e sistemit të drejtësisë, atë ekonomik, arsimor dhe shëndetësor.
"Sot është dita për të ndarë përgjegjësi e detyra dhe për të filluar rrugën e programit të ri të Partisë Socialiste qytet më qytet e fshat më fshat. Për të komunikuar me shqiptarët, me çdo grup interesi e komunitet për alternativën që ne kemi për Shqipërinë “Për një Rilindje Shqiptare”.Programi ynë i Kongresit të 5 nëntorit nuk është fjala e fundit, por është hapi i parë.
Kryesocialisti i ktheu përgjigje edhe të pakënaqurve në radhët e kryesisë së partisë për sa i përket delegimit të tyre në qarqe për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme.
“Të gjithë ata që janë sot të zgjedhur në Asamblenë Kombëtare, përveç deputetëve që janë të zgjedhur drejtpërdrejtë nga populli dhe që e kanë fare të qartë parasysh këtë që do them sepse kanë kohë që e bëjnë, duhet të vetëdijesohen se prania e tyre në Asamblenë Kombëtare ka të bëjë me domosdoshmërinë që Partia Socialiste të jetë e pranishme në çdo pjesë të territorit të vendit. Gjithsecili të jetë një zëdhënës i programit dhe i aspiratave të PS në komunikimin me çdo komunitet, me çdo pjesëz të secilit komunitet, në çdo fshat, deri në fshatin më të largët. Ky është një kusht i patjetërsueshëm i suksesit të punës sonë” ka shtuar më tej Rama.
Sipas vendimit të marrë nga kryesisa e PS-së e mbledhur para Asamblesë anëtarët e kryesisë do të ripozicionohen në qarqe të ndryshme për të punuar për fitoren e zgjedhjeve. Kështu Ben Blushi është deleguar nga Korça në Elbasan, Arta Dade nga Gjirokastra në Tiranë, Erion Braçe nga Berati në Korçë, ndërsa Valentina Leskaj nga Elbasani në Vlorë. Arben Malaj do të punojë në Kukës së bashku me Besnik Baren ndërsa në Shhkodër delegohen Mimi Kodheli e Ditmir Bushati. Bie në sy lënia jashtë skeme e Gramoz Ruçit, Blendi Klosit dhe Erion Veliajt.
Ndërkaq në mbledhjen e Asamblesë është bërë edhe ndarja e anëtarëve që qarqe për konsolidimin e programit të socialistëve me qytetarët. Ish-kryeministri Fatos Nano dhe kreu i PS-së Edi Rama do të luajnë të njëjtin rol duke punuar si delegatë për qarkun e Tiranës.