E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Ballsh presin fitoren ndaj Kastriotit

Nga AGIM METAJ

Bylisi sot ka shumë hesape, pasi ishin pikërisht krutanët që u shkaktuan atë humbje ballshiotëve në shtëpi fazën e parë

Ditën e sotme Bylisi do të luajë ndeshjen e shtyrë të kupës përballë Kastriotit, një përballje që mund të përcaktojë shumë për vazhdimësinë e ballshiotëve në këtë kompeticion. Edhe pse kanë kaluar vetëm dy ndeshje, ballshiotët janë shfaqur seriozë me pretendimin e tyre për të kaluar fazën dhe për të luajtur në gjysmëfinale.

Një rezultat i tillë do të ishte historik për ballshiotët, që kanë shkuar deri në fazën çerekfinale, ndërsa në superligë janë renditur deri në vendin e tretë. Seria e gjatë e ndeshjeve pa humbje dhe organika e kompletuar e lojtarëve janë vetëm disa nga elementët që e bëjnë Bylisin optimist për suksesin në këtë ndeshje. Megjithatë, skuadra nuk do të jetë tërësisht pa mungesa.

Sulmuesi nigerian Solomonson Izucukuava nuk do të mund të luajë. Nigeriani ka pësuar një dëmtim që në ndeshjen ndaj Shkumbinit rreth dy javë më parë, por e ka agravuar gjendjen e tij me një dëmtim në stërvitje. Stafi i ballshiotëve është shfaqur i shqetësuar për dëmtimin e Izucukuavës, pasi ai është ndër lojtarët nigerianë që është paraqitur më mirë në ndeshjet e para të këtij viti.

Deri më tani ai ka luatjur në dy ndeshje, përballë Kamzës në Kupë dhe pikërisht përballë Shkumbinit. Tashmë trajnerit turko-shqiptar Naxhi Shensoj do t’i duhet të shpalosë një alternativë tjetër për të zëvendësuar Izucukuavën. Alternativat janë të shumta edhe midis vetë lojtarëve nigerianë.

Zgjedhjet e Shensojit mund të përfshijnë nga serbi Dushan Popoviç, sulmuesi Jakob Kia, i cili ka arritur të shënojë edhe në sfidat miqësore, Bola Olalekan, i cili në Nigeri është aktivizuar edhe në sulm, si edhe nigeriani tjetër Xhon Huan, i cili shënoi një gol në Peqin. Në mes të këtyre dilemave taktike, një avantazh në ndihmë të teknikut turk është jo vetëm grupi i konsoliduar, por edhe fakti që lojtarët nigerianë mund të luajnë në disa pozicione, aq më tepër që tani janë ambientur plotësisht.

Solomonson Izucukuava është një sulmues i ri me origjinë nigeriane, i cili ka ardhur te Bylisi nga kampionati libian. Ai është aktivizuar me një ekip vendës dhe ka rënë në sy të drejtuesve ballshiotë, që nuk ngurruan ta sillnin në Ballsh, duke përfituar edhe nga situata delikate në vendin përtej Mesdheut.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›