Berat, u gjobit për vjedhje të energjisë, kërkon dëmshpërblim me burg
Ka vjedhur energjinë elektrike dhe për këtë është dënuar me gjobë, por pasi nuk ka pranuar ta paguajë këtë të fundit, ka pranuar ta konvertojë me burg. Ngjarja e ka zanafillën në një fshat të rrethit të Beratit në muajin prill të një viti më parë, ku një banor pasi është kapur në flagrancë duke vjedhur energjinë elektrike është paditur në gjykatë nga KESH.
Dhimo Melëngu, banor i fshatit Bilc në periferi të qytetit të Beratit, pasi u denoncua nga KESH në gjykatën e faktit të Beratit, u dënua me gjobë me shumën 66.670 të reja dhe iu la një afat kohor prej 9 muajsh për shlyerjen e detyrimit. Sipas burimeve nga KESH, vjedhësi nuk shleu detyrimin në kohën e duhur dhe për këtë u kërkua ndërhyrja e organeve kompetente duke përfunduar çështja përsëri në gjykatë. Togat e zeza, duke parë se i gjobituri prej saj, pasi ishte gjendur fajtor nuk zbatoi vendimin e marrë duke shlyer gjobën vendosi, që ta kalojë përsëri çështjen për rigjykim duke ia konvertuar gjobën në ditë burgu. Në seancën e zhvilluar në dt 18 Qershor të këtij viti trupi gjykues vendosi dënimin e vjedhësit të pabindur me 13 ditë burgim duke kërkuar tashmë arrestimin dhe zbatimin e vendimit për vjedhësin e pabindur me akuzën e vjedhjes së energjisë elektrike. Ky nuk është rasti i parë i konvertimit nga ana e gjykatës së faktit në Berat të gjobave në ditë burgimi të vendosura nga subjekte të ndryshme shtetërore për personat e gjendur fajtorë.