E Diel, 1 Nëntor 2026

Ramës i djeg deklarata e Berishës, lë Twitterin dhe del para kamerave për të mbuluar paudhësitë me Udhën e Kombit

17-12-2011 / Gazeta 55

Kryetari i Partisë Socialiste hoqi dorë dje nga përdorimi i rrjetit social Twitter, teksa u paraqit në një komunikim me mediat, për të vajtuar deklaratat e lëshuar prej tij, lidhur me autostradën Durrës – Kukës – Morinë. Rama përsëriti dhe njëherë se s’ka qenë kundër ndërtimit të rrugës, pavarësisht se faktet thonë të kundërtën, që Edi Rama jo vetëm ka luftuar kundër ndërtimit të autostradës, por edhe e ka cilësuar si “rruga e asgjëkundit”. “E kam sfiduar dhe e risfidoj të provojë me një dokument të vetëm që unë apo cilido nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste të jetë shprehur kundër rrugës së kombit si projekt. I them turp, turp, turp që me rrugën e kombit keni bërë një biznes duke i grabitur fondet e taksapaguesve shqiptarë”- tha Rama. Por, kryesocialisti s’bën gjë tjetër veçse tallet me veten, pasi e gjithë njerëzia e di se çka nxjerrë nga goja e tij nga viti 2007-a, kur edhe u lançua projekti për “bashkimin” e shqiptarëve përmes autostradës Durrës – Kukës Morinë. Ai u përpoq me gjithçka kishte që ta pengonte realizimin e projektit si dhe u investua për ta ndërprerë në çdo moment. Për këtë i erdhën në ndihmë tellallët dhe çakenjtë e specializuar për shpifje dhe trillime. Për Edi Ramën, ndërtimi i rrugës së Kombit në kohë rekord prej 3 vitesh, po trajtohej si kosto e skarcimit të tij politik. Zgjedhjet parlamentare të 2009-ës po afroheshin me shpejtësi dhe fati politik i kryesocialistit ishte në pikëpyetje të madhe. Shqipëria po avanconte me infrastrukturën rrugore edhe pse qeveria e PD-së e ardhur në pushtet në korrik të 2005-ës e gjeti arkën e shtetit thuajse të boshatisur. Rama ndjente rrezikun e dështimit të afërt. Shpresa e vetme për të mbijetuar, mbetej zhurma dhe përbaltja e projektit historik të shqiptarëve. Ndërtimi i autostradës Durrës – Kukës – Morinë konsiderohej si projekti që do të thyente çdo barrierë që kishte ndarë kombin. Jo më kot ai u quajt aorta e kombit. Por pikërisht në momentin e fillimit të punimeve, Partia Socialiste do të zbarkonte të gjithë arsenalin e shpifjeve dhe akuzave të tmerrshme, duke aluduar për korrupsion dhe lloj-lloj epitetesh të tjera, të cilat sipas argumentimeve të cekëta të selisë rozë, po bëheshin në emër të rrugës së Kombit. Në memorien e çdo shqiptari janë pamjet e tmerrshme të luftës së socialistëve në Kuvend, trillimin ditën për diell dhe mbi të gjitha pozicionimin e tyre dukshëm, kundër ndërtimit të rrugës që afronte shqiptarët nga 1 apo dy ditë udhëtim, në vetëm pak orë. Gazeta “55” botoi muajin e kaluar të gjitha deklaratat e Edi Ramës kundër ndërtimit të autostradës, nga viti 2007, në të gjitha mitingjet, deklarata mediatike apo edhe intervista, ku ai as më shumë e as më pak, thotë se “ajo rrugë është rruga e asgjësë”, ndërsa e nxitur nga reagimi i Ramës jo në Tëitter, por para mediave, por i riboton përsëri sot.

17/05/2007
Ky kryeministër na ka treguar tanimë se pas premtimeve të tij bombastike fshihet gjithnjë diçka tjetër. Njëlloj si në raste të tjera, si me rrugën Durrës-Kukës, për të cilën filloi ndërtimin pa projekt dhe pa përcaktuar vleftën e investimit dhe më pas angazhoi projektuesit të hartojnë një projekt me vleftë mbi 1 miliard euro. Këto janë para të shqiptarëve dhe po mbushin xhepat e pushtetarëve në emër të rrugës së Kombit.

15/09/2007
Durrës-Kukës grabiti fondet e shtetit. Ne duam që të dalë e vërteta në pah. Fakti që kjo rrugë përbën një aks strategjik, fakti që kjo rrugë përbën një investim të rëndësishëm të popullit shqiptar. Është e domosdoshme që rruga Durrës–Kukës të mos kthehet në një alibi të korrupsionit.

19/03/2009
Tek rruga Durrës-Kukës, pas patriotizmit ‘të flaktë’, fshihet grabitja qindra milionëshe, për të cilën Kontrolli i Lartë i Shtetit tashmë është shprehur fare qartë dhe Prokuroria ka filluar një proces që s‘do ta mbyllin dot kurrë pa u zbardhur e vërteta, as marifetet në shortet e gjyqtarëve dhe as sulmet e turpshme mbi Prokuroren e Përgjithshme.

11/04/2009
Kuksianët dhe gjithë shqiptarët nuk e meritojnë që në emër të rrugës strategjike të abuzohet me fondet e tyre. Fondet që po vidhen në këtë rrugë do të mjaftonin për të riparuar gjithë rrugët e shkatërruara të qarkut Kukës. Fondet e kësaj rruge nuk janë të familjes kryeministrore, por janë fondet e taksapaguesve shqiptarë, të majtë e të djathtë. Nuk besoj se ka shqiptarë të vetëm që të mos thotë që kjo rrugë nuk është strategjike për vendin tonë dhe për Kosovën. Rruga nuk po bëhet me paratë e Berishës, por me fondet e huatë shtetërore dhe borxhet e kësaj rruge nuk do t’i shlyejë Berisha, por do t’i shlyejnë shqiptarët dhe fëmijët e tyre. 

11/06/2009
Jam i lumtur që po ndërtohet kjo rrugë e cila bashkon kombin me detet dhe malet, por mos harroni se kjo rrugë është bërë me taksat e shqiptarëve të cilët do t i japin sihariqe kryeministrit Sali Berisha. Me haraçin që oborri kryeministror ka marrë nga ky ndërtim i rrugës mund të ndërtoheshin nga e para rrugët e Kukësit, Hasit e Tropojës, kopshtet e të gjitha shkollat e çerdhet që u duhen fëmijëve, qendrat shëndetësore, ujësjellësit e kanalizimet që u duhen qytetarëve që nuk kanë ujë për të pirë e as për të vaditur tokën për shkak të thatësirës apo varrosin prodhimin se nuk kanë treg shitje. Fëmijët nuk kanë libra për shkak të varfërisë dhe shkolla për shkak të qeverisë.

13/04/2010
“Më shumë se 1 miliard dollarë që ka shkuar deri më tani ndërtimi i rrugës Durrës- Kukës nuk është gjithë fatura që duhet të paguajnë shqiptarët. Papërgjegjshmëria e qeverisë që nisi ndërtimin e kësaj rruge pa asnjë projekt në letër, vijon akoma, me vendosjen e një pagese të detyruar për kalimin e tunelit të Kalimashit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›