Ramiz Alia: “Baballarët e tyre i kemi vrarë gjatë 40 vjetëve”
Nuk do ishte asnjëherë vonë që prokuroria të niste hetimet për krimet e deklaruara botërisht, siç është rasti i Ramiz Alisë që ka pohuar më 1990 se ka qenë pjesë e grupit që ka vrarë për 40 vjet kundërshtarët politikë. Dëshmitë janë të pafundme dhe s’mbulohen dot me gënjeshtra patologjike në formë “kujtimesh”
Sot në Tiranë diktatori i fundit komunist i vendit, Ramiz Alia do të përurojë përpara shokëve të luftës dhe të punës librin e tij me kujtime. Ky libër i nisur nga shembulli i librit “Vite të vegjëlisë” të komandantit legjendar dhe të harruar të popullit tonë, shokut Enver Hoxha, e ka futur Ramiz Alinë në këtë moshë të thyer pensioni të përtypë edhe njëherë atë që ka thënë me dhjetëra herë të tjera në variantet më të mërzitshme të mundshmet. Lexuesi i sotëm por edhe ai i së ardhmes nuk do të gjejë tek libri i fundit që Alia bën në këtë botë asgjë rreth krimeve të kryera në luftë nga komunistët. Nuk do të gjejë asgjë për rolin që komisari i vogël i kuq Alia kishte në Kosovën e ripushtuar nga serbët, pasi ia dhuruan brigadat komuniste nga Shqipëria. Nuk do të gjejë asgjë që duhet për Miladin Popoviçin, as për Dushan Mugoshën, as për vrasjen e shqiptarëve nga Kosova që u vranë rrugës për në Tivar duke kaluar nga territori i shtetit shqiptar. Nuk do të gjejë asgjë për rritjen e kontrollit operativ mbi popullsinë gjatë viteve që drejtonte Ramiz Alia. Nuk do të gjejë asgjë për proceset politike në rritje gjatë kohës që ishte Ramiz Alia në fuqi. Mos harroni se u vranë njerëz në kufi, u tërhoqën zvarrë për t’i bërë shembull. Qindra e mijëra familje humbën të dashurit e tyre gjatë kohës që ishte në krye të vendit shoku Ramiz. Qindra të tjerë u internuan, etj. Lexuesi, i sotmi dhe i nesërmi në biblioteka nuk do të gjejë asgjë nga Ramiz Alia për shkatërrimin ekonomik që i solli vendit me politikat e tij të gabuara, etj. Në fund të fundit ishte ky falimentim ekonomik, katandisa e vendit në nivelin e disa shteteve të fundit afrikane që detyroi me dhimbje Ramiz Alinë të pranonte krijimin e partive të reja në vend dhe ndryshimin e sistemit.
Në llogaritë e dhjetorit 1990 Ramiz Alisë i dilte që nga uria e përgjithshme që kërcënonte vendin, nuk do të kishte me vete as ushtrinë e as policinë, të cilat do t’i prekte edhe këta uria e përgjithshme. Kështu që diktatori nga u “zbut” dhe u bë gati të pranonte zgjedhjet që i vinin.
Lexuesi nuk ka ndonjë kuriozitet të madh të dijë për Taipin e Ramizit. Le të ngelte Alia brenda kuadrit të “Baba çenit” dhe kjo pak rëndësi kishte. Le të kujtojmë cili ka qenë Ramiz Alia, jo vite të kaluara por në vitin 1990. Do të mjaftonin dy shprehje në plenumet e vitit, që janë dhënë të filmuara për të kuptuar filozofinë e Ramiz Alisë dhe nga ana tjetër për të pasur punë gjithë jetën prokuroria me një kriminel të tillë. A janë thirrjet e Ramiz Alisë këto: “Edhe gjak do derdhim, edhe bar do hamë. Këtu nuk ka ku të shkojë më” (d.m.th. ndryshimi i regjimit dhe pranimi i sistemit kapitalist që kemi sot).
Dhe: “Baballarët e tyre i kemi vrarë gjatë 40 vjetëve”.
është një moment reflektimi që një vrasës pohon gjatë plenumeve të PPSH-së, jo larg por më 6 prill 1990.
Normalisht asokohe, në delirin e madh ku ishte, Ramiz Alia ia lejonte vetes të pohonte gjëra që zbulonin karakterin e tij kriminal të njëjtë me bashkëdrejtuesen tjetër të vendit, Nexhmije Hoxha. Normalisht këtë karakter kriminal nuk presim ta gjejmë sot. Me siguri bashkëpunëtorët në krim të Ramiz Alisë do mblidhet rreth shefit të tyre dhe do i bëjnë lëvdata. Do pinë edhe ndonjë gotë dhe kaq.
Sa për t’u kujtuar le të kujtojmë se në plenumin e 9-të i KQ të PPSH-së më 22 – 23 janar 1990, Ramiz Alia pohonte ndër të tjera: “Shqipëria e lirë dhe e pavarur, ka 45 vjet që është bërë objekt sulmesh e shpifjesh. E filluan qarqe të ndryshme të Perëndimit, që pësuan një goditje të rëndë kur në vendin tonë triumfoi revolucioni popullor dhe u shpartalluan organizatat tradhtare e kolaboracioniste të Ballit Kombëtar e të Legalitetit, në radhët e të cilave ishin edhe përfaqësuesit kryesore të klasave shfrytëzuese, tek të cilat kishin shpresë anglo-amerikanët... .
Në vendet e lindjes evropiane, socializmi u refuzua nën parullën e çlirimit nga monopoli i partive komuniste. Dhe si formulë shpëtimtare, gjoja për lulëzimin e demokracisë, u gjet formula e pluralizmit, e krijimit të shumë partive dhe organizatave të ndryshme. Partitë e shumta në lindje,e kanë bazën te ndryshimet e thella socialkulturore që kanë ekzistuar dikur dhe që u ringjallën e u thelluan në vitet kur në fuqi erdhën revizionistët. Atje shoqëria u diferencua e u shkallëzua, u polarizua, lindën klasa e shtresa me interesa të ndryshëm që nuk mund të gjenin strehë e të përfaqësoheshin nga një parti që nuk ishte e tyre. Tani secili prej këtyre grupimeve kërkon pjesën e vet në pushtet.
Ne jemi deklaruar për hegjemoninë e Partisë së Punës duke qenë të ndërgjegjshëm se ky është një kusht bazë për ndërtimin e socializmit, që përputhet edhe me rrethanat objektive të vendit tonë.....në kushtet e vendit tonë, thirrjet e borgjezisë ndërkombëtare për pluralizëm partish, duan të thonë ringjallje e Ballit Kombëtar dhe e Legalitetit ose krijim organizatash të ngjashme politike, antisocialiste e antikombëtare. Kjo nuk do të ishte shprehje e demokracisë, por mjet për dobësimin e unitetit kombëtar dhe krijim i kushteve për shkatërrimin e socializmit. Mungesa e shumë partive, sipas kutit të borgjezisë, është gjoja edhe mungesë e demokracisë. Kjo s’është e vërtetë. Te ne s’ka pasur parti, por diskutimi i lirë, zgjidhja e problemeve të populli në rrugë demokratike, në mbledhjet e fshatit, në kuvende, në pleqësi, në oda etj, është traditë e lashtë”.