E Shtunë, 31 Tetor 2026

Retorika serbe e dhunës

Agresiviteti, dy ditë më parë, plotësisht i dhunshëm i protestuesve serbë në Veri të Kosovës është ri-dëshmi se politika serbe vazhdon të jetë konfliktuoze, e dhunshme veçmas në raport me shtetin e Kosovës, me shqiptarët. Të gjithë ata të cilët kishin mbajtur iluzionin se, Serbia po hynë në proceset e demokratizimit sërish u zhgënjyen, sidomos nga veprimet, qëllimet dhe politikat shoviniste të protestuesve serbë, të përpjekjes së tyre që, ta kalojnë Urën e Ibrit dhe të nxisin konflikte të armatosura në pjesën jugore të qytetit dhe më gjerë. Protestat e dhunshme serbe të së dielës, jo vetëm që na bëjnë me dije se Serbia, politika e saj shtetërore, nacionale ka pretendime ndaj tërësisë territoriale të shtetit të Kosovës, por se ajo politikë nuk e ka ndërmend të bëj tërheqje. Pra, në fakt dhe realisht del se, Serbia nuk është e gatshme për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore midis Republikës së pavarur të Kosovës dhe shtetit serb. Serbia, nuk është e gatshme për të krijuar klimë të favorshme politike, atmosferë të qetë për përmirësim të atyre marrëdhënieve, të cilat historikisht i ka përkeqësuar vetë me pretendimet pushtuese ndaj tokave, hapësirave shqiptare. Retorika shoviniste, jo vetëm e protestuesve serbë, por edhe e udhëheqjes serbe, pra edhe e opozitës pa përjashtim dëshmoi se, politika serbe vazhdon të ketë objektiva për grabitjen, aneksimin e territoreve shqiptare. Prandaj, aq dhunshëm, madje, para forcave ndërkombëtare kërcënoi dhe kërcënon paqen. Realisht, fryma nacionaliste e shprehur nga protestuesit serbë, shpreh jo vetëm ndjenjën e thellë dhe të pandryshuar antishqiptare, por manifeston qartë dhe hapur trimërimin plotësues nacionalist, serbomadh me urrejtjen patologjike kundër shqiptarëve, me, mos pajtueshmërinë për të vendosur paqen në hapësirat e veriut të pushtuar të Kosovës. Pse, jo, ekspozimi aq militant i turmës serbe në Veri të Kosovës, deri te Ura e Ibrit na mëson se, indoktrinimi i serbëve kosovarë, të cilët udhëhiqen nga formacionet paramilitare serbe si dhe nga qarqet në pushtet të Serbisë është i përmasave shumë të rrezikshme për sigurinë, rendin dhe paqen e brishtë në ato hapësira të Republikës së Kosovës. Jemi të mendimit se, radikalizmi i skajshëm, shumë i dhunshëm i protestuesve serbë, i mësymjes së tyre pa kusht që të vërsulen mbi protestuesit paqësor shqiptarë fsheh në vete trimërimin e forcave të serbëve kosovarë nga politikat agresive të shtetit serb ndaj Kosovës. Ndoshta, jo rastësisht, po të njëjtën ditë, ministri i jashtëm serb, Jeremiq sërish na rikujtoi pozicionin e politikës serbe, kur, duke folur për Kosovën, kryekëput u shpreh me filozofinë e mitit të rrejshëm serb për Kosovën, pra me politikën spekulative kishtare serbe. Ishte ajo, pra, një frazë e njohur e militantizmit serbomadh të udhëheqjeve serbe, që nga Ilia Garashanini, Jovan Cvijiçi, Nikolla Pashiqi, Vasa çublilloviçi, Alekasandar Rankoviçi, Slobodan Milosheviqi dhe nacionalistët e sotëm serbë, të llojit të Kushtunicës, Jeremiqit dhe të tjerëve.
Por, çështja është se, platformat politike ndërtohen edhe mbi frazat dhe mbi retorikën. Dhe kur ajo, si në rastin e politikës serbe dhe jo vetëm të protestuesve serbë të së dielës së kaluar, është e ideuar politikisht me jo tolerancë, shovinizëm, urrejtje dhe mitomani atëherë na bëhet e qartë se, kemi të bëjmë me projektin serb të vërsuljes jo vetëm diplomatike ndaj shtetit të pavarur të Kosovës. Protesta e dhunshme e serbëve kosovarë, të dielën e 30 majit 2010 ishte një agresion i hapur, jo vetëm diplomatik ndaj shtetit të pavarur të Kosovës.
Në rastet e tilla, diplomacia evropiane, e cila, në rastet e caktuara nuk i përkrah sa e si duhet politikat shtetërore të institucioneve të Kosovës, pra edhe lidhur me Strategjinë për Veriun ka për detyrim që, Beogradit zyrtar t’i dërgojë sinjale të qarta, në radhë të parë për mosndërhyrje në zhvillimet e brendshme të shtetit të Kosovës. Diplomacia evropiane, segmentet e saj në Bruksel, në Prishtinë, por edhe në Beograd mund të bëjnë edhe më shumë në këtë drejtim, sepse, së fundi, edhe në raport me Serbinë dhe udhëheqjen e saj e kanë edhe fuqinë ekzekutive të politikave evropiane për forcimin e rendit, sigurisë dhe të paqes në këto hapësira. Shqiptarët, pra, edhe institucionet e Kosovës, janë në linjë të plotë ndërsa me politikat evropiane për krijimin e hapësirave të qeta, paqësore në rajon, dhe jo vetëm në tërë territorin e Kosovës. Ne, si shtet, me të gjitha mekanizmat shtetërorë, qeveritarë e parlamentarë kemi dhënë dhe vazhdimisht po japim dëshmi se jemi kontribuues të paqes, të ardhmes evropiane, jo vetëm për shqiptarët shumicë absolute, por edhe për pakicat.

Autori është shef i Departamentit të Shkencave Politike në UP

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›