Nevoja për pasjen e relikteve të Skënderbeut edhe në atdheun e tij
Në qendër të Tiranës gjendet shtatorja madhështore e kryefisnikut që për një çerekshekulli sfidoi me halle dhe borxhe Perandorinë Osmane. Mirëpo edhe ky simbol po sfidohet publikisht në themele duke u rrethuar në çdo horizont nga fadromat dhe punonjësit e kanalizimeve. Koha kur jetojmë është koha e globalizimit jo vetëm ekonomik, por edhe atij kulturor, në sensin e kontakteve dhe shkëmbimeve më të shpeshta me kultura të tjera. Po kështu edhe mundësia për të humbur identitetin në këtë globalizim është më i madh, prandaj për rrjedhojë logjike jemi të shtyrë çdo ditw të paraqesim prova të ekzistencës sonë morale dhe historike pwrballw natyrës kurioze tw njerëzve. Një prej këtyre provave fisnike do të ishte shpata ose palla si një simbol kalorësiak dhe i guximit njerëzor. Sigurisht ajo është shprehje e një fisnikërie, burrërie, i supremacisë morale dhe të fuqisë së njohurisë. Patjetër sinonim i drejtësisë dhe paqes, e cila arrihet përmes luftës. Në gjirin e mitologjisë mesjetare kristiane shpata është arma e veçantë e sovranëve dhe e fisnikëve, bile e asocuar idesë së dritës dhe qartësisë, për rrjedhojë e pastërtisë të sentimenteve njerëzore. Gojëdhënat e lindura në këtë periudhë mbanin në kurriz të tyre emra shpata si e Gëzueshmja (gioiosa), Durandhal (Shpata e Rolandit): Hauteclaire, Musaguine, Excalibur.
Në librat e historisë botërore, Shqipëria ka famën se është vendi i “Atletit të Krishtërimit”, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, por në arkivat tona janë të mangëta reliktet origjinale ku mund të identifikohemi, qoftë edhe në kuptimin mistik dhe metafizik të shpirtit dhe mendësisë shqiptare. Përkrenarja me brirë dhie dhe shpatat ndodhen në Vjenë, një vulë që mendohet se është e tij, gjendet në Danimarkë, ndërsa në Krujë dhe në Tiranë pak gjëra të sajuara, më shumë imitime. Historia e tyre lidhet me jehonën e emrit dhe të famës së Skënderbeut, në Europë. Gjergj Kastrioti, princi i arbërve u kthye në një mit të pathyeshëm, sa qe gjallë dhe pas vdekjes së tij ndër shqiptarë. Koha e Skënderbeut ishte një episod i vetëm e i madh ngjarjesh e betejash triumfuese. Nuk kishte thyerje, ishte veçse një crescendo e trimërisë shqiptare kundër barbarisë turke. Ishte koha kur shqiptarët po arrinin bashkimin kombëtar, në shtetin e parë arbër.
Padyshim për këtë dëshmon vetë historia dhe letërsia mbi figurën polisemike të Skëndërbeut, të Marin Barletit. Kronika e gjurmuar nëpër shekuj dëften se më 15 tetor të vitit të largët 1578 Mario Sforza, duka i Urbinos, i shkruan një letër arqidukës Ferdinand, ku i thotë se do t’i dërgojë atij armët e Skënderbeut, dhe të vëllait të tij. Ky është një fakt që dëshmon se mes arqidukës dhe Mario Sforzas janë këmbyer shumë letra. Më 15 maj 1579, arqiduka i Tirolit i shkruante dukës së Urbinos, Maroi Sforza, dhe e falenderon për armët e Skënderbeut dhe për të tjerat që do t’i binin në dorë. Ndërsa për herë të dytë këto armë përmenden në një letër të dukës Von Arescot, e shkruar me 25 korrik 1588, ku flitet për armët e tjera të Skënderbeut.
Gjithsesi armët e Skënderbeut i janë dorëzuar Ferdinandit (djali i Dytë i Perandorit të Austrisë) midis viteve 1588-1593, me anën e Dukës së Urbinos dhe atij të Areskotit. Prince Ferdinand i Autrisë në rindërtimin e kështjellën "Ambrar", në kryeqytetin e Tirolit, Insbruk dhe u mor me mbledhjen e sendeve artistike, luftarake me vlerë e të relikeve. Sekretari i tij, Shrenke mblodhi kryesisht armë të luftëtarëve dhe të prijsëve të shquar të Europës dhe botës dhe i ruajti ato në kështjellën "Ambrar". Ai u shkroi letër personaliteteve të shquara të kohës dhe trashëgimtarëve të atyre që kishin bërë epokë e që aktualisht kishin vdekur, që t’i dërgonin veshje luftarake, armë, mjete lufte, piktura e biografi, sepse do t’i ekspozonte në armëtoren e tij në kështjellën "Ambrar". Në inventarin e viti 1596 të Shrenker gjenden edhe numrat përkatës të armëve dhe përkrenares së Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut, që mbanin pikërisht: Nr. 71, përkrenarja e Skënderbeut, e cila peshon 3 kg dhe mendohet që Skënderbeu e ka përdorur atë vetëm në rast ceremonish. Nr. 92, shpata e parë e Skënderbeut që kishte formë të drejtë dhe të mprehtë në të dy anët. Gjatësia e pjesës së mprehur është 88.5 cm, ndërsa gjerësia 5.7 cm dhe peshon 1,3 kg, ndërsa bashkë me këllëfin 1.9 kg. Nr. 345, shpata e dytë e Skënderbeut është e përkulur në formë harku. Gjatësia e saj është 121 cm dhe peshon 3.2 kg. Në veprën e Shrenker, të botuar para katër shekujsh (1601), paraqitet një gravurë e Skënderbeut në pozicionin në këmbë, duke mbajtur në dorë shpatën e dytë, (gjatësia 121 cm), si dhe pranë këmbëve përkrenaren. Armët e vizatuara të gravurës ngjasojnë me ato origjinale të Muzeumit të Vjenës.