Fleta e votimit, Kolegji Zgjedhor rrëzon PD-në
Kolegji Zgjedhor rrëzoi dje një kërkesë të Partisë Demokratike për të ndryshuar fletën e votimit për kandidatët e Këshillit Bashkiak të Tiranës.Në një seancë e cila zgjati vetëm 35 minuta dhe ku vendimi u mor brenda 10 minutash, katër gjyqtarët që përbënin trupën gjykuese vendosën të mos pranojnë kërkesën e PD-së si të pambështetur në ligj dhe fakte. Kolegji Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, në bazë të nenit 158, paragrafi 3 i Kodit Zgjedhor, vendosi rrëzimin e kërkesë-padisë të pabazuar në prova dhe në ligj. U shpall sot në Tiranë më 15.4.2011, tha në përfundim të vendimmarrjes, kryetarja e trupit gjykues, Sashenka Jonuzi.
Kërkesa e PD
Partia Demokratike, pjesë e koalicionit Aleanca për qytetarin kërkoi dje nga Kolegji Zgjedhor të shfuqizonte një vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas të cilit, megjithëse koalicioni ka 22 parti, në fletën e votimit për Tiranën janë regjistruar vetëm 20. Kjo për shkak se dy parti, Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian dhe Partia Bashkimi Demokrat nuk kanë paraqitur listat shumëemërore për kandidatë të Këshillit Bashkiak të Tiranës. KQZ-ja miratoi fletën e votimit për kandidatët për kryetar dhe këshilltarë të Këshillit Bashkiak. Modeli i fletës i miratuar është i pasaktë, pasi pasqyron vetëm 20 nga 22 parti që përbëjnë koalicionin Aleanca për qytetarin. Partitë e lëna jashtë fletës së votimit janë Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian dhe Partia Bashkimi Demokrat. Vendimi duhet të ndryshohet dhe të përfshijë të gjitha partitë e koalicionit Aleanca për qytetarin, tha gjatë seancës përfaqësuesi i koalicionit Aleanca për qytetarin, Ivi Kaso. Ai e quajti arbitrar vendimin e KQZ-së, duke shtuar se me këtë vendim është cenuar marrëveshja që PD-ja ka me partitë e tjera aleate. Në fletën e votimit nuk mund të renditet një koalicion i ndryshëm, sipas atij të regjistruar sipas nenit 65 të Kodit Zgjedhor. Duke vepruar në mënyrë arbitrare, KQZ-ja ka cenuar marrëveshjen tonë të koalicionit, e cila në pikën 3 parashikon që partitë firmëtare të kësaj marrëveshje do të konkurrojnë së bashku në çdo zonë zgjedhore. KQZ-ja ka marrë një tagër që nuk e ka.
Mbrojtja e KQZ
Nga ana tjetër përfaqësuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbrojtën vendimin e marrë pak ditë më parë me argumentimin se këto dy parti nuk mund të regjistroheshin, pasi nuk kanë dërguar listat shumëemërore të kandidatëve për këshilltarë në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Drejtoresha juridike e KQZ-së, Dëshira Pasko, tha se sipas nenit 63 dhe 67 të Kodit del qartë se një parti që të garojë në zgjedhje duhet të ketë depozituar listën shumëemërore. Dy partitë nuk e kanë depozituar listën shumëemërore. Detyrimi i KQZ-së për të bërë menjëherë publikimin është për faktin se zgjedhësit duhet të votojnë për një parti politike pjesëtare ose jo të një koalicioni, mbi bazën e njohjes së kandidatëve të saj. Sipas saj, zgjedhësi nuk mund të japë votën për një parti e cila smund ta konvertojë votën në mandat. Vota konvertohet në mandat kur ajo ka një listë kandidatësh. Nëse Kolegji do të vendoste të pranonte kërkesën e PD-së, fleta e votimit për kandidatët e Këshillit Bashkiak dhe komunal në të gjithë vendin do të ishte njësoj, ku Aleanca për qytetarin do të kishte pjesë të saj të gjitha partitë aleate.
KQZ shtyn vendimin për grupet e numërimit
KQZ-ja nuk arrin të miratojë vendimin për të përcaktuar partitë që do të propozojnë anëtarin e tretë dhe të katërt të grupeve të numërimit të votave. Kodi Zgjedhor parashikon që anëtarin e parë dhe të dytë të këtyre grupeve e zgjedh partia më e madhe e maxhorancës dhe ajo më e madhe e opozitës dhe që në rastin konkret janë PD-ja dhe PS-ja. Në të njëjtën kohë, Kodi parashikon që dy anëtarët e tjerë i zgjedh partia e dytë më e madhe e maxhorancës dhe e dyta më e madhe nga opozita, me kushtin që ato të kenë fituar minimalisht 2 deputetë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Sipas këtij përcaktimi, nga e djathta është LSI-ja që ka të drejtë të propozojë anëtarin e tretë, ndërkohë që nga e majta nuk ka asnjë parti që të ketë minimalisht 2 deputetë në Kuvend. Në mbledhjen e djeshme të KQZ-së u pranua nga të dyja palët se Kodi Zgjedhor nuk ka një përcaktim të qartë se çfarë ndodh në një rast të ngjashëm, kur asnjë parti e një krahu politik nuk ka 2 deputetë në Parlament. Ne ose do ta lëmë të majtën me një anëtar të grupit të numërimit, ose do të pranojmë që analogjia në këtë rast është ajo që na udhëheq në mënyrën si ta interpretojmë ligjin dhe të caktojmë edhe një anëtar tjetër që ti takojë PS-së, u shpreh Ristani. Nga ana tjetër, nënkryetarja Subashi propozoi që vendimi të shtyhet për tu gjetur një zgjidhje, në një rast kur Kodi nuk e parashikon. Kodi në këtë moment ka një boshllëk. Çështja duhet gjetur një zgjidhje e pranuar. Kjo është një çështje që nuk e parashikon ligji. Grupi i numërimit, as ne as KZAZ-ve, nuk na duhet as sot as nesër. Unë mendoj ta gjykojmë, tha Subashi. Ndërsa përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti, kërkoi që ky institucion të komunikojë me Parlamentin lidhur me drejtimet që kanë partitë në Kuvend. Mendoj që na ka shkarë diçka. A ka një korrenspondencë zyrtare kush janë partitë parlamentare të pozitës dhe opozitës? Për shembull, PDIU-ja çfarë është? Nuk e përcakton KQZ-ja në cilin krah është, ajo parti nuk është qeveritare. Ta sjellë Parlamenti letrën, tha Kosovrasti. Në përfundim u votua vetëm propozimi që LSI-ja të caktojë numëruesin e tretë, ndërsa i katërti u shty për një mbledhje tjetër.
KQZ ndan fondin për 8 majin, PD-PS marrin pjesën e luanit
Shpërndarja e fondeve për partitë
65 milionë lekë fondi i
dhënë nga Qeveria
A) 50% e fondit, sipas numrit të mandateve që kanë në Kuvend
PD 15.785.714 lekë
PS 15.089.286 lekë
LSI 928.571 lekë
PDI 232.143 lekë
PBDNJ 232.143 lekë
PR 232.143 lekë
Totali 32.500.000 lekë
B) 50% e fondit, partitë që kanë
marrë jo më pak se 2 vende në Kuvend
PD 15.206.283 lekë
PS 15.458.441 lekë
LSI 1.835.277 lekë
Totali 32.500.000 lekë
Totali A+B
PD 30.991.997 lekë
PS 30.547.726 lekë
LSI 2.763.848 lekë
PDI 232.143 lekë
PBDNJ 232.143 lekë
PR 232.143 lekë
Totali 65.000.000 lekë
ADI SHKEMBI