Meshkujt, 64% nuk e njohin andrologun
Steriliteti dhe impotenca, në rritje. Sipas statistikave, 1 në 10 meshkuj shqiptarë është impotent. Pjesa më e madhe e tyre nuk e mendojnë të shkojnë te mjeku androlog për një konsultë të thjeshtë. Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, rreth 64% e meshkujve nuk e njohin fare andrologun si specialitet. Paraqiten te specialisti vetëm pas tentativave të dështuara për të bërë fëmijë, ndërkohë që fshehin me sa të mundin paaftësinë seksuale. Sëmundja e prostatës është një tjetër problem madhor kryesisht i meshkujve pas moshës 50 vjeç. Këto ishin disa prej temave që u diskutuan dje në Samitin e Andrologjisë dhe Urologjisë Euroaziatike, që po mbahet në Tiranë. Përveç specialistëve vendas e të huaj, i pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Ai theksoi se janë marrë një sërë masash të rëndësishme, të cilat synojnë përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës diagnostikuese e mjekuese. “Kemi ndërtuar një sistem të edukimit në vazhdim dhe institucionet respektive të cilësisë, sigurisë dhe akreditimit dhe gjithashtu kemi implementuar mekanizma bashkëkohorë të rritjes së transparencës dhe minimizimin e fenomeneve negative, të cilat mundësojnë gjithnjë e më shumë zgjerimin e aksesit për shërbim shëndetësor”, tha Vasili.