E Diel, 1 Nëntor 2026

Ramon Sanchez Lizarrade: Botuesit spanjollë nuk janë donkishotë

Ka lexuar një pjesë të "Don Kishotit" e ka marrë edhe një trëndafil. Ramon Sanchez Lizarrade, kritik letrar dhe përkthyesi në spanjisht i Ismail Kadaresë, Fatos Kongolit, Moza Ahmetit, Ervin Hatibit etj., ka qenë i ftuari special i ambasadës spanjolle në Ditën Botërore të Librit në Tiranë. Vëmendja ndaj Servantesit me leximin e dytë publik në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ishte dyfish e përligjur në këtë rast(përkon me përvjetorin e vdekjes). Ndërsa prania e Lizarralde në Tiranë është një mirënjohje për përkthyesin që ka bërë një ndërlidhje letrare mes dy vendeve. Erdhi rreth 30 vjet më parë, në kohën e Shqipërisë së Hoxhës. Sot ai njeh jo vetëm letërsinë. Njeh mirë njerëzit, kulturën, botën shqiptare. E quan veten gati-gati spanjollo-shqiptar. Ndërsa shprehet me keqardhje që rrugën e tij nuk e kanë ndjekur të tjerë. Dyshon se së afërmi mund të ketë spanjollë që do të interesohen për letërsinë shqipe, kushtëzuar kjo edhe nga marrëdhëniet jo shumë të hapura mes dy vendeve. Por ai e vazhdon punën. Ka gati në përfundim përkthimin në spanjisht të "Aksidenti" të Kadaresë, roman ende i pabotuar në shqip, e do të vazhdojë me "Jetë në një kuti shkrepëse" të Kongolit. Interesat e tij përfshijnë edhe autorë të tjerë shqiptarë, por shprehet se është shumë e vështirë të bindësh botuesit spanjollë për një letërsi që nuk e njohin. Në pasditen e librit, ka prezantuar botimin e tij "Shqipëria në pasqyrën e letërsisë" dhe botimin në spanjisht të novelës "Lëkura e qenit" të Fatos Kongolit.

Sot(dje)është Dita Botërore e Librit. Cili do ishte mesazhi që do t‘i shkonte më shumë për shtat?

Çdo ide ose iniciativë që tenton të ndërmerret nga profesionistët për përhapjen e librave është e mirë. Leximi publik i "Don Kishotit" të Servantesit, si një libër i pranuar nga e gjithë bota, për mua si spanjoll ishte një ide e zgjedhur. Në një pjesë të mirë të vendeve, kjo bëhet me synimin që libri të shkojë më afër atyre personave që janë paksa të distancuar. Nuk e kuptoj shumë mirë se si është gjendja e librit sot në Shqipëri, por prania në këtë lexim më bën të mendoj pozitivisht.

Një nga diskutimet e mëdha në botë për librin i referohet zëvendësimit të tij me argëtime që ofron teknologjia. Ju si përkthyes e ndieni këtë shqetësim?

Mënyrat për të kaluar kohën e lirë kanë ndryshuar shumë në 30 vitet e fundit. Për mua nuk duket të ketë një kontradiktë shumë të madhe. Flitet shumë për fëmijët që janë të dhënë pas lojërave kompjuterike dhe është ulur leximi, por në Spanjë janë pjesa e popullsisë që lexon më shumë. Ndoshta është e vërtetë që historitë tregohen më lehtë vizualisht se sa përmes leximit që kërkon një sforcim të mendjes, por interesi i njerëzve nuk duket të ketë rënë. Të paktën në Spanjë, kriza ekonomike në mënyrë paradoksale ka bërë që këto muajt e fundit të rritet niveli i shitjes së librave. Shumë shpesh konkluzionet që dalin nga studimet sipërfaqësore nuk janë të sakta.

Për punën si përkthyes i letërsisë shqipe në spanjisht dhe për kontributin ndaj njohjes së përbashkët ndërmjet dy vendeve, ju do t‘ju dorëzohet "Urdhri i Meritës Civile të Spanjës". Ndiheni i shpërblyer?

Çmime letrare kam marrë këtu dhe në Spanjë dhe ky është një vlerësim i një tjetër lloji. Kjo dekoratë nuk vlerëson punën letrare, por pozitat morale ose etike të individit. Marrëdhëniet që kam me këtë vend janë tashmë 30-vjeçare, kur erdha për herë të parë gjatë regjimit të shkuar për të bashkëpunuar me fushën e propagandës. Por shumë shpejt më interesuan librat, njerëzit, kultura. Pas rënies së regjimit nuk i shkëputa kontaktet, kam ardhur këtu e kam përkthyer më shumë se 50 libra nga gjuha shqipe në spanjisht, kam shkruar shumë artikuj për Shqipërinë, kam marrë pjesë në konferenca e aktivitete të ndryshme. Ende nuk e kam shumë të qartë se çfarë do të them sot në ceremoninë e rastit.

Së fundmi, ju keni shkruar librin "Shqipëria në pasqyrën e letërsisë". Si e keni njohur ju këtë vend përmes letërsisë?

Unë kam ardhur këtu kur nuk dija asnjë fjalë shqip. Të parat që kam mësuar ishin gëzuar dhe raki. Me kalimin e kohës fillova të mësoja gjuhën. Nga familja ime që në fëmijëri isha lidhur së tepërmi me letërsinë. Ndërsa Shqipërinë fillova ta njihja së pari nga Ismail Kadare. Më dukej interesant pozicioni i tij. Ishte i njohur e i pëlqyer si shkrimtar, por kishte paksa marrëdhënie të vështira në rrethet që unë njihja. Nisa leximin e veprave të tij, fillimisht me qëllimin që të përmirësoja njohuritë e mia për vendin dhe për gjuhën. Më tej kam lexuar edhe të vjetërit, Naimin, Asdrenin, shkrimtarët kosovarë. Kam botuar dy nga librat me përrallat popullore shqiptare në spanjisht dhe tani ndihem gati-gati spanjollo-shqiptar.

Sa arrini ju të ndiqni zhvillimet e sotme letrare?

Pak a shumë, sepse botohen shumë libra dhe jo të gjithë përfshihen në interesin tim. Kjo është normale në letërsi. Kur lexova romanet e para të Fatos Kongolit më ngjallën kërshëri, sepse ishte një e shkruar absolutisht ndryshe nga Ismail Kadare apo shkrimtarët e mëparshëm. Më tej më interesoi poezia e Mimoza Ahmetit dhe e botova në një vëllim, po ashtu kam përkthyer Ervin Hatibin, Agron Tufën dhe Gent Çoçolin. Këta autorë sillnin edhe gjëra të reja me krijimtarinë e tyre. Fillimet mbeten pak të errëta dhe ende nuk dihet nëse do të vazhdojnë me letërsinë apo jo. Është tjetër gjë letërsia që më intereson mua dhe është një tjetër gjë t‘i mbushësh mendjen botuesit spanjoll për të botuar autorë shqiptarë në spanjisht. Botimi ka kosto dhe botuesit nuk janë kurrë njerëz si Don Kishoti, nuk dalin menjëherë në rrugë. Prandaj shpesh është e vështirë për mua. Fatos Kongoli ishte i njohur, kishte fituar disa çmime ndërkombëtare, ishte botuar në Francë, Itali, Gjermani, ndërsa në Spanjë kishin ende mëdyshje. Botuesit spanjollë shohin sidomos nga Franca para se të vendosin mbi një letërsi që nuk e njohin. Në rastin tim e kanë pak të vështirë se jam përkthyesi, por edhe ai që informon mbi letërsinë shqiptare. Më besojnë, por jo shumë.

Ka ndonjë shkrimtar tjetër, ende i papërkthyer, por që ju ka zgjuar interes?

Një kohë më pëlqente shumë Zija Çela, por nuk gjeta dot mënyrën që ta botoja në Spanjë. Me poetët është edhe më e vështirë. Me Xhevahir Spahiun vazhdoj të kem marrëdhënie të mira, por stili i poezive të tij ma bën të vështirë përkthimin. Bazohen shumë në muzikë. Agron Tufa ka një prozë shumë të fortë dhe një poezi precize. Romanet që ka shkruar deri më tani kanë një gjuhë interesante, por më duket se mungon akoma maturia për idenë që kërkon të fusë në rrëfim. Këto romane duhet të flasin përtej botës shqiptare dhe gjeneratës së tij.

Çfarë po përktheni ndërkohë?

Jam gati në përfundim të librit "Aksidenti" të Ismail Kadaresë. Është një roman shumë i veçantë. Flet për një histori dashurie dhe dy personazhe, ku pjesa dërrmuese e romanit zhvillohet jashtë Shqipërisë. Flitet në mënyrë të qartë për marrëdhëniet seksuale që nuk janë normale sipas traditave të vendit, prandaj në rastin e Ismailit është një gjë e veçantë. Menjëherë më pas do të filloj të përkthej romanin e Fatos Kongolit "Jetë në një kuti shkrepëse".

Ju vazhdoni të jeni i vetmi përkthyes nga shqipja në spanjisht...

Deri tani për fat të keq nuk kanë dalë përkthyes të rinj dhe nuk besoj të dalin së shpejti. Është më lehtë që këtë ndërmarrje ta bëjnë disa shqiptarë që kanë shkuar para 20 vjetëve në Spanjë dhe që e kanë mësuar mirë spanjishten. Tani për tani Shqipëria dhe Spanja nuk kanë marrëdhënie shumë të ngushta. Flitet për Shqipërinë vetëm në raste të jashtëzakonshme, për gjëra që përbëjnë skandale. Në të kundërt nuk flitet. Ka pak interes. Në vazhdim kjo mund të ndryshojë, por aktualisht interesat e tyre janë drejtuar nga vendet me të cilët marrëdhëniet janë shekullore. Jam pak dyshues nëse të ardhmen mund të ketë përkthyes spanjollë të shqipes, sepse kjo gjuhë nuk mësohet asgjëkund në Spanjë. Ndoshta një përpjekje mund ta bëjnë ata që kanë ardhur këtu për të punuar në ambasada apo me aktivitete kulturore.

Pas kaq vitesh, je i kënaqur që e njohe këtë vend, letërsinë e tij, që bëre edhe përkthyesin?

Patjetër. Marrëdhëniet me këtë vend më kanë bërë më të pasur në të shumë kuptime, jo vetëm në anën profesionale. Ndodh gjithmonë për një njeri që shkon në një vend tjetër dhe e njeh thellësisht atë, të përmirësohet, sepse mëson për veten e vet dhe për vendin nga ballafaqimet.

Çfarë gjeni nga një vizitë në tjetrën në Shqipëri?

Së pari, takoj miqtë. Miq janë Ismaili dhe Fatosi, me të cilët njihem prej shumë vitesh, por edhe miq të tjerë që i kam njohur në kohën e Enver Hoxhës. Çdo herë më duket pak ndryshe Shqipëria. E kam parë para ‘90-ës, e kam njohur në kohën e rënies së regjimit, në kohën e barakave, në kohën e piramidave, në kohën e Nanos dhe aktualisht. Jeni më mirë. Vërtet Shqipëria ka akoma shumë gjëra që duhet të përmirësohen, por edhe qytetarët më duken më kërkues.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›