E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të negociosh me piratët

Ish-agjenti i FBI-së, Xhek Klunan, tani është specializuar në negocimin e rasteve të pengjeve me piratët somalezë. Në një intervistë për revistën gjermane, "Der Spiegel", ai shpjegon taktikat që përdoren me piratët dhe problemet e dorëzimit të miliona dollarëve në para të thata.

Si u dorëzohen paratë piratëve? Për shembull, përdoren barkat e shpejta?

Dorëzimi i parave është një pjesë shumë e vështirë e procesit të negocimit, pasi me t‘u marrë vesh me ta, të duhet t‘u japësh në dorë shumën. Në Mombasa merrnin me qira rimorkiatorë. Por kapitenët e rimorkiatorëve, të cilët e kanë bërë shpesh këtë gjë, ndonjëherë kërkojnë më shumë para se vetë haraçi. Fillimisht biem dakord për vendin, çantat e parave i dorëzohen nga një njeri piratëve dhe pas kësaj shpreson që ata djem të mos sjellin ndonjë të papritur. Në përgjithësi nuk ka të papritura.

Nuk ka rrugë të tjera për të dorëzuar paratë?

Kemi sugjeruar t‘i hedhim nga ajri në lartësi të mëdha - me parashuta të pajisura me GPS - dhe kjo është bërë disa herë. Shqyrtuam detajet dhe arritëm në përfundimin se mund të bëhej. Sa për t‘jua bërë të ditur, një milion dollarë në kartëmonedha 100 dollarëshe peshon rreth 14 kilogramë. Të lëvizësh me gjithë këto para nëpër Afrikë, është e vështirë. Do të ishte shumë më e lehtë sikur disa prej piratëve të pranonin t‘ua dërgonim paratë në rrugë elektronike. Por nuk e pranojnë këtë.

Çfarë valute parapëlqejnë?

Oh, dollarë amerikanë, jo euro në rastet tona. Dhe t‘u vësh shenjë kartëmonedhave, është humbje kohe në Somali.

Si komunikoni me piratët? Kanë telefona satelitorë?

Në rastet tona kemi komunikuar me ta përmes sistemeve të komunikimit të anijeve. Piratët i përdorin për qëllimet e veta. Zakonisht lidhen me pronarët e anijeve. Mund të nxjerrin në linjë një prej pengjeve dhe ky të thotë: "Dua të flas me familjen". Kemi pasur raste kërcënimesh përmes telefonave. Qëllojnë në ajër dhe na thonë se sapo vranë dikë.

Është e vështirë të komunikosh me ta?

Ndonjëherë anglishtja bëhet shumë problem, por në përgjithësi të nxjerrin dikë që flet anglisht. Ndonjëherë diçka e tillë bëhet nga vetë pengjet.

Kur ndodh kështu, ju mund të përfitoni ndonjë informacion më shumë?

Absolutisht.

Nga përvoja juaj, janë njerëz të zgjuar, apo thjesht hajdutë?

Nuk janë budallenj. E dinë se sa mund të fitohet. E dinë që është model biznesi shumë i suksesshëm. Dinë si të veprojnë në këtë zonë thuajse të pakontrolluar dhe i bëjnë me kujdes zgjedhjet. Dhe po zhvillojnë strategji gjithnjë e më të frytshme. Po shkojnë gjithnjë e më larg bregut, pasi e dinë që anijet janë këshilluar të qëndrojnë sa më larg brigjeve. Nëse anijet gjenden 50-100 milje larg nga bregu, mund të kapen me lehtësi. Dhe janë efektivë. Për shembull, u telefonojnë familjarëve të pengjeve për ta bërë më të nderë gjendjen e këtyre. Besoj se të qëllosh në ajër gjatë një telefonate dhe të thuash se vrava dikë, është mjaft e efektshme. Mendoj se ankorimi i anijeve të marra peng pranë njëra-tjetrës është gjithashtu diçka shumë e zgjuar. Disa janë më të aftë se të tjerët.

I njihni strukturat hierarkike të grupeve të piratëve?

Shpesh na ndodh të shohim se në bordin e anijeve ndodhet një komandant, pasi e kanë shtënë në dorë. Mund të negociosh me Ahmedin për një ditë a dy, pastaj mërziten nga mungesa e rezultateve dhe në skenë nxjerrin një tjetër. Ndërsa gjërat shkojnë përpara - deri edhe një muaj - takon disa përfaqësues të piratëve. Unë e konsideroj të njëjtën gjë si të blesh një veturë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ti negocion me shitësin dhe më në fund ai ngre duart e të thotë: "Mirë, do flas me menaxherin". Dhe kthehet bashkë me të e nënshkruan shitjen. Nga përvoja me piratët, mund të themi se ekziston një strukturë e organizuar. Kështu që, kur nuk bëjmë progrese me njeriun në anije, kërkojmë njeriun e duhur, vendimmarrësin. Mund të jetë në tokë, mund të jetë edhe në anije.

Do ta konsideronit "Piratët shpk"?

Në fakt është "Piratët shpk". Shikoni pak krimin e organizuar. Këta thjesht operojnë në një biznes tjetër, në atë të marrjes peng të anijeve. Kanë një strukturë komanduese dhe kontrolli. Sigurisht, nuk mund të krahasohet me ushtrinë gjermane apo amerikane në termat e zinxhirit të komandës, por ka një komandë të mirëfilltë për shkak të fitimeve që sjell ky aktivitet.

Është e vërtetë që shumë prej piratëve më parë kanë qenë peshkatarë?

Janë peshkatarë një ditë dhe në fundjavë bëhen piratë. Të hënën janë përsëri peshkatarë. Këtë kemi nuhatur. Nëse ndihesh i rrezikuar nga uria, apo varfëria e skajshme, një ditë kushdo mund të vendosë të veprojë kështu. Mendoj se është tërësisht e logjikshme.

Cilat do të jenë reagimet ndaj sulmeve amerikane për të liruar kapitenin Riçard Filips?

Nuk e kishim dëgjuar kurrë fjalën "hakmarrje" më parë dhe tani piratët po kërkojnë hakmarrje. Tani pyes veten, si do t‘i trajtonin pengjet amerikane?

Si e shohin veten piratët somalezë?

Po të gjykojmë me standardet tona, e shohin veten si njerëz shumë të suksesshëm. Konsiderohen si të shtypur e të shfrytëzuar, kështu që me këtë veprim ndihen heronj.

Ǒbëjnë me paratë?

Ka raportime se i investojnë paratë në pasuri të paluajtshme. Po të shohësh në disa qytete, do vëresh banesa shumë të mëdha krahasuar me të tjerat, dhe e dimë që disa prej tyre janë ndërtuar me paratë e haraçit.

Ǒmendoni se duhet bërë për të ndalur piratët?

Mendoj se duhen bërë dy gjëra: së pari kompanitë lundruese duhet të përdorin rrugë të tjera larg zonës dhe së dyti, të paktën tani për tani, duhen ndërmarrë kundërmasa, si për shembull roje të armatosura.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›