E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zoltan Horkai, zbutësi i ujqërve

Kush dëshiron t‘u afrohet ujqërve, duhet të jetë i lirshëm. "Të lutem, hiqi dorezat, thotë Zoltan Horkai. Kështu, kafshët mund ta dallojnë krahun nga xhaketa dhe nuk rrezikon të ta kafshojnë gabimisht". Çdo gjë tjetër në trup duhet të jetë e mbuluar, madje në kokë duhet të kesh kapele dhe këpucët të jenë me qafa të larta. "Zgjatua dorën ujqërve deri sa ta kenë nuhatur mjaftueshëm, sepse në të kundërt tremben".

Horkai hap portën e një vendi të rrethuar, ku në hyrje na presin një tufë ujqish me qime të zeza dhe gri. I ka zbutur që kur ishin të vegjël dhe tani për ta ai është një familjar, madje e konsiderojnë si të parin e tyre. Për këtë arsye u binden urdhrave të tij, duke bërë veprime të cilat do t‘i bënin spontanisht vetëm në një tufë: ulërijnë, hidhen, shtrihen përdhe ose skërmitin dhëmbët. Në moshën 39-vjeçare, Horkai është një prej të paktëve zbutës të ujqërve në botë.

Zakonisht, kafshët e tij i sheh në dokumentarë kinematografikë, spote dhe filma Hollivudi, por tani janë duke bërë pushim. Horkai është në shtëpinë e tij, në Godollo, qytezë afër Budapestit. Mikpritja e ujqërve është mbresëlënëse: kafshët e rrethojnë, i kafshojnë bluzën, i lëpijnë duart dhe i hidhen përsipër. "Mos u lër të kuptojnë se ua ke frikën", më këshillon Horkai. Por kjo s‘është kaq e lehtë. Ndërsa ai, përkundrazi, kap me forcë një nga ujqërit dhe fillon ta rrotullojë atë. Kështu pra vallëzohet me ujqërit.

Udhëtimi i qenit

"Ndryshe nga qeni, ujku nuk do dhe nuk pret asgjë prej njeriut, më shpjegon Horkai. Për këtë arsye është e vështirë të fitosh vëmendjen dhe besimin e tij". Për miliona vjet ka ekzistuar vetëm ujku. Vetëm kur njerëzit e parë u shfaqën në juglindje të Azisë dhe në Evropë, një grup nga këto kafshë zgjodhi një rrugë tjetër: të bëhej miku më i mirë i njeriut. Ndërsa ujku qëndroi nën shoqërinë e racës së tij.

Shkencëtarët nuk e kanë gjetur ende një shpjegim se si u takuan njerëzit dhe qentë. Disa mbështesin idenë se gjuetarët vranë një ekzemplar të rritur të tyre dhe i morën këlyshët. Por ekziston edhe ideja se këto kafshë u lidhën me njerëzit, të tërhequr nga mbeturinat e tyre ushqimore, me të cilat shuanin urinë.

Kështu, qeni u shndërrua në një kafshë shtëpiake.

Për të larguar frikën nga njerëzit, këlyshi i ujkut duhet të hyjë kontakt me ta që në 10 ditët e para të jetës së tij, ndërsa qeni ka kohë deri në tre muaj për këtë kontakt. "Në fillim duhej t‘i ushqeja të vegjlit në çdo dy orë, tregon Horkai. Ishte më e lodhshme se të përkujdeseshe për një të sapolindur". Por si shpërblim për gjithë mundin e tij dhe netët që kish kaluar pa gjumë, Horkai sot është kryetar i padiskutueshëm i gjashtë lukunive, të formuara në total nga 26 ekzemplarë. Vetëm një herë, 2 vjet më parë, një nga kafshët u përpoq "t‘i zinte vendin". Nga ndeshja me të, Horkai ka si kujtim një shenjë në anën e majtë të qafës. "Ai ujk jeton akoma në grigjën time, shpjegon Horkai, por nuk mund të punoj sërish me të, sepse është tepër e rrezikshme. Ai mund të përpiqet sërish të më dominojë".

Papritur, kafshët zgjasin turinjtë dhe nxjerrin në pah dhëmbët e tyre të mprehtë, duke krijuar një atmosferë të rrezikshme. Por Horkai më qetëson: "Nuk është një sjellje agresive, por shenjë nënshtrimi nga ana e ekzemplarëve të një rangu më të ulët". Mes ujqërve, hierarkia vendoset në bazë të rregullit të shtangies. Në krye qëndrojnë mashkulli e femra, "alfa", më të guximshmit dhe më të fuqishmit, që qëndrojnë në pozicion dominues duke mbajtur bishtin e tyre në formë gjysmërrethi, veshët drejt dhe fytyrën në gjendje të qetë. Për të treguar superioritetin e tyre, ata ndjekin dhe kafshojnë kafshët e tjera.

Edhe kafsha "omega", e fundit e tufës, ka një lloj sjelljeje të njohur: është ekzemplari që hungërin më shumë, por po ta vështrosh më mirë, mund të vësh re se është dhe më frikacaku, e mban bishtin mes këmbëve dhe veshët të ulur.. Ajo që për këtë kafshë konsiderohet si një "buzëqeshje paqësore", nga njeriu kuptohet si një "rrezik". "Kur ndonjë regjisor kërkon një ujk të keq, unë përzgjedh për t‘i çuar një ujk nga hierarkia më e ulët, që nxjerr dhëmbët sapo unë vihem përpara tij". Në filma, çdo ujk është i "specializuar" për një rol: njëri mund të jetë më i zoti për të luajtur rolin e të keqit, tjetri mund të jetë më i zoti për të kërcyer apo ulërirë nën dritën e hënës (edhe kur shkëlqen dielli). Tashmë kanë kaluar gati 15 vjet që kur Horkai përpiqet të kuptojë gjuhën e ujqërve. Kur ishte i vogël, Horkai donte të bëhej roje pylli ose menaxher. Prindërit e tij kishin një banesë të vogël në Budapest. Pas diplomimit u vendos në Monako, Gjermani, për të studiuar gjuhën gjermane dhe më pas në Bournemouth, në Britaninë e Madhe, për të studiuar anglishten. Ndoqi disa kurse për menaxhim-hoteleri në Austri dhe së bashku me vëllezërit drejtoi hotelin e prindërve deri në 1998-ën.

Në atë kohë, në Godollo ekzistonte një fermë që merrej me kujdesin ndaj kafshëve të cilat përdoreshin nëpër filma nga televizioni i shtetit. Më pas kjo fermë u privatizua dhe aty filluan të mbaheshin ujqër dhe arinj. Por as kjo nuk zgjati për shumë kohë dhe ferma nisi të shkatërrohej. Në këtë moment ndërhynë autoritetet shtetërore dhe një organizatë ndërkombëtare për mbrojtjen e kafshëve, që krijuan një qendër strehimi për kafshët. Horkai u ofrua për të marrë pjesë në këtë projekt. Sot në këtë qendër jetojnë 200 kafshë: ujqër, drerë, rrëqebuj, derra të egër, dhi, qenë, gjeladeti, kuaj, arinj etj., të gjithë të braktisur që kur ishin këlyshë. Horkai kujdeset për ta bashkë me dy asistentet e tij dhe Dorën, të dashurën e tij. Për të mbuluar shpenzimet - gati 9 mijë euro në muaj - ka filluar t‘i stërvitë kafshët për kinematë dhe televizionet. "Ujqërit nuk mund të zbuten plotësisht. Çdo herë duhet ta nisësh përgatitjen e tyre nga fillimi. Nuk u binden kurrë urdhrave, sidomos kur janë në ndonjë ambient të panjohur për ta", thotë Horkai.

Para kamerës së xhirimit

Zakonisht ujqërit vendosen 4 apo 5 ditë për t‘u ambientuar me një grup të ri xhirimi. Pastaj fillohet me xhirimet. Për filmin horror, "Gjak dhe çokollatë" (2007), lukunia duhej të ndiqte një grup kalorësish, ndërkohë që kamera do xhironte nga shumë afër. "Na janë dashur 2 javë për t‘i mësuar ujqërit me kamerën dhe që të mos fiksonin objektivin", tregon Horkai.

"Nëse kafshët kanë uri, bëhen të rrezikshëm. Ujqërit janë të predispozuar të mësojnë vetëm në disa kushte të caktuara. Duhet të gjej mënyra të ndryshme për t‘i bindur të bëjnë atë që dua unë. Nëse duhet të ndjekin një grup kalorësish, unë lidh pas bishtave të kuajve copa mishi të freskët. Por nëse më duhet t‘i mbaj ulur, s‘mund ta arrij këtë me një copë bifteku", tregon Horkai.

Ujqërit nuk janë mësuar ta marrin ushqimin nga njeriu, edhe sikur të jenë të zbutur. "Nëse u vë një copë mish nën hundë, ujku nuk arrin të përmbahet. Fillon të hidhet, sepse e do menjëherë, thotë zbutësi. Kam zbuluar se mënyra më e mirë për të qëndruar urtë është t‘u japësh ushqim të thatë, tepër tundues, që i bën të të dëgjojnë të gjitha urdhrat".

Ujku i kupton komandat e njeriut, por ndryshe nga qeni, nuk i intereson ajo që kërkon prej tij njeriu, madje edhe sikur ky i fundit ta shohë drejt e në sy. Ky është përfundimi i një studimi të universitetit "Eotvos Lorand" të Budapestit, të bërë pikërisht te ujqërit e Horkait.

Interesi i ujqërve për njerëzit sa vjen e zvogëlohet. Nëse ndeshemi me një ujk pas pesë minutash, për sytë e tij jemi të padukshëm. "Me kalimin e kohës qeni fillon të varet prej njeriut, ndërsa ujku jo, shpjegon Horkai. Qentë që nuk binden, mund të ndëshkohen. Ndërsa me ujkun ndëshkimet nuk funksionojnë. Kur njeriu bëhet i keq, ujku largohet prej tij".

Biografia

Zoltan Horkai ka lindur në 1970-ën në Budapest, Hungari. Në vitin 1997 filloi të zbuste ujqër dhe kafshë të tjera. Në 2009-ën kafshët e tij shfaqen në filmin "Candres et sang", të regjisorit Fanny Ardant



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›