Ramon Sanchez Lizarralde, një spanjoll i dashuruar me shqipen

Ramon Sanchez Lizarralde
Binte shumë shi atë ditë. Një shi i imët, i shtruar, që skishte ndërmend të pushonte. Shiu tipik i vjeshtës së shtyrë të Tiranës.Ai mbërriti i përpiktë në librarinë që e kishim shndërruar në një studio televizive, ku zhvillonim bisedat me shkrimtarë e përkthyes, i tëri qull. Edhe pse ndërtesën ku ishte hapur panairi i librit, për të cilin ai kishte ardhur në Tiranë, dhe vendin tonë të takimit se ndanin veç ca dhjetëra metra distancë. As çadër skishte pasur me vete, edhe pse e njihte mirë Tiranën dhe klimën e saj. Ndoshta mendonte se libraritë e mbyllura apo panairi i librit nuk do tia bënin të nevojshme ecejaket e gjata nëpër rrugë. Mbërriti i buzëqeshur… dhe shkujdesshëm u përpoq të rregullonte flokët e lagur para se të fillonin regjistrimin e intervistës… Ramon Sanchez Lizarralde ishte përkthyesi që veçmas më kishte tërhequr vëmendjen. Prania e një grupi të vogël përkthyesish të letërsisë shqipe në gjuhë të ndryshme europiane, ishte ngjarja më e rëndësishme e panairit të librit të atij viti. Cilët ishin këta përkthyes? Si kishin rënë në kontakt me gjuhën e këtij vendi të vogël e me letërsinë tonë? Fundja, pse e kishin bërë këtë zgjedhje, çi kishte joshur?… Kureshtja funksiononte njëlloj në rastin e të gjithëve, të përkthyeses polake, italiane, angleze… porse përkthyesi spanjoll qëndronte veçmas në këndvështrimin tim, edhe pse historia e lidhjes së tij me shqipen dhe me letërsinë shqipe ishte më të vërtetë e veçantë. Jo vetëm më e hershme e për pasojë më e thellë dhe e fortë. Porse fillonte në një epokë tjetër. Ai kishte mbërritur në Shqipëri para rënies së diktaturës dhe kishte jetuar gjatë këtu, duke pasur mundësinë të prekë me dorë terrenin, të njohë nga afër vetë autorët e letërsisë shqipe. Kishte nisur në fillim pandërgjegjshëm të hynte nëpër labirintet e shqipes, kaq të ndryshme nga gjuha e tij, e kishte shijuar dhe kishte nisur të zbulonte një nga një veprat e mëdha. Kishte adhuruar Kadarenë, por jo vetëm… E në fund të të gjithë kësaj, kishte besuar se ishte detyrimi i tij të çonte diçka prej letërsisë shqipe në Spanjë, duke u mbushur një boshllëk që gabimisht deri asaj kohe kishte qëndruar i zbrazur në libraritë e atij vendi. E filloi nga Kadareja. E pashmangshme kjo. Sepse ky shkrimtar që i kish kapërcyer prej kohësh kufijtë e vendit të vet, duhej çuar edhe në Spanjë. Kadareja duhej lexuar edhe nga spanjollët… Dhe kështu filloi rrugëtimi i një përkthyesi të dashuruar me gjuhën shqipe… Ramon Sanchez Lizarralde gjatë intervistës njëorëshe, por edhe më pas, gjatë kohës se një kafeje, më tregoi gjithçka rreth vetes, pasionit për përkthimin dhe veçanërisht për letërsinë shqipe. Për punën që iu desh të bënte me botuesin e parë që mori përsipër të nxirrte në spanjisht Gjeneralin e ushtrisë së vdekur. Për procesin e vet përkthimor të ndarë në faza, që i shijonte veçanërisht netëve dhe me së shumti në shtëpinë e vet që kishte në mal, larg nga qyteti i zhurmshëm dhe shpërqendrues. Më tregoi për zhytjen në thellësitë e letërsisë së Kadaresë që ishte pasuar me një miqësi me shkrimtarin… Për vështirësitë shkaktuar nga dallimet mes dy gjuhëve apo mendësitë, por edhe për ndonjë të përbashkët që herë-herë ia lehtësonte përkthimin… E pastaj vijoi për njohjet me shkrimtarë të tjerë shqiptarë dhe për vendimin për ti përkthyer edhe ata në spanjisht… Ramon Sanchez Lizarralde prej disa ditësh nuk është më mes të gjallëve, porse puna e tij e jashtëzakonshme e bën atë të jetë i pranishëm. Puna e jashtëzakonshme e një ndërmjetësi mes letërsisë shqipe dhe lexuesve spanjollë… Intervista e mëposhtme të rikthen jo thjesht në një çast të së shkuarës, në një ditë nëntori kur në Tiranë shiu nuk donte të pushonte. Por mbi të gjitha të rikthen në periudhën e gjatë të dashurisë së Sanchezit, që të gjithë shqiptarët e njohin me letërsinë shqipe dhe autorëve të kësaj gjuhe…
Prej shumë vjetësh përktheni letërsinë shqipe për lexuesit e vendit tuaj, pse keni zgjedhur shqipen, dhe jo një gjuhë tjetër të madhe?
Unë kam punuar për një kohë të gjatë në ndërmarrjen botuese 8 Nëntori, në kohën e regjimit të Hoxhës. Dhe, kur u ktheva në Spanjë, vura re që e dija gjuhën shqipe dhe e njihja letërsinë shqipe. Ishte si një lloj detyrimi etik për mua, ndërkohë që në Spanjë nuk dinin asgjë për letërsinë shqipe. Kështu ka qenë në momentet e para, pasi kisha jetuar katër vjet në Shqipëri.
Identifikoheni me Kadarenë, pra jeni përkthyesi i tij në spanjisht. Si do ta përkufizonit tërheqjen tuaj ndaj letërsisë së këtij shkrimtari?
Botimi i Kadaresë në spanjisht në fillim ishte një zgjedhje e dyfishtë, imja dhe e botuesve spanjollë. Kadareja ishte një autor i njohur dhe ishte e natyrshme që prej tij të mund të fillohej të përkthehej letërsia shqipe. Veç kësaj, shijet letrare në Spanjë janë të ndikuara nga Parisi dhe Kadareja e kishte kapërcyer pengesën franceze.
Ju e çuat për së pari Kadarenë në Spanjë nëpërmjet Gjeneralit të ushtrisë së vdekur. Çfarë kujtoni nga vështirësitë e atij përkthimi të parë?
Problemet e fillimit kishin të bënin me papjekurinë time. Strukturat e gjuhëve tona janë shumë të ndryshme dhe ka shumë probleme për të kthyer një ligjërim nga njëra gjuhë në tjetrën. Veç kësaj, kur te Gjenerali fillojnë të dalin në skenë fshatarët e sidomos kur shfaqet plaka Nicë me kockat e gjeneralit Z., vështirësitë bëhen me të vërtetë të mëdha. Tani unë e kam shumë të qartë, Ismaili është një nga romancierët e parë që përshtati gjuhën qytetare për letërsinë. Këtu puna funksionon lehtësisht, por kur hyjnë personazhet e tjerë, që vijnë nga një botë që për më tepër smund të krahasohet me botën spanjolle, problemi vështirësohet.
E megjithatë, edhe pse Gjenerali është vepra e parë që keni përkthyer, vështirësinë më të madhe e keni pasur gjatë përkthimit të Kronikë në gur
Është e njëjta logjikë. Atje flasin gjithmonë plakat. Vetë Gjirokastra është një territor shumë i veçantë. Kurse Kadareja nxjerr në pah shumë gjëra nga e kaluara dhe sidomos shumë gjëra personale dhe të brendshme. Në të njëjtin këndvështrim, ka qenë shumë i vështirë «Viti i mbrapshtë». Njerëzit e shtresave të ndryshme flasin krejt ndryshe. Kadareja i përdor shumë ngjyrimet gjuhësore. Është e vështirë të gjesh mënyrën si ta japësh atë në spanjisht.
Si e keni gjetur përkthimet e disa gjërave tipike, të themi vrasjen me juk që e gjejmë të Kadareja?
Fjala konkrete nuk më kujtohet, por më kujtohet problemi. Por ka një avantazh. Së paku në këtë rast. Bëhet fjalë për diçka që edhe në mendësinë spanjolle ekziston. Sigurisht në një formë të përafërt. Mund të ndodhte në disa zona të vendit. Kësisoj skisha nevojë të bëja një spanjollizim të frazës.
Shpesh përkthyesve u lind nevoja për shpjegimet e situatave të caktuara? A i përdorni ju shpjegimet?
Nevoja për përdorimin e shpjegimeve varet nga autori. Nëse do të flisnim për Kadarenë, duhet thënë se ai është specialist për tu treguar të huajve, për tua shpjeguar gjërat deri në detaje brenda vetë librit. Dhe kjo e lehtëson punën e përkthyesit. Mund të përmend Prillin e thyer për shembull, ku Kadareja e shpjegon Kanunin deri në detaje për lexuesit. Por, ka autorë të tjerë që në këtë pikëpamje janë të vështirë, siç do të përmendja Mitrush Kutelin. Kam përkthyer një vëllim me tregime, por ishte shumë i vështirë Kuteli. Unë mendoj se i duhen dhënë lexuesit edhe karakteristikat e veçanta të një letërsie. Nëse njerëzit lexojnë një libër shqiptar apo kinez, ata duhet të njohin aty Shqipërinë apo Kinën, gjërat nuk duhen spanjollizuar.
Ju për