Pranga për gërdecarët

TIRANË - Zhvillimet e ngjarjeve të Gërdecit kanë çuar në valë shoqërimesh në Komisariatin e Kombinatit ditën e djeshme. Tre anëtarë të Shoqatës për Kompensim të Gërdecit dhe shtatë të akuzuar se vidhin skrap në zonën e rrezikshme pranë kraterit janë shoqëruar për në komisariat, për t’u marrë në pyetje. E ndërsa anëtarët e shoqatës janë lënë të lirë disa orë pas marrjes në pyetje, hajdutët e skrapit vazhdojnë të mbeten të shoqëruar. Sipas një njoftimi për shtyp të policisë së Tiranës, mësohet se Shefki Sefaj, 35 vjeç, banues në fshatin Gërdec, Gëzim Gjoni, 48 vjeç, banues në Vorë, si dhe Ilir Ramollari, 33 vjeç, banues në Valias, u shoqëruan, pasi protestuan përpara Bashkisë së Vorës në lidhje me pakënaqësitë e dëmshpërblimeve. Ata janë lënë më pas të lirë, por duke pretenduar, nëpërmjet avokatit të tyre, Bledar Skënderit, se shoqërimi i tyre ka qenë i kundraligjshëm dhe se në komisariat nuk janë trajtuar mirë. Ndërkohë që burime tepër të besueshme pranë këtij komisariati bëjnë të ditur për “Korrierin”, se marrja në pyetje ka qenë krejtësisht brenda çdo norme ligjore dhe se asnjë prej tre të shoqëruarve nuk është keqtrajtuar. Efektivat e këtij komisariati pas marrjes së njoftimit nga Policia Ushtarake se në zonën e rrezikshme pranë kraterit disa persona vidhnin mbeturina municionesh, kanë nisur punën dhe kanë marrë në pyetje A. T., 11 vjeç, T. P., 12 vjeç, D. K., 17 vjeç, banues në Spitallë të Durrësit, Xhavit Tanushin, 44 vjeç, Qerim Prezën, 51 vjeç, Veli Nazinë, 43 vjeç dhe Besim Prezën, 45 vjeç, që të gjithë banorë të Sukthit. Shtatë personat janë kapur në flagrancë shumë pranë zonës së perimetrit ku kanë ndodhur shpërthimet, për të cilët dyshohen se kanë vjedhur mbeturina të municioneve dhe mbetje të predhave, me qëllim përpunimin e tyre për skrap, gjë e cila përbën rrezik për jetën e tyre, duke konsumuar kështu dhe një vepër penale. Nga burime të policisë mësohet se prej disa ditësh, të shtatë personat, me njohje mes tyre e të mirëorganizuar, kishin menduar që të përftonin nga shpërthimi mbetjet e municioneve luftarake dhe të predhave, të cilat më pas i shisnin dhe ndanin mes tyre fitimet. “Mund të kenë marrë me dhjetëra thasë mbetjesh, pasi e bënin prej ditësh këtë punë. Ndërkohë që janë pikasur vetëm para dy ditësh”, - përfundojnë burimet.