Spati kirurg, vdes minatori

MARTANESH - Humb jetën tragjikisht minatori i 10-të në galeritë e kromit të rrethit Bulqizë. Haki Kotja, 43 vjeç, lindur e banues në Krastë të Martaneshit, punonte prej vitesh në thellësitë e një galerie private. Mësohet se dje, pak orë pas mesditës, Kotja humb ekuilibrin dhe përfundoi në thellësitë e një trimozhe. “Prej 5 vitesh punonim së bashku”, tha njëri nga minatorët që i është gjendur pranë Kotjes në momentet e para të aksidentit. Sipas tij, “viktima rrëshqiti afro 10 metra krejt befasisht”. “Së bashku me dy kolegë të tjerë e nxorëm nga furneli dhe shumë shpejt bëmë të mundur nxjerrjen e tij nga galeria”, deklaroi ai për gazetën. Shokët thonë se Kotja ishte në gjendje të rëndë, mirëpo pulsi i punonte ende. “Lajmëruam shpejt një shofer dhe bëmë transportimin e tij nga miniera drejt spitalit të Bulqizës”, rrëfen i tronditur minatori që pa shokun e tij në gjendje të rëndë, por në spitalin e Bulqizës nuk u gjet asnjë kirurg. Mjeku roje, në pamundësi për t’i ardhur në ndihmë minatorit të dëmtuar keq në kokë dhe disa pjesë të trupit, sugjeroi lëvizjen e të aksidentuarit drejt spitalit të Burrelit. Rreth orës 17:30, mësohet se Haki Kotja mbërriti në spitalin e Burrelit në momentet e fundit të jetës së tij. “E dërguam në spitalin e qytetit dhe mjekët na urdhëruan ta dërgojmë në morg. Erdhën specialistët e ekspertizës ligjore dhe oficerë të Policisë Gjyqësore për të kryer hetimet e duhura”, përfundoi minatori që iu ndodh Kotjes pranë në çastet e fundit të jetës. Kotja kishte 4 fëmijë dhe gjendja e tij ekonomike ishte e rëndë. Punonte për të siguruar mbijetesën, bashkë më kolegë të tjerë minatorë, banorë të zonës së Martaneshit dhe nga rrethi i Matit. Sipas minatorëve të këtij sektori minerar, vdekja e Haki Kotjes është shkaktuar nga humbja e vëmendjes së tij në momentet kur ai po qëndronte në thellësitë e galerisë. “Ra krejt papritur. Rrëshqiti afro 10 metra thellësi”, thonë të tjerë minatorë. Sipas tyre, nuk pati as rrëshqitje të masivit dhe as ndonjë problem tjetër në minierë. Kohë më parë, po në Martanesh humbi jetën tragjikisht minatori Përparim Haslika. Një masiv shkëmbor i mori jetën minatorit që punonte për bukën e gojës. Policia e Burrelit dhe ajo e Bulqizës, bashkë me oficerë të Policisë Gjyqësore, kanë nisur hetimet rreth ngjarjes së rëndë. Pas vdekjes së Haki Kotjes, numri i minatorëve të vdekur në minierën e kromit në Bulqizë gjatë muajve të fundit shkon në 10-të.
Viktimat e kromit, 27 fëmijë jetimë
Fatkeqët që kanë lënë një mal me halle pas janë: Avni Duriçi, Besnik Alliu, Zaim Hysa, Hysen Elezi, Medi Jani, Sami Doga, Hekuran Gjata, Njazi Alliu, Përparim Haslika e Haki Kotja. Për shkak të tragjedive në këto miniera kanë mbetur jetimë 27 fëmijë.