E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ranë nenet

Parlamenti i Kosovës ka miratuar në parim Kodin Penal pa nenet që cenojnë lirinë e mediave. Në këtë mënyrë u plotësuan kërkesat e gazetarëve dhe iu hap rrugë kthimit të Hajredin Kuçit në Qeveri. Ai, në një prononcim për Express, tha se nuk e ka ndërmend ta lë politikën. Të enjten, Parlamenti rrëzoi edhe mocionin e opozitës kundër privatizimit të Distribucionit të KEK’ut, në një seancë plot fyerje dhe akuza.

Hajredin Kuçi si duket nuk e ka ndërmend ta lë në baltë Hashim Thaçin.

Pas heqjes së neneve, që konsideroheshin të rrezikshme për lirinë e medias nga Kodi Penal në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës, në një prononcim për Express, Kuci e ka lënë të hapur mundësinë të kthehet në postet nga të cilat dha dorëheqje.

“Unë jam njëri që nuk e ka ndërmend me lanë Kosovën edhe që do me kanë aktiv në politikë, por unë po flas për momentin dhe nuk mundem me komentu asgjë më shumë pa e ditur se çka ka ndodhur në Kuvend”, ka thënë Kuçi për Express.

Ai ishte zotuar se do t’i largojë nenet 37, 38 dhe 39, në të kundërtën do të largohej nga qeveria, gjë të cilën edhe e bëri pasi që Kodi së bashku me ato nene në muajin qershor u miratua me shumicë votash.

Por, largimi nga Qeveria nuk i ka pëlqyer Kreut të Qeverisë.

Të enjten Thaçi ka rikthyer Kodin Penal në Kuvend së bashku me një projektligj, me të cilin kërkoi shfuqizimin dhe heqjen e neneve kontestuese, kërkesë kjo e cila u miratua të enjten nga deputetët.

Me këtë u miratua edhe kërkesa e vazhdueshme e gazetarëve për heqjen e neneve që cenojnë lirinë e medias, derisa është hapur edhe rruga për kthimin e Kuçit.

Ky i fundit nuk e mohoi një mundësi të tillë, duke u shprehur i pakënaqur me debatin që është krijuar rreth kthimit apo jo të tij në qeverisje.

“Nuk jam i interesuar që të debatoj për këtë çështje, unë do ta shqyrtoj qysh është gjendja dhe çka është gjendja dhe mund t’ ju them se asnjë arsye tjetër s’kam pas me dhanë dorëheqje veç ne raport me këto, domethënë me nenet”, ka thënë Kuçi për Express.

Ai tha se do të shqyrtojë atë që ndodhi me nenet para se të fillojë ndonjë diskutim për kthimin e tij.

“Nuk e di çka ka vendos Kuvendi, a është leximi i parë apo i dytë dhe unë çdo vendim të Kuvendit e respektoj dhe pastaj do të diskutojmë se çka e qysh do t’ia bëjmë”, tha ai.

Projektligji për ndryshimin e Kodit Penal, respektivisht shfuqizimin e tri neneve që gazetarët konsiderojnë se cenojnë lirinë e medias, u miratua në parim të enjten me 59 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ndërkohë tash pritet që vlerësimin e tij rreth ligjshmërisë së këtij vendimi të japë edhe Komisioni funksional i Kuvendit në leximin e dytë të projektligjit.

Kryeparlamentari Krasniqi ka ftuar këtë Komision që të dërgojë rekomandimet brenda fatit kohor.

“Kërkohet në Komisioni funksional që me afatin e paraparë ta shqyrtojnë projektligjin dhe me kohë të japin rekomandimet për Kuvendin”, ishte thirrja e Krasniqit.

Thirrje të ngjashme Komisionit iu bë edhe nga Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, i cili mirëpriti votimin e së enjtes në leximin parë të projektligjit për heqjen e neneve kontestuese.

“AGPK u bën thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të vazhdojnë ta miratojnë edhe në shqyrtim të dytë këtë projektligj, pa amendamente të cilat do të mund të paraqitnin masa ndëshkuese ndaj mediave", thuhet në komunikatën e AGPK’së.

Pasuli i Ademit

Pavarësisht se deputetët dhanë dritën jeshile për ndryshimin e Kodit Penal, duke shfuqizuar nenet që cenonin lirinë e medias, gjatë dhënies së qëndrimet të grupeve parlamentare në lidhje me këtë nuk mungoi as debati ndërmjet pozitës dhe opozitës.

E gjithçka filloi me një proverb, të cilën ia lejoi vetit shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Adem Grabovci.

“Ne e mbështesim heqjen e neneve dhe ju ftojmë që të votoni pro projektligji, mirëpo nuk po mundem pa e thënë edhe një gjë, siç thonë në Gjakovë, pasuli ishte pa kripë, mirëpo ne ju kemi lajmëruar”, ka thënë Grabovci.

Në këtë ndërkaq i është përgjigjur Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri.

“Meqë e përmendi pasulin, nuk po muj me lanë pa e thanë që Ademi po e ha pasulin qashtu qysh është me kripë e pa kripë”, ka thënë Beqiri.

“E kemi thanë edhe herën e kaluar, nuk kam se çka të shkoj, LDK e mbështet projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të RKS Kodin Penal po ashtu mbështesim që të hiqen nenet 37, 38, 39 Dhe si të tillë ne e përkrahim dhe votojmë”, shtoi ai.

Lojërave me fjalë iu bashkua edhe Ardian Gjini nga AAK’ja. “Sa për atë kripën që e përmendi Ademi, po du me i thanë se na në Gjakovë themi duhet kapak me ja qit kripen se është kollaj me ja qit krejt, po është zor me heq mandej”, tha Gjini. Në fund të gjitha partitë, si pozitë ashtu edhe opozitë, u bashkuan në votim pro projektligjit të Qeverisë.

Kurti: Kryeministër, mos u zgërdhij

Për dallim prej projektligjit për ndryshimin e Kodit Penal, në seancën plenare të enjten dritën jeshile nga deputetët nuk e mori edhe mocioni i Lëvizjes Vetëvendosje, të përkrahur nga LDK dhe AAK për mos-shitjen e distribucionit të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Ky mocion u prezantua gjatë interpelancës në të cilën VV’ja e kishte ftuar Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, për t’u përgjigjur rreth procesit të privatizimit të shpërndarjes dhe furnizimit të KEK’ut.

Mosarritja e qëllimit të partive opozitare ka nxitur debat të ashpër ndërmjet pozitës dhe opozitës.

Ishin lideri i VV’së, Albin Kurti dhe ai PDK’së, Hashim Thaçi ata të cilët ia adresuan njëri-tjetrit fryje dhe sharje. Kurti i quajti Thaçin dhe ministrin Beqaj hajna, ndërkohë që kjo e ofendoi Kryeministrin, i cili kërkoi nga foltorja respekt më të madh.

Në këtë kërkesë ndërkaq replikoi Kurti. “Ju e demantoni veten sa herë që flisni, nuk ka nevojë t’ ju demantojë askush sepse aq inteligjencë dhe dije keni. Ju thatë që po ju ofendoj....”

E gjatë kohës kur Kurti po fliste, Kryeministri Thaçi qeshej. Kjo e pengoi liderin e VV’së, i cili kërkoi nga Kryeministri që të mos zgërdhihej. “...mos u zgërdhini”, u shpreh Kurti.

”Ofendimi presupozon që subjekti në anën tjetër ka dinjitet, unë çfarëdo konstatimi që bëj për juve kurrë s’ muj me ju ofendu, prandaj nëse ju thoni që po ju ofendoj, ju po gënjeni, nuk jam duke ofenduar, por jam duke konstatuar qysh jeni”, shtoi ai.

Ndërsa vazhdoi të quajë kreun e ekzekutivit hajn.

“Ky është një krim për të cilin ju duhet të shkoni në burg sepse ky është krim me shit për 26 milionë krejt energjinë e Kosovës, prandaj mos u zgërdhini, por bëhuni serioz sepse gjendja është serioze, mos u zgërdhini Kryeministër, nuk jeni as serioz e as i sinqertë, ju nuk mund t’i përfaqësoni qytetarët e Kosovës me këtë zgërdhije”, iu drejtua Kurti Thaçit.

Ky i fundit doli në foltore duke i thënë se nuk e ka ndërmend të merret me “klithmat çoroditëse” të Kurtit. Për më tepër tha se nuk merret me dikë që i ka dalë dore edhe babës së vet.

Pendohen gangsterët

Deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu- i njohur si Kamishi dhe ai i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, e kanë shfrytëzuar seancën e së enjtes në Kuvend për të treguar se i kanë rënë pishman për rrahjen e pahijshme në oborrin e Kuvendit, që ndodhi javën e kaluar. Por, edhe gjatë seancës të së enjtes, pavarësisht se kërkuan publikisht falje për veprimet jo korrekte, nuk u kursyen së shari njëri-tjetrin. Haxhiu tha që u sulmua pabesisht nga shoku i tij i luftës. Ndërsa Selimi vazhdoi me akuza ndaj SHIK’ut, një institucion për të cilin Haxhiu kishte punuar më herët.

Kjo replikë e deputetëve ndërkaq si duket nuk i pëlqeu Kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqit, i cilin kërkoi nga ata që të mendojnë mirë se çka e kanë ndërmend të flasin para se të dalin në foltore.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›