Kuçi mund të rikthehet në Qeveri

Ai as nuk e ka mohuar dhe as nuk e ka pohuar këtë çështje për Express.
“Nuk jam i interesuar që të debatojë për këtë çështje. Unë do ta shqyrtoj qysh është gjendja dhe çka është gjendja dhe unë mund t'ju them se asnjë arsye tjetër s’kam pas me dhanë dorëheqje veç ne raport me këto, domethënë me nenet. Është kjo çështje, tjetër gjë nuk mund të komentoj, nuk e di a kanë kaluar në leximin e parë apo të dytë nuk po paragjykoj”, ka thënë Kuçi.
Sipas tij, "ende nuk e di çka ka vendos Kuvendi, a është leximi i parë apo i dytë dhe unë çdo vendim të Kuvendit e respektoj dhe pastaj do të diskutojmë se çka e qysh do t’ia bëjmë”.
“Unë jam njëri që nuk e ka ndërmend me lanë Kosovën edhe që donë me kanë aktiv në politikë, por unë po flas për momentin dhe nuk mundem me komentuar asgjë më shumë pa e ditur se çka ka ndodhur në Kuvend”, ka thënë Kuçi.
Miratohet në parim Kodi Penal, pa nenet 37, 38 dhe 39
Deputetët e Kuvendit të Kosovës në orët e vonshme të pasdites kanë miratuar në parim Kodin Penal të Republikës së Kosovës pa nenet kontestuese 37, 38 dhe 39.
Qeveria e Kosovës e ktheu në riprocedim në Kuvend Kodin Penal për arsye se deputetët me shumicë votash patën votuar kundër heqjes së neneve kontestuese, për ç’arsye zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dha dorëheqje.
Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) mirëpret miratimin në parim të projektligjit për heqjen e neneve 37, 38 dhe 39 nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
"AGPK iu bën thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të vazhdojnë ta miratojnë edhe në shqyrtim të dytë këtë projektligj, pa amandamente të cilat do të mund të paraqitnin masa ndëshkuese ndaj mediave", thuhet në një komunikatë të AGPK'së.