LDK e VV kundër privatizimit të Distribucionit të KEK-ut
Përderisa Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë propozuar nga një mocion për ndërprerjen këtij privatizimi, por nuk janë përkrahur nga Grupi Parlamentar i AAK-së, pasi që ka konsideruar se nuk janë të harmonizuara mes partive.
Shefi Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se privatizimi i shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë elektrike duhet të ndalet.
Sipas tij, propozimi i Komitetit Qeveritar të Privatizimit, pasi që i kishin hapur ofertat për Distribucionin, që duhet vazhduar me procesin e privatizimit të kësaj kompanie, dhe miratimi qe qeveria ia bëri këtij propozimi, nuk ka logjikë ekonomike dhe është jashtëzakonisht i dëmshme në aspektin strategjik.
Ymeri ka thënë se Distribucioni i energjisë elektrike, ku përfshihet rrjeti por edhe tregu i saj, janë pasuri publike e Kosovës dhe ato duhet të mbeten të tilla për shkak se furnizimi me energji elektrike është i domosdoshëm dhe e drejtë që secili qytetar duhet ta gëzojë.
Shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se monopoli privat në asnjë mënyrë nuk mund të jetë e mirë për ekonominë dhe qytetarët.
“Infrastruktura e shpërndarjes së energjisë është monopol natyror. Nuk ka logjikë që secili ofrues i energjisë elektrike ta ndërtojë rrjetin e ndarë të shpërndarjes. Monopoli privat në asnjë mënyrë nuk mund të jetë i mirë për ekonominë e as për qytetarët, për shkak se kontrolli i tij përmbi sektorin e energjisë bëhet absolut. E kontrolli mbi energjinë është kontroll mbi shtetin, ekonominë e shoqërinë”, ka theksuar Ymeri.
Gjithashtu, ai ka kërkuar të dihet se çka po shitet dhe a ka ndonjë vlerësim të pronës së kompanisë e cila po shitet.
Ai ka dhënë edhe informacione rreth privatizimit në Mal të Zi dhe në Maqedoni, ku janë shitur këto distribucione qindra miliona eurosh, ndërsa në Kosovë për 26.3 milion euro.
Ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës, konform Kushtetutës së Republikës dhe në harmoni me
vizionin për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, është e përcaktuar për reforma strukturale ekonomike, për funksionalizim të ekonomisë së tregut, për fuqizim të sektorit privat, për vendosje të normave të larta profesionale dhe institucionale në funksion të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe krijimit të vendeve të reja të punës.
Për më tepër, ai ka shtuar parimi i transparencës, konkurrentshmërisë, trajtimit të barabartë të të gjitha kompanive të interesuara, diskutimi i hapur me të gjithë akterët vendorë dhe ndërkombëtar, punë profesionale, valorizim maksimal i resurseve natyrore, ruajtje e plotë e interesit të punonjësve, investimet afatgjata të cilat përmirësojnë infrastrukturën e furnizimit, eliminim i garancioneve shtetërore dhe eliminim i subvencionimit për mosinkasim, reduktimi i humbjeve komerciale dhe atyre teknike, janë parimet bazë të cilat e kanë përcjellur ketë transakcion.
Beqaj ka thënë se në mars të vitit 2011 ka qenë afati për dorëzimin e aplikacioneve për para-kualifikim, ku katër kompani kanë dorëzuar dokumentacionet për para-kualifikim: “Limak”, “Çalik”, “TAIB”, dhe “Elsewedy”.
Ofertat financiare të kompanive kanë pasur vlerat si në vijim: Konsorciumi Calik – Limak: 26.3 milion euro Kompania Elsewedy: 22.8 milion euro
Sipas tij, borxhet e vjetra, të cilat kanë vlerë prej më shumë se 350 milion euro, mbesin pronë e KEK-ut. Qeveria nuk do t’i falë këto borxhe, mirëpo do të vazhdojë me implementimin e ligjit që të mblidhen.
Ministri ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë asnjë garancion për këtë, sikurse kanë bërë shtetet e tjera në rajon.
“Ndryshe nga të gjitha privatizimet tjera në rajon, ne nuk kemi ofruar garancione shtetërore dhe as subvencione. Garancionet kanë për qëllim subvencionimin apo aplikimin e një metodologjie të caktuar dhe në këtë formë limitojnë mundësitë e Rregullatorit për të kryer funksionet e veta. Edhe në raste kur kompania nuk performon, atëherë duke u thirrë në garancion, prapë siguron se nuk do të ketë humbje. Këto garancione, po ashtu rrisin nivelin e borxhit publik”, ka theksuar Beqaj.
Ndërkohë, deputeti Zenun Pajaziti në emer të Grupit Parlamentar të PDK-së ka thënë se privatizimi i distribuimit është një proces i reformave në përputhje me strategjinë e sektorit të energjisë.
“Strategjia e engeregjisë është e poërkushtuar në privatizimin e sektorit të energjisë. Reduktimi i humbjeve është arsye primare e privatizimimit, në vitin e kaluar ka humbur 37 për qind të energjisë. Pra tarifat të mos jenë të ngarkuara për qytetarët për shkak të humbjeve”, ka thënë Pajaziti.
Ndërsa, deputetja e LDK-së, Teuta Sahatqija, ka thënë se kur flitet për distrubucionin flitet për pasurinë e shtetit, pasurinë kombëtare që përmban tokë, e shumë gjëra të tjera në pronësi. Ajo ka kritikuar mënyrën e shitjes së këtij aseti.
“Ka dy licenca edhe për distribuimin dhe furnizimin. Vendimi për shitjen e këtij aseti për vetëm 26, 3 milion euro është joadekuat. Shitja e distribucionit në vendet e rajonit është shitur dhjetëfish nga ajo që është shitur në Kosovë”, ka thënë Sahatqija.
Gjithashtu, ajo ka thënë se transparenca nuk ishte në nivel, kishte mungesë të transparencës në të gjitha detajet. Ajo ka kërkuar të dijë se a është i përfshirë edhe veriu i Kosovës me privatizimin e këtij distribucioni.
Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, tha se edhe pa hyrë fare në detaje, mostransperenca është shkelje, pasi që siç ka thënë ai nuk ka qenë procesi transparent ndaj kuvendit.
Ai nuk ka përkrahur mocionet e dy partive më herët atë të LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, pasi që ka konsideruar se nuk janë harmonizuar.
“Është shumë problematike kur kemi mocione që kanë mendime, ideologjike, ka elemente që janë në kundërshtim me vendimet tona. Nuk ka pasur mocione të harmonizuara. Mos-transparenca është fyerje për kuvendin për qytetarët, është e dhimbshme se nuk ka zgjuar interes më të madh tek deputetët dhe publiku privatizimi i distribucionit”, ka thënë Gjini.
Më pas interpelanca ka vazhduar me diskutimet e deputetëve ku nuk kanë munguar edhe akuzat në drejtim të Qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik./kosovapress/