Pacolli: Nga Veriu i Kosovës Dubai i ri
Në bisedë për "Vesti" ai dënon incidentet dhe sulmet gjatë shënimit të Vidovdanit. Por sipas tij ky është aksion që ishte i provokuar nga ana e vizitorëve. Si zgjidhje për veriun ai e konsideron formimin e zonës së lirë ekonomike, sikur zona Xhebal Alija në Dubai.
Si i komentoni incidentet dhe sulmet ndaj serbëve gjatë shënimit të Vidovdanit?
Nuk më pëlqeu ajo që ndodhi, si nga njëra, ashtu edhe ana tjetër. Zhveshja e fanellave gjithsesi nuk është pasqyrë e mirë për ne që do të dërgohej në Botë. Por ky është aksion që ishte i provokuar nga ana e vizitorëve dhe unë dua të besoj se herën e ardhshme do të jetë më mirë dhe diçka e tillë kurrë nuk do të përsëritet.
Ju angazhoheni që statusi i Veriut të Kosovës të zgjidhet përmes dialogut të drejtpërdrejtë me liderët e serbëve. Çfarë zgjidhje ofroni?
Veriu është një pikë e dhimbshme dhe do të ishte shumë më e thjeshtë sikur Kosova të bisedonte drejtpërdrejtë me serbët si të jetohet tutje, të bashkëpunohet ekonomikisht, të hiqet kufiri, të mundësohet qarkullimi i lirë i njerëzve, të mallit dhe kapitalit. Nga viti 2007 unë angazhohem që me mjete ekonomike të zgjidhen shumë probleme. Konsideroj se në Veri është dashur qysh më herët të intervenohet me investime.
Vështirë se do të arrihet marrëveshje me serbët e Kosovës në veri në qoftë se përmendet shtetësia e Kosovës?
Për këtë duhet të bisedohet menjëherë. Në veri janë serbët dhe shqiptarët, por edhe grupet kriminale që janë të lidhur ngushtë dhe përfitojnë mirë, duke e dëmtuar ekonominë serbe dhe kosovare. Unë jam i bindur se qytetarët janë të lodhur me një jetë të tillë.
Është e sigurt se serbët e veriut nuk e dëshirojnë Thaçin për bashkëbisedues, a do të ndërmjetësonit ju në këtë dialog?
Thaçi është kryeministër i Kosovës, por në qoftë se mua më besohet ky rol, unë jam i gatshëm që menjëherë të shkoj dhe të bisedoj. Për mua serbët janë qytetarë të barabartë të Kosovës dhe e meritojnë zgjidhjen për një të ardhme më të mirë.
Nga zgjidhjet në Veri, serbët e kanë parë vetëm intervenimin e ROSU.
Nuk do të kthehesha në atë që ka ndodhur. Duhet të gjendet ndonjë zgjidhje për veriun, i cili ishte shumë gjatë pa kontroll të askujt. Qeveria e Kosovës ka plan për integrimin e plotë të kësaj ane.
Si do të dukej zona pa kufi në praktikë dhe a do ta tejkalonte zgjidhja ekonomike çështjen e statusit të veriut?
E kemi vërejtur se me forcë nuk zgjidhen problemet. Gjithashtu, është vërejtur se askush nuk ishte i gatshëm për t’u ulur dhe biseduar. Unë nuk do të kursehesha, do të kisha dhënë gjithçka nga vetja që zona e lirë ekonomike të fillojë të funksionoj. Edhe komuniteti ndërkombëtar do të kishte përfitim, sepse do kishte mundësi që paratë që i shpenzon për polici t’i investojë në prodhim. Në praktikë zona e lirë ekonomike do ta përfshijë pjesën veriore të Kosovës, përbrenda të ashtuquajturit kufiri virtual i tanishëm i veriut, duke përfshirë edhe pjesën jugore të Mitrovicës. Kjo në 20 apo 30 vitet e ardhshme do të prodhonte disa mija vende të reja të punës në vit. Sepse, në qoftë se ndonjë prodhues në Gjermani paguan deri në 50 % të tatimit, kurse në zonën e lirë paguan 5% - Për këta prodhues kjo është parajsë! Si shembull mund të merret Xhebal Ali në Dubai.
A e gëzoni përkrahjen e Qeverisë së Kosovës për idetë e juaja?
Për këtë gjithmonë flas, por në Qeveri për këtë nuk është biseduar, sepse gjithmonë është bërë përpjekje që problemi të zgjidhet në marrëveshje me komunitetin ndërkombëtar. Tash është koha që ta marrim ardhmërinë në duart tona. Kur të jetësohet zona e lirë ekonomike, askush në Prishtinë, Mitrovicë apo Beograd nuk do t’i jap primat politikës, por zhvillimit ekonomik.
Policia e Kosovës i ka zhveshur edhe vajzat në mes të rrugës, vetëm se në fanellat e tyre kishin “Engjëllin e bardhë”
Nuk është e mirë kjo që ka ndodhur. Ne duhet t’i shërojmë plagët dhe mos të shkaktojmë plagë të reja. Shpresoj se në të ardhmen do të jemi më të vetëdijshëm për këtë.
Në një bisedë të mëhershme për "Vesti" keni thënë se do të angazhoheni personalisht për t’i tërhequr investitorët e mëdhenj për zonën e lirë ekonomike?
Po, absolutisht. Këta investitor ekzistojnë dhe më pyesin kur do të krijohen kushtet për afarizmin e tyre në zonën e lirë. Në qoftë se do të vinin ata dhe të shpallin konkurs për vende të reja, garantoj se shumë njerëz do të paraqiteshin dhe nuk do të vërenin nëse ekziston “kufiri” i ashtuquajtur në Ibër”.