E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turpi i korit të hienave

Partia Socialiste është rikthyer në identitet, duke përdorur fatkeqësitë në vend që llogariten edhe me jetë njerëzish, për shantazh ndaj qeverisë. PS gjatë ditës së djeshme, intensifikoi përpjekjet e pamoralshme ne dobi të kulimave të lidershipit të saj, duke përdorur si argument përgjegjshmërinë që ekzekutivi duhet të mbajë ndaj ngjarjes së rëndë të Gërdecit, duke kërkuar dorëheqjen e kreu të qeverisë. Ndonëse, në shenjë solidariteti dhe tregueshmërie të përgjegjshmërisë politike, ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu dha dorëheqjen në mënyrë që organi i akuzës ta trajtojë ngjarjen dhe të intensifikojë përpjekjet në mënyrë që përgjegjësit e vërtetë të dalin nga strofkulla e klandestinitetit. Qeveria shqiptare, për të plotësuar një standard integrues në NATO, vendosi që të çmontojë të gjitha municionet ushtarake që i pikasin të kaluarës së ftohtë komuniste dhe që nuk përbëjnë asnjë lloj arritjeje progresiste mburrëse, përves sistemeve totalitare komuniste. Në këtë drejtim, shigjetimi i Ramës në drejtim të qeverisë dhe në veçanti në drejtim të Kryeministrit Berisha, për të dhënë dorëheqjen, përbën një veprim arbitrar dhe aspak të precedentë, për faktin e vetëm se tragjedia në Gërdec ndodhi në një moment shumë të papërshtatshëm në kuadër të anëtarësimit të vendit në NATO dhe me këtë rast, PS dhe pjesa përbërëse e saj, duket se mbeten të predispozuar të mos bashkëpunojnë me qeverinë në këto momente të vështira për vendin, por përkundrazi, u janë kacavjerrë dorëheqjeve që duhet të japin anëtarët e kabinetit qeveritar. Në këtë aspekt, gjithkush mund të mendojë se përgjegjësia do të bjerë mbi dikë, për këtë ngjarje të rëndë që mori mbi 15 jetë njerëzish dhe që shkaktoi një dëm ekonomik ende të pallogaritshëm ekzaktësisht, por çështja është se në një konkluzion të saktë ende nuk ka arritur as organi i akuzës megjithë shoqërimet që janë bërë për në polici, të disa sipërmarrësve që kishin në administrim firmën që po kryente demontimin e municioneve ushtarake të së kaluarës moniste me orientim prapambetës sipas doktrinave të ideologëve të sistemit totalitar komunist, të tipit stalinist. Ngjarja e Gërdecit tregoi edhe njëherë se klasa politike ne Shqipëri mbetet në caqet e papërgjegjshmërisë etike dhe morale dhe të kulturës politike, përderisa po përfitohet nga kjo tragjedi për të ushtruar presion ndaj shumicës në pushtet dhe që në vetvete nuk është gjë tjetër veçse ecje në drejtim të kulisave të ngushta personale, të disa eksponentëve partiakë të PS-së. Rama kërkoi dje dorëheqjen e kryeministrit Berisha duke theksuar se “ne nuk e pranojmë për kryeministër dhe ai duhet të japë dorëheqjen”. “Ne duam dorëheqjen dhe imunitetin e deputetëve Sali Berisha e Fatmir Mediu, jo me deklaratat për gjoja gatishmëri për të mbështetur hetimet, po me votim në Kuvendin e Shqipërisë”- tha ai. Ndonëse, është pranuar në shenjë solidariteti se ngjarja në fjalë është një ngjarje e dhimbshme dhe që duhen marrë masa dhe mbështetje e menjëhershme nga të gjithë krahët politikë, duke lenë mënjanë mëritë e përditshme politike, disa politikanë, madje edhe kryetarë partish,
në mënyrë të paskrupullt, nuk pranojnë rrugën e bashkëpunimit dhe konsolidimit në dobi të sensibilizimit dhe solidaritetit ndaj kësaj situate,
por po synojnë të ngarkojnë përgjegjësinë në mënyrë të njëanshme.

 Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›