E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rankimi i Universiteteve, kryeson Harvardi

Rankimi akademik 2021 i universiteteve botërore ARWU, ose i njohur ndryshe si “Rankimi i Shanghait”, është bërë publike nga Shanghai Ranking Consultancy. Në rankimin e vitit 2021, Universiteti i Harvardit kryeson listën e renditjes.

Universiteti Stanford dhe Universiteti i Kembrixhit mbeten respektivisht nr.2 dhe nr. 3. 

Universitetet e tjera që janë të rankuara në dhjetëshen më të mirë janë; MIT, Berkeley, Princeton, Oxford, Columbia, Caltech dhe Çikago. 
Ndërkohë, në kontinentin Europian, universiteti më i mirë është universiteti francez Paris-Saclay University, që në renditjen botërore është në vendin e 13.

Gjithashtu, nga universitet europiane Instituti i Teknologjisë i Zyrihut ETH, vazhdon të jetë universiteti më i renditur. Ai është në vendin e 21. 

Ndërkohë, Universiteti i Kopenhagenit, renditet i treti në Europë, por në rankimim botëror është renditur i 30-ti. 

Në kontinentin aziatik renditet më mirë Universiteti i Tokios, që në rankimin botëror është në vend të 24-të dhe Universiteti i Kiotos i 37-ti. Të dy këto universitete mbajnë pozitat e tyre udhëheqëse në Azi.

Ajo çka është për t’u theksuar nga ky rankim, është se universitetet amerikane dhe ato angleze dominojnë listën “Top 500” të këtij viti. 

Shtetet e Bashkuara kanë 8 universitete në 10 vendet e para, ndërkohë 40 universitete të SHBA së janë në “Top 100” dhe 129 në “Top 500”. 

Britania e Madhe ka 8 Universitete në 100 më të mirat. 

Që nga viti 2003, ARWU ka prezantuar 500 universitetet më të mira botërore me anë të një metodologjie transparente, si dhe nga të dhënat objektive të palëve të treta.

Përsa i përket rajonit ballkanik, vetëm Maqedonia është i vetmi vend në rajon që ka bërë renditjen e Institucioneve të Arsimit të Lartë. 
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës në Maqedoni firmosi në shkurt të vitit 2011 një marrëveshje 5-vjeçare me Academic Ranking of World Universities (ARWU) për të kualifikuar dhe për të bërë një renditje të 19 Institucioneve të Arsimit të lartë në Maqedoni.

Ndërkohë, në Shqipëri janë bërë vetëm dy përpjekje për të bërë një lloj rankimi të universiteteve, por që kanë ngelur vetëm në fushën e akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë.

Kohë më parë kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama tha se është e papranueshme që universitetet shqiptare të renditen në ato në shifra periferike në hartën globale të rankimit.

Por, kreu i qeverisë shqiptare sqaroi se renditjet duhet të bëhen  edhe në bazë kapacitetesh.

“Procesi i financimit tregon që jemi në drejtimin e duhur pavarësisht se duhet akoma më shumë shfrytëzim i hapësirës së autonome, jo vetëm si liri por edhe si përgjegjësi. Çështja që shtrohet sot është që pavarësisht përparimit real konkret, renditja e universiteteve shqiptare në hartën globale edhe për shkak të një kohë shumë të gjatë të humbur para reformës është e papranueshme. Lajmi i mirë sipas nesh në bazë të analizës së bërë, është një renditje që nuk pasqyron kapacitetet. Në disa projekte në  të cilat universiteti i Tiranës ka aksesuar fondet europiane, kemi disa projekte ku universiteti i Tiranës është lider” tha zoti Rama.

Renditja e universiteteve është e rëndësishme për studentët që të kenë informacion të plotë para se të bëjnë zgjedhjen për programin e studimit apo universitetin ku do të studiojnë. 

Renditja është e rëndësishme edhe për universitetet, që të dinë ku janë në raport me universitetet e tjera.

Renditja i shërben menaxhimit të universitetit për të hartuar politikat, u shërben  politikëbërësve, qeverisë për të marrë vendime, për të bërë zgjedhje.
 
Por renditja do të jetë edhe një komponent për financimin e universiteteve. 

Edhe financimi nga buxheti i shtetit duhet të bazohet tek kjo renditje. Universitetet që përforcojnë më mirë natyrisht do të kenë mbështetje më të madhe nga buxheti i shtetit.
 
Tashmë ASCAL ka zhvilluar sondazhin kombëtar të studentëve i cili shumë shpejt do të vërë në dispozicion edhe rezultatet.

Autoritetet arsimore thanë se do të kishin dashur një pjesëmarrje më të lartë të studentëve sepse edhe këtë vit, njësoj si në sondazhin e kaluar, pjesëmarrja shkoi tek 23%.
 
Në lidhje me renditjen kombëtare, MAS do të ngrejë një grup pune të përbashkët. Në të do të marrin pjesë ekspertët e ministrisë, përfaqësues nga universitetet, ASCAL dhe bordi i akreditimit. Por në grup mund të përfshihen më shumë aktorë. 

Grupi do të zgjedhi një formulë akreditimi dhe rankimi duke marrë përvojat më të mirat të vendeve më të zhvilluara. 

/rtsh /

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›