Dr. Panajot Papa zbulon tendencën e ndërhyrjeve plastike në Shqipëri

Doktori i Kirurigjisë Plastike Rikonstruktive dhe Estetike, Panajot Papa, ishte i ftuar në emisionin “Në radio” nga Andri Xhahu. Gjatë emisionit, Papa foli për tendencat e operacioneve plastike në Shqipëri. Zmadhimi i buzëve është një nga ndërhyrjet më të kërkuara. “Trajtimet me acid hialuronik, një produkt që përbëhet nga 97 për qind ujë dhe 3 për qind acid hialuronik. Nëse injektohet në mënyrë hidratuese është trajtim i bukur sepse nxit trupin të prodhojë kolagjen.”
Dr. Panajot Papa vë theksin te rëndësia që ka mënyra e duhur e trajtimit nga mjekët specialistë. “Duhet patur kujdes. Nëse acidi hialuronik injektohet në enët e gjakut mund të krijojë nekrozë, një zonë të nxirë në lëkurë, që mbetet gjithë jetën.”
Një problematikë që doktori vë në dukje është se pavarësisht kërkesave të pacientëve, mjekët duhet t’i mbrojë ata. Mjekët duhet të jenë në gjendje të kuptojnë nëse ajo që kërkon pacienti është në harmoni. “Nëse mjeku specialist injekton në mënyrë të gabuar sepse do të kënaqë pacientin, i cili do të ngjajë si dikush tjetër, aty nis problemi.”
Një nga operacionet më të kërkuara aktualisht në Shqipëri është edhe rinoplastika, operacioni i hundës. “Është një nga operacionet më të vëshitra, që zgjat nga 20 minuta deri në tre orë. Secili ka një hundë ndryshe dhe nuk mund të përdorësh të njëjtën teknikë për ta rregulluar atë. Këtu kolegët e mi kanë bërë kompromise. Për të kryer një numër të madh ndërhyrjesh, shohim pacientë me të njëjtën hundë, duke humbur identitetin e tij.”
Vajzat dhe gratë janë më të interesuara për këtë lloj ndërhyrjeje. “Vijnë në klinikë dhe më thonë që hunda u duket pak e madhe kur e shohin në një fotografi. Kjo e fundit është bërë një matës i gabuar.”
Paraqitja e pacientëve në klinika me fotografi të personazheve që duan t’u ngjajnë është një praktikë e zakonshme. “Kanë ardhur tek unë me fotografi dhe kanë kërkuar buzë të theksuara. Një pacient, i shoqëruar nga e dashura e tij, kërkonte që të bënte buzët si Noizy. Mjeku duhet të kuptojë nëse kërkesa është harmonike. Kjo vjen sepse ngatërrohet suksesi i një personazhi me dëshirën që t’i ngjajnë atij.”
Një tjetër tendencë e kirurgjisë plastike është edhe zmadhimi i gjirit. Papa shpjegon se kirurgjia plastike nuk ka lindur për arsye estetike se sa për arsye funksionale. Kështu ka ndodhur edhe me rimodelimin e gjirit. “Kirurgu plastik ka lindur për të rregulluar problematikat që ka shkaktuar tumori i gjirit. Kur hiqet masa tumorale, gjiri rregullohet me proteza. Këtu filloi që proteza të zhvillohet edhe në aspektin estetik.”
Gjatë intervistës, Papa shprehu shqetësimin për ata që i kryejnë këto ndërhyrje estetike. “Kirurgjia plastike është një fushë që një mjeku i duhet të bëjë një studim 6-vjeçar dhe 6 vite të tjera specializim. Më pas mund të gjykojë nëse duhet të operojë ose jo një pacient. Shpesh në Shqipëri mjekët ose ata që nuk janë mjekë nuk e kanë këtë formim. Ndaj shohim trajtime ekstreme apo dhe transformime të pacientëve, që nuk janë harmonike dhe të bukura.”
/rtsh.al/