Rankoviqi dhe çetnikët në Kosovë
Serbia ka arritur të bindë botën perëndimore se edhe partizanët, edhe çetnikët në Luftën e Dytë Botërore kanë qenë antifashistë. Madje lideri çetnik Drazha Mihajloviq thuhet të jetë dekoruar edhe nga amerikanët. Qeveria e sotme në Serbi është një përzierje çetnikësh dhe komunistësh dhe rehabilitojnë si Drazha Mihajloviqin, ashtu edhe Rankoviqin. Këta dy emra në Kosovë janë sinonim për krimet më të mëdha ndaj shqiptarëve
Shumë popuj në Ballkan ende janë të ndarë sa i përket së kaluarës së tyre, sidomos Luftës së Dytë Botërore dhe asaj se kush ka qenë në cilën anë. Shqiptarët dhe kroatët janë shembulli më tipik i kësaj ndarjeje. Në debatet rreth Luftës së Dytë Botërore, sikur edhe për periudhën e pasluftës, shpesh lihen anash faktet dhe flitet në baza të ideologjisë. Në Kroaci kjo dilemë është zgjidhur me kushtetutë. Kushtetuta e definon shtetin si shtet i cili i ka bazat edhe mbi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Të gjitha tentimet e diplomacisë serbe, sikur edhe e propagandës, për ta lidhur shtetin e sotëm të Kroacisë me ish-shtetin kuisling neofashist të Ante Paveliqit, NDH, nuk kanë pasur sukses. Madje edhe vetë Franjo Tugjman, presidenti i parë i Kroacisë dhe udhëheqës në luftë, i cili u lidh me qarqe djathtiste nga emigracioni kroat, në të kaluarën e tij ishte i angazhuar në luftë si partizan dhe ishte oficer i ish-armatës jugosllave. Madje ka qenë edhe kryetar i klubit të futbollit Partizan të Beogradit, klub i ushtrisë. Tugjman u mundua të bashkojë kombin kroat, duke e krijuar shtetin me ish-komunistët, përfshirë edhe ish-udbashët kryesorë kroatë dhe me emigracionin nga Kanadaja, Australia dhe Argjentina, pasardhës të atyre që kishin ikur pas Luftës së Dytë Botërore. Ata të cilët nuk kishin ikur ishin viktimë e revanshizmit komunist. Në fund është e qartë se edhe ustashët gjatë luftës, edhe komunistët pas luftës kishin bërë krime të rënda.
Por krimet e komunistëve pas luftës nuk mohuan faktin se lufta antifashiste ishte e drejtë dhe se regjimi fashist ishte në anën e gabuar. Madje pjesët më të bukura të Kroacisë regjimi fashist ia kishte dhënë Musolinit. Në Kroaci edhe sot kur ky shtet është anëtar i BE-së vazhdon ndarja rreth së kaluarës, kush ka bërë më shumë krime, pse mund të flitet më shumë për krimet e ustashëve e të harrohen ato të komunistëve. Edhe në Kosovë deri diku, e në Shqipëri edhe më shumë, vazhdon debati rreth asaj se kush ishte në anën e drejtë. Për dallim nga rasti i Kroacisë edhe ata që në Kosovë dhe Shqipëri ishin aleatë të fashistëve gjermanë e italianë, nuk kanë bërë krime ndaj popullatës civile. Duke pasur parasysh të kaluarën para se të pushtoheshin nga fashistët tokat shqiptare një pjesë e popullit i pranoi ata si çlirimtarë. Një pjesë tjetër iu bashkua lëvizjes antifashiste çlirimtare, në anën e të cilëve ishin edhe aleatët e mëdhenj të sotëm të shqiptarëve, SHBA-ja dhe Britania e Madhe. Pas Luftës së Dytë Botërore shqiptarët qenë në mundësi të thonë se ishin po ashtu në anën e fituesve. Por pas padrejtësive që popullit shqiptar të Kosovës i bëri regjimi komunist, e dhunës që ushtroi kjo ideologji në Shqipëri, shumë pjesëtarë të Lëvizjes Çlirimtare Antifashiste u gjetën të zhgënjyer. Shqiptarët në ish-Jugosllavi nuk ishin asnjëherë të barabartë, ndërsa në Shqipëri regjimi i Enver Hoxhës i izoloi nga pjesa tjetër e botës.
Megjithëkëtë kjo nuk e mohon faktin se lufta antifashiste ishte e drejtë dhe kjo luftë konsiderohet e tillë në tërë Evropën Perëndimore. Evropa e sotme pikërisht, përfshirë edhe Gjermaninë e sotme, vlerat antifashiste i konsideron si themele kryesore të saj. Fakti se në Evropën Lindore pas Luftës së Dytë Botërore udhëheqësit si Stalini, Enver Hoxha, Tito dhe të tjerët u bënë diktatorë, nuk e mohon faktin se lufta kundër fashizmit ishte e drejtë. Është shumë interesante që të analizohet Serbia në këtë drejtim. Serbia ka arritur të bindë botën perëndimore se edhe partizanët edhe çetnikët në Luftën e Dytë botërore kanë qenë antifashistë. Madje lideri çetnik Drazha Mihajloviq thuhet të jetë dekoruar edhe nga amerikanët. Qeveria e sotme në Serbi është një përzierje çetnikësh dhe komunistësh dhe rehabilitojnë si Drazha Mihajloviqin ashtu edhe Rankoviqin. Këta dy emra në Kosovë janë sinonim për krimet më të mëdha ndaj shqiptarëve. Gjatë Luftës së Dytë Botërore edhe serbët ishin të ndarë. Sot ata kanë arritur të rehabilitojnë edhe lëvizjen çetnike. Kjo lëvizje është e njohur për krime të mëdha sidomos në Kosovë. Hordhitë çetnike kryen masakra të mëdha në Drenicë dhe pjesë tjera të Kosovës. Pak ka rëndësi për Kosovën se çetnikët diku tjetër na e paskan shpëtuar ndonjë pilot amerikan. Për kosovarët, kroatët e boshnjakët çetnikët mbeten sinonim të krimeve më të tmerrshme. Serbia asnjëherë nuk është distancuar nga këto krime, madje i ka dekoruar ata që kanë kryer ato. Kemi miqësi me Amerikën, por për atë se a kanë qenë çetnikët të mirë apo të këqij më shumë u besojmë gjyshërve tanë dhe përvojës së tyre. Bartës i ideologjisë çetnike në Serbi sot është presidenti i këtij vendi Tomislav Nikoliq. Pjesa tjetër e pushtetit të sotëm të Serbisë, ajo e udhëhequr nga kryeministri Ivica Daçiq, është kujdesur të rehabilitojë krimet e liderëve komunistë serbë. Dy emra janë që shqiptarët nuk do t’i harrojnë kurrë e që lidhen me krimet ndaj shqiptarëve. Ish-diktatori serbë Slobodan Milosheviq dhe ish-lideri policor serb Rankoviq,. Në dy faza të historisë jo aq të largët qindra e mijëra shqiptarë ishin viktima të krimeve që u kryen nën udhëheqjen e Rankoviqit e më vonë Milosheviqit. Kur Daçiq që në qeverinë me Boris Tadiqin hyri në qeveri, u pyet në Bruksel se a do të distancohet nga politika e Milosheviqit? refuzoi një gjë të tillë duke thënë: „Secili popull ka pasur në të kaluarën liderë nga të cilët marrin më të mirat“. Daçiq, ish-bashkëpunëtor i ngushtë i Milosheviqit për çka edhe mori nofkën „mali Slobo“ (Sloba i vogël), javën e shkuar u angazhua për dekorimin edhe të Rankoviqit.
Krimet ndaj shqiptarëve dhe pjesëtarëve të popujve tjerë në ish- Jugosllavi duket sikur të jenë kriter mbi të cilin edhe sot në Serbi vlerësohen figurat e tyre politike. Dukurinë e glorifikimit të çetnikëve dhe kriminelëve komunistë që kanë kryer krime ndaj shqiptarëve nuk e ka ndalur as dialogu me Kosovën e as nisja e rrugës së integrimeve evropiane të Serbisë.
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Koha Ditore”