Raport i ri ringjall dyshimet mbi vdekjen e Kurt Cobain

TIRANË, 11 shkurt/ATSH/ – Vdekja e këngëtarit legjendar të Nirvana, Kurt Cobain, po rikthehet në qendër të debatit publik pothuajse tri dekada pas ngjarjes, pas publikimit të një raporti të ri forensik që ngre dyshime se rasti mund të ketë qenë vrasje e inskenuar si vetëvrasje.
Sipas Euronews, një ekip i pavarur ekspertësh ka analizuar sërish dokumentet, fotografitë e skenës së ngjarjes dhe raportet toksikologjike, duke arritur në përfundimin se Cobain mund të ketë qenë i konfrontuar nga një ose më shumë persona, ti jetë injektuar një dozë e lartë heroine “për ta bërë të paaftë”, dhe më pas të jetë qëlluar me armë zjarri. Raporti pretendon gjithashtu se arma e gjetur në duart e tij “mund të jetë vendosur” pas vdekjes.
Kurt Cobain u gjet i vdekur më 5 prill 1994 në banesën e tij në Seattle dhe autoritetet vendosën se ai kishte kryer vetëvrasje me armë zjarri. Vitet e fundit të jetës së tij ai ishte përballur me varësi nga droga dhe probleme të shëndetit mendor.
Megjithatë, dyshimet rreth vdekjes së tij nuk janë shuar asnjëherë. Që nga fundi i viteve ’90, teori të ndryshme konspirative kanë pretenduar për një letër të dyshimtë, për çrregullime në skenën e ngjarjes, si dhe për tensionet në martesën e tij me këngëtaren Courtney Love. Dokumentari i vitit 1998 Kurt & Courtney i regjisorit Nick Broomfield i artikuloi këto dyshime dhe ngriti pikëpyetje mbi versionin zyrtar.
Pavarësisht raportit të ri, autoritetet amerikane nuk kanë njoftuar për rihapje të hetimit, dhe konkluzioni zyrtar i vitit 1994 – vetëvrasje – mbetet i pandryshuar.