493 ditë pritje: Flokët që bashkuan miliona tifozë të Manchester United

MANCHESTER, 11 shkurt/ATSH/ – Ajo që nisi si një lojë e pafajshme në internet është shndërruar, pas 493 ditësh, në një fenomen të vërtetë rreth formës së dobët të Manchester United dhe durimit të një tifozi të vetëm.
Frank Ilett, i njohur online si The United Strand, publikoi më 5 tetor 2024 një video ku premtonte se nuk do të qethte flokët deri kur United të fitonte pesë ndeshje radhazi. Në një sondazh të postuar atë ditë, ku morën pjesë 27 mijë ndjekës, 90% parashikuan se qethja e radhës do të vinte vetëm në vitin 2026.
Pas barazimit 1-1 të së martës ndaj West Ham, pritja vazhdon – dhe bashkë me të rritet edhe popullariteti i sfidës. Ilett sot ka mbi 2.3 milionë ndjekës dhe transmetimet e tij live në YouTube për ndeshjet e United arrijnë deri në 100 mijë shikues njëkohësisht.
“E kam nisur për argëtim, vetëm për të sjellë pak pozitivitet mes tifozëve në këtë moment të çuditshëm për klubin,” tha ai për BBC Sport, duke pranuar se nuk e kishte imagjinuar asnjëherë që sfida “no win, no trim” do të zgjaste kaq shumë. “Mendoja se do të mbaronte për tre a katër muaj.”
Fakti që Manchester United nuk arrin pesë fitore radhazi që prej janar–shkurtit 2024 e ka kthyer modelin e flokëve të Ilett në një simbol të rënies së klubit. “Flokët e mi janë një pasqyrim vizual se United nuk është aty ku duhet të jetë,” thotë ai, mes humorit dhe durimit të imponuar.
Sfida ka marrë përmasa të papritura: bashkëpunime me marka të mëdha, agjent personal dhe një ndjekësi të gjerë që e ka kthyer në figurë virale. “Nuk është më vetëm për mua,” thotë ai. “Nuk mund ta ndal tani.”
Por ëndrra e madhe mbetet një: “Nëse do më lejonin, prerja e flokëve në fushën e Old Trafford, ndoshta edhe nga një lojtar, do ishte e pabesueshme,” thotë Ilett, duke pritur që Manchester United t’i japë më në fund arsye për t’u ulur në karrigen e berberit.