Raporterët e KiE: Domosdoshmëri për reformën zgjedhore, partitë politike të nisin punën
UPDATE- Përfundon takimi mes kryeministrit Berisha dhe raporterëve të Këshillit të Europës Tomas Jirsa dhe Grigore Petrenco i cili ka zgjatur afro një orë.
Takimi me kryeministrin Berisha erdhi pas atyre të zhvilluar më herët me kryetarin e PS-së Edi Rama dhe me kreun e Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta.
Mësohet se ashtu si dhe në dy takimet e tjera temë e diskutimit ka qenë situata paszgjedhore dhe ngërçi politik në vend. Raporterët e asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mësohet të kenë kërkuar rinisjen e dialogut politik si dhe fillimin nga puna për hartimin e reformës së re elektorale.
Meta takim me reporterët e KiE: Vendimet e gjykatave janë të padiskutueshme
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta është takuar sot me dy reporterët e Këshillit të Evropës, senatorin çek Tomas Jirsa dhe deputetin moldav Grigore Petrenco.
Në një prononcim për mediat pas takimit, kreu i LSI-së, Ilir Meta tha se gjatë bisedës me dy reporterët e këshillit të Europës u fol për situatën politike, duke theksuar se vendimet e gjykatës dhe të institucioneve janë të padiskutueshme.
“Vendimet e gjykatave janë të padiskutueshme”, ka deklaruar Meta pas takimit. Ai ka theksuar se “qytetarët demonstruan vullnetin e tyre në zgjedhjet e tetë majit”. Meta ka shtuar se dëshmi e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është dhe rezultati i ngushtë. “Rezultati i ngushtë është funksionim i plotë i Kodit Zgjedhor”- ka thënë ai.
Ndër të tjera kreu i LSI-së tha se gjatë takimit u fol edhe për një reformën e re zgjedhore ndërsa theksoi se së bashku me dy reporterët e KiE-së ndanë mendimet për një përfshirje në kodin zgjedhor edhe të problemeve që u krijuan gjatë zgjedhjeve të këtij viti.
Ndërkohë dy reporterët e Këshillit të Europës janë takuar sot edhe kruen e PS-së Edi Rama dhe më pas do të takohen edhe me kryeministrin Sali Berisha
Vizita e dy reporterëve nga Komisioni i Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Shqipëri ka si qëllim opinionin fakt-mbledhës për situatën politike që po kalon vendi.