E Diel, 1 Nëntor 2026

Edvini po kërkon ndëshkimin e shqiptarëve, por po merr izolimin prej Evropës

Mazhoranca denoncon qëndrimin e trashëgimtarëve të komunizmit, të cilët janë hedhur në aksion për të bllokuar heqjen e vizave për shqiptarët. Prej një viti, i gjithë aksioni politik i opozitës po synon rrënimin e imazhit të vendit, përmes propagandimit të fatkeqësive, por Europa tashmë e ka lexuar Edvinin dhe po zbaton izolimin e tij të plotë nga institucionet ndërkombëtare

Partia Demokratike dënoi dje aktet vandale të klikës aparteide të Edvin Kristaq Ramës dhe njeriut të tij, Gramoz Ruçi, kundër interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve, në udhën e gjatë të integrimit në Bashkimin Evropian.
Deputeti demokrat Aldo Bumçi deklaroi dje gjatë një prononcimi për mediat se në një kohë kur qeveria po përmbush çdo standard të lëvizjes së lirë dhe po merr vlerësimet e ndërkombëtarëve në këtë proces, ekziston në tregun politik një aleancë kundër këtyre interesave, aleancë kjo e përbërë nga trashëgimtarët e Partisë së Punës dhe izolimit gjysmë shekullor.
Sipas deputetit demokrat, Edvin Rama është udhëheqësi i një fushate shpifjesh kundër sigurisë së dokumenteve të identitetit, me qëllim bllokimin e liberalizimit të vizave.
“Shqiptarët kanë përjetuar gjatë viteve të regjimit komunist vetë izolimin më të thellë dhe më të egër, të pashoq në të gjithë ish lindjen komuniste. Ky izolim i tmerrshëm dhe varfëria e skajshme që na la komunizmi prodhuan në fillim të viteve 90-të një valë të tillë emigrimi të pakrahasueshme për nga përqindja e popullsisë me asnjë vend tjetër të Europës lindore. Sot qytetarët shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, janë më afër se kurrë ëndrrës së tyre Europiane, liberalizimit të vizave me vendet e Bashkimit Europian falë një pune kolosale që u ndërmor nga qeveria për sa i takon dokumenteve të identitetit, sigurisë së kufijve, luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe plotësimit të të gjitha kërkesave të tjera në udhërrëfyesin e BE-së. Deklarimet e zyrtarëve më të lartë të Bashkimit Europian, vendeve anëtare dhe Rezoluta e Parlamentit Europian që kërkon përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë janë tregues shumë të qartë të vlerësimit dhe vullnetit pozitiv që ekziston ndaj Shqipërisë. Përkundrejt këtyre përpjekjeje, z. Rama ka ndërmarrë një aksion politik të paprecedentë kundër liberalizimit të vizave, kundër kësaj aspirate madhore të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Trashëgimtarët e Partisë së Punës dhe izolimit gjysmë shekullor kanë ndërmarrë një fushatë shpifjesh kundër sigurisë së dokumenteve të identitetit, me qellim bllokimin e liberalizimit te vizave”, u shpreh Bumçi, duke faktuar para shqiptarëve të gjithë politikën fatkeqe që rrjedh nga binomi i së majtës, me në krye aksionin e degraduar politik të Edvin Kristaq Ramës.
“Nuk ka gjë më dëshpëruese dhe shqetësuese për interesat e vendit kur shikon se sa poshtë ka rënë, se ku ka degraduar aksioni politik i z. Rama, duke ndërmarrë një sulm të egër kundër procesit të liberalizimit të vizave. Një politikan dhe udhëheqës është i tillë sepse i frymëzon njerëzit drejt një ëndrre më të mirë, është e trishtë të shikosh se si z. Rama mundohet të mbijetojë jo duke sjellë shpresë dhe zhvillim, por duke kërkuar fatkeqësi për qytetarët e vendit të tij”, tha Bumçi.
Ai vuri në dukje se deklarata për falsifikimin e dokumenteve të identitetit është vetëm akti i fundit në përpjekjet e tij 6 mujore të bojkotit dhe protestave për të penguar liberalizimin e vizave dhe procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
“Ky nuk mund të jetë qëndrimi i dhjetëra mijëra socialistëve dhe votuesve të PS-së të cilët kanë fëmijët dhe familjarët e tyre në emigracion dhe dëshirojnë të lëvizin të lirë si të gjithë qytetarët e tjerë të Europës. Ky nuk mund të jetë qëndrimi i Partisë Socialiste, ky është vetëm qëndrimi i një njeriu të vetëm që ka veshur të zezat dhe kërkon lajme të këqija dhe fatkeqësi për qytetarët e vendit të tij”, deklaroi më tej, deputeti i Partisë Demokratike Aldo Bumçi.
Reagimi i Partisë Demokratike, vjen pas demonstrimit të aktit të turpit të Gramoz Ruçit javën e kaluar në Kuvend, i cili me disa pseudo fakte, pretendon për manipulime të zgjedhjeve, ndërkohë që nuk iu përgjigj thirrjes së kryeministrit Berisha, për ti dorëzuar ato në Prokurori. Kjo dilemë e socialistëve, për të hedhur një hap të tillë, është sigurisht një moment i justifikueshëm, pasi ato karta që tregoi njeriu i diktaturës, komisarit politik, Ruçi, nuk janë gjë tjetër veçse sajesa dhe trillime përmes falsifikimesh të bëra nga po këta eksponentë të PS-së, të cilët tashmë duhet të përballen edhe me pasojat ligjore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›