Raportet amerikano-kineze, në pikëpyetje

Në një takim të organizuar me kujdes, presidenti Obama dhe Dalai Lama, do të
lënë pas krahëve protestat e Kinës dhe do të ringjallin traditën e gjatë të
mbështetjes amerikane për Tibetin, në përpjekjet e tij për autonomi më të gjerë
nga Pekini.
Derisa presidenti Obama do të zhvillojë takimin e parë me udhëheqësin
shpirtëror në mërgim të tibetianëve, aktivistët i bënë thirrje baroneshës Ashton
ti bëjë një ftesë të ngjashme Dalai Lamës, në përputhje me vlerat evropiane
të dialogut dhe të pajtimit.
Takimi me një nga ikonat e lëvizjes për të drejtat e njeriut nuk besohet se do
të shoqërohet me paraqitje publike.
Edhe në këto kushte, takimi do të thellojë mosbesimin që ekziston në raportet e
trazuara amerikano-kineze dhe ka fuqinë që ti dëmtojë interesat amerikane në
një mori çështjesh nga Irani, e deri te vlera e dollarit.
Shtëpia e Bardhë është kujdesur të theksojë se Dalai Lama do të pritet si
udhëheqës shpirtëror, e jo si udhëheqës politik. Megjithatë, konteksti politik
i takimit nuk mund të anashkalohet.
Takimi ishte shtyrë deri pas vizitës së parë të presidentit Obama në Kinë, me
shpresën se do të mund të fitonte bashkëpunimin e Kinës në politikat e
ndryshimeve klimatike dhe sanksionet kundër Iranit.
Që nga dështimi i kësaj strategjie, zoti Obama ka miratuar marrëveshje në vlerë
prej 6.4 miliardë dollarësh në shitjen e armëve Tajvanit, kurse Kina ka lejuar
rënien e bonove të thesarit të Shteteve të Bashkuara në tregun botëror.
Kina, gjithashtu, nuk ka pranuar të tërhiqet nga mosmarrëveshjet e krijuara me
gjigantin amerikan të internetit, Google.
Në këto kushte, sigurimi i ftesës nga presidenti Obama dhe një takim tjetër me
Sekretaren e Shtetit, Hillari Klinton, shihet si fitore e madhe nga tibetanët.
Robert Gibs, zëdhënësi i shtypit i presidentit Obama, tha se presidenti
thjesht do të inkurajojë Pekinin dhe Dalai Lamën të vazhdojnë bisedimet.
Nëntë vitet e takimeve sporadike nuk kanë shënuar ndonjë përparim, sa i përket
lirisë fetare për tibetianët budistë dhe për trajtimin që Pekini u bën
disidentëve tibetianë.
Megjithatë, ajo që paraqet shqetësim në afat të gjatë për Shtetet e Bashkuara
është fundi i dashurisë kineze me borxhin amerikan.
Në dhjetor Kina hoqi qafe bono-thesarin amerikan në vlerë prej 34.2 miliardë
dollarë. Nëse një gjë e tillë vazhdon, vizita e klerikëve budistë është
shqetësimi i fundit i zotit Obama. "Times"