Xhelozia, ekzekutohet me tri plumba brenda në spital mjeku Fatmir ThaçiNga TemaMjeku Fatmir Thaçi është ekzekutuar paraditen e djeshme brenda ambienteve të spitalit të Durrësit. Shefi i repartit të Radiologjisë është qëlluar me tri plumba në kokë nga
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Xhelozia, ekzekutohet me tri plumba brenda në spital mjeku Fatmir ThaçiNga TemaMjeku Fatmir Thaçi është ekzekutuar paraditen e djeshme brenda ambienteve të spitalit të Durrësit. Shefi i repartit të Radiologjisë është qëlluar me tri plumba në kokë nga ana e Ali Lohjas, i cili më pas është vetëdorëzuar në polici. Motivi i kësaj ngjarjeje të rëndë mendohet që të ketë qenë xhelozia e Lohjas, i cili ka deklaruar se dyshonte se mjeku Thaçi kishte një lidhje me ish-gruan e tij, e cila në fakt nuk jeton më, pasi është vetë-helmuar rreth dy muaj më parë. Ky fakt është pohuar edhe nga vetë autori, gjatë marrjes në pyetje nga ana e oficerëve të policisë.
Krimi
Mëngjesin e djeshëm, mjeku radiolog, Fatmir Thaçi, 52 vjeç, është drejtuar si zakonisht drejt spitalit të Durrësit, ku dhe punon prej vitesh. Rreth orës 09:00, në sallën e tij, ku ka qenë duke plotësuar disa formularë, ka trokitur 46-vjeçari Ali Lohja. Sipas punonjësve të spitalit, të cilët kanë qenë vetëm pak metra larg sallës së mjekut Thaçi, Lohja ka parë në sy mjekun dhe i është drejtuar me fjalët: “Si i le jetimë fëmijët e mi, ashtu le të ngelen edhe të tutë”. Pas këtyre fjalëve, gjatë të cilave Thaçi ka mbetur i shtangur, Ali Lohja ka nxjerrë nga brezi një pistoletë dhe ka qëlluar me gjakftohtësi tri herë në kokë mjekun radiolog. Ky i fundit ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa autori i krimit ka hedhur armën përdhe dhe ka pritur oficerët e policisë. Spitali i Durrësit është terrorizuar nga të shtënat, teksa për minuta të tëra, derisa mbërritën forcat e policisë, mbizotëronte kaosi dhe frika totale. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar punonjësit e policisë, të cilët kanë vënë në pranga autorin e ngjarjes së rëndë, i cili nuk ka bërë as më të voglin veprim për të kundërshtuar. Nga hetimet paraprake dhe sipas dëshmive të punonjësve të spitalit, ngjarja e rëndë mendohet që të ketë pasur si motiv xhelozinë e Ali Lohjas. Ky i fundit mësohet se ka thënë në polici që mjeku Thaçi i shkatërroi familjen dhe për këtë arsye ai vendosi që të hakmerret duke e vrarë. Ali Lohja ishte xheloz ndaj së shoqes dhe për këtë arsye ushtronte dhunë ndaj saj. Kjo e fundit, duke mos duruar dot më dhunën e vazhdueshme, i ka dhënë fund jetës. Pas kësaj Ali Lohja duket se ka bërë përgjegjës për këtë ngjarje pikërisht mjekun Fatmir Thaçi dhe nuk ka gjetur qetësi, deri ditën e djeshme, kur ka vrarë në mënyrë makabre mjekun radiolog. Tashmë ai do të procedohet penalisht për veprën e “Vrasjes me dashje”, vepër për të cilën duket se do të marrë dënimin maksimal. Ky nuk është rasti i parë kur mjekët bien pre e dhunës dhe sulmohen brenda ambienteve të tyre të punës, teksa vetëm brenda një viti janë sulmuar mbi pesë mjekë.