Liri ekonomike pa pronësi?Nga Arben Malaj, gazetastart.comVlerësimi i vendit tonë në indekset ndërkombëtare është një zhvillim që duhet të jetë fokus i qeverisë, parlamentit, qarqeve akademike dhe shoqërisë civile. Këto indekse kane vlerë për polit
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Liri ekonomike pa pronësi?Nga Arben Malaj, gazetastart.comVlerësimi i vendit tonë në indekset ndërkombëtare është një zhvillim që duhet të jetë fokus i qeverisë, parlamentit, qarqeve akademike dhe shoqërisë civile.
Këto indekse kane vlerë për politikëbërësit për faktin se lejojnë të kuptosh më mirë vështirësitë apo pengesat, të qartësosh në dinamikë sfidat dhe të jesh më i qartë për reformat e domosdoshme të vendit.
Këto indekse lejojnë edhe krahasimin me tregues rajonalë apo edhe globalë. Ky krahasim ka vlerë jo thjesht statistikore por për sfidat për t’u bërë një ekonomi sa më tërheqëse për investimet private, vendase dhe të huaja.
Diskutimi publik rreth renditjes dhe trendit të Shqipërisë në këto indekse ka një vlerë të shtuar pasi e bën më të orientuar, më të fokusuar dhe më efektiv debatin parlamentar, diskutimin e ekspertëve dhe sensibilizimin e publikut.
Nga viti në vit vendi ka vlerësime të përmirësuara në indekse të ndryshme ndërkombëtare. Këto arritje janë pjesë e reformave që shpesh nuk janë thjesht të një qeverie, pasi edhe rezultati vjen jo në mënyrë të menjëhershme. Duke parë me vëmendje treguesit përbërës të lirisë ekonomike, disa tregues janë fleksibël në devijimin e tyre sipas momenteve të caktuara apo sipas performancës së qeverive. Ndërsa për disa tregues përmirësimi i të cilëve është themelor për lirinë ekonomike arritjet duhet të mbeten të konsoliduara.
Me konkretisht, nëse treguesi i madhësisë së qeverisë, i lirisë fiskale, lirisë monetare, liria e të berit biznes, janë shumë të rëndësishëm, në disa raste ata mund të kenë përkeqësim të tyre, për shkak të fazave të ndryshme të ciklit ekonomik, apo edhe prioriteteve të ndryshme të qeverive të ndryshme. Ata mund të përkeqësohen përkohësisht edhe nga krizat rajonale e globale, por duhet të kthehen pa vonesë në trendin e tyre përmirësues.
Gjatë situatave të vështira ekonomike vlerësohet se treguesi i madhësisë së qeverisë, treguesi i lirisë monetare apo fiskale, mund të jenë përkohësisht nën një presion jo pozitiv, nëse i analizojmë thjesht në këndvështrimin e indeksit të lirisë ekonomike.
Gjate kësaj krize shumë vende rritën ndërhyrjen e shtetit në ekonomi, rriten deficitet, rritën borxhet publike duke rritur kështu ndërhyrjen e qeverisë në ekonomi dhe duke përkeqësuar disa elemente të lirisë ekonomike.
Ka tregues të cilët edhe pse mund të kenë nivel të lartë të lirisë së tyre specifike nuk shprehin të njëjtën gjë në terma realë, ndaj nuk mund të krenohesh me ta.
Kështu, shtetet skandinave që realizojnë kohezion dhe mbrojtje sociale të lartë, e kanë lirinë fiskale të ulët, “shume më të keqe se liria fiskale“ e Shqipërisë. Në këto vende niveli i ulët i lirisë së taksave atje është mbështetësi i financimit të cilësisë së lartë të funksioneve dhe shërbimeve publike, ndaj pagueshmëria e taksave është e lartë, ekonomia informale është e ulët.
Njëkohësisht, këto vende kane afër nivelit maksimal të lirisë ekonomike treguesit që duhen konsideruar të qenësishëm dhe përcaktues në themelet e lirisë ekonomike siç janë liria e pronës, korrupsioni dhe funksionimi i shtetit ligjor.
Ndërsa Shqipëria në indeksin e lirisë ekonomike, liria e pronës, liria nga korrupsioni dhe indeksi i funksionimit të shtetit ligjor janë në nivele shume të ulta, shume afër niveleve shqetësuese të vendeve jo demokratike.
Prona është jetike në çdo vend. Liria e pronës duhet të jetë në nivele maksimale të mundshme, duhet të jetë në nivele të garantuara. Mospërmirësimi i këtij indeksi është një nga pikat më të dobëta të lirisë ekonomike, që pengon investimin dhe që mund të shndërrohet një pengesë reale apo në një kosto në rritje për çdo investitor.
Një tregues tjetër që ecën shumë ngadalë në përmirësimin e tij është liria nga korrupsioni. Ky tregues ndikon jo pak ambientin e biznesit dhe investimet në ekonomi. Ai ndikon në cilësinë e investimeve për shkak të përzgjedhjes së tyre mbi influenca të korrupsionit apo të kapjes së shtetit.
Arritjet në përmirësimin e vlerësimeve ndërkombëtare të vendit tonë nuk mund të jenë një trajtim bardhë e zi apo mbi pozicione thjesht partiake.
Pa rritjen e lirisë së pronës, pa qartësuar pronësinë, pa u njohur pronarëve të drejtën e pronës, ne do të vazhdojmë të kemi akoma pengesa të konsiderueshme për ambientin e biznesit në vendin tone. Liria e pronës kërkohet të jetë një prioritet i cili nuk mund të fshihet pas përmirësimit të nivelit mesatar të lirisë ekonomike.
Reformat ligjore dhe institucionale për pronësinë në vendin tonë, shpesh janë mbingarkuar politikisht, jo në pak raste janë rifilluar nga e para sa herë që vendi ka pasur rotacione politike. Në disa raste ndryshimet e shpeshta ligjore, dhënia e statusit të arbitrit jo gjyqësorit, por strukturave administrative të qeverisë, jo vetëm nuk e ka zgjidhur problemin, por ka sjellë rritje të pasigurisë, hapësira më të mëdha për vendimmarrje subjektive të influencuara politikisht.
Reformat të cilat cenohen në thelbin e tyre nga iniciativa spontane qeveritare, kanë penguar trajtimin në thelb të sfidave të lirisë së pronës.
Me të njëjtin shqetësim duhet parë edhe sfida e luftës kundër korrupsionit. Përmirësimi i tij është i ngadaltë, ai rezulton i ndryshëm në indekse të ndryshme ndërkombëtare, duke qartësuar mungesën e suksesit në këtë sfidë dhe prioritet e vendit.
Nëse ne do të arrijmë të përballojmë në themel sfidën e lirisë së pronës dhe lirisë nga korrupsioni, ne se do ti garantojmë ato me funksionimin e shtetit ligjore, liria jone ekonomike mund të kthehet një e mirë publike që sjell efekte pozitive reale dhe të qëndrueshme në ekonominë e vendit.