E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti / "Prindërit shqiptarë. indiferent ndaj shkollës"

Shkolla është e fokusuar në edukimin e fëmijëve dhe jo në përgatitjen e tyre si qytetarë të ardhshëm


Prindërit janë më të shqetësuar për notat e fëmijëve dhe jo për zhvillimin e përgjithshëm të tyre


"Prindërit shqiptarë janë indiferentë ndaj institucionit që mëson fëmijët e tyre" - është përfundimi i "Terre des homes", një organizatë jofitimprurëse europiane që mbron të drejtat e fëmijëve.


Në bashkëpunim me Qendrën e Zhvillimit Njerëzor, kjo organizatë ka zhvilluar një seminar trajnues me 61 drejtorë shkollash me temë "Forcimi i bashkëpunimit mes prindërve dhe shkollës" dhe "Mbi promovimin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Gjatë këtij seminari, çështjet më të nxehta që u konstatuan nga "Terre des homes" kishin të bënin me bashkëpunimin e dy institucioneve më të rëndësishme që merren me formimin e fëmijëve: familja dhe shkolla.


Kështu u konstatua se familja shqiptare është një strukturë më pak e organizuar dhe e përpunuar në krahasim me institucionin e shkollës. Në këtë tablo, prindërit luajnë një rol kryesor në edukimin e fëmijëve të tyre (pa marrë parasysh këtu nivelin e tyre të arsimit), por raporti vëren se ata braktisin disa nga përgjegjësitë e tyre për shkollën, pa kontribuar në mënyrë aktive në drejtim të edukimit të fëmijëve të tyre dhe të mbrojtjes, kur fëmijët e tyre janë në mjedisin shkollor.


Një pjesë të përgjegjësisë për këtë situatë e ka edhe stafi i shkollës, i cili nuk i fton prindërit ose, së paku, nuk i merr në konsideratë pikëpamjet e tyre kur hartojnë planet mësimore dhe programet për fëmijët. Po kështu, raporti vëren se shkolla është shumë e fokusuar në edukimin e fëmijëve në vetvete dhe jo në përgatitjen e tyre si qytetarë të ardhmen e shoqërisë.


Ndërsa prindërit janë më të shqetësuar për notat e fëmijëve dhe jo për zhvillimin e përgjithshëm të vlerave njerëzore dhe sociale të fëmijëve të tyre.
Një tjetër problem është përqendrimi i kompetencave të gjithë shkollës në dorën e drejtorit.


Kjo bën që personeli, prindërit, madje dhe vetë fëmijët të jenë më pak aktivë në këtë drejtim. Sa i takon parimeve të përfshirjes, transparencës ndaj fëmijëve konsensusit, respektit të ndërsjellë, qasjes së të barabartë, përkrahjes dhe jodiskriminimit këto janë elementë që, sipas TDH, nuk zbatohen gjithmonë.


Kjo organizatë propozon që shkollat në vendin tonë duhet të përdorin më shumë metoda dhe modele të përfshirjes së prindërve, madje dhe fëmijëve në çështjet e shkollës. Si për shembull, organizimi, konsultimi, madje edhe implementimin e avokatit. Kanë qenë vetë drejtorët e shkollave ata që kanë evidentuar nivelin e ulët të pjesëmarrjes së prindërve në problemet e shkollave.

Për më tepër, drejtorët e shkollave konstatojnë se disa nga shkaqet që kanë të bëjnë me nivelin e ulët të përfshirjes së prindërve në aktivitetet shkollore të ndryshme, në përgjithësi, dhe çështjet e mbrojtjes së fëmijëve në shkollë, në veçanti përmblidhen si më poshtë: Këshilli i prindërve është një koncept i ri dhe të panjohur për shumicën e prindërve, të cilët ende mbështeten në mentalitetin e vjetër dhe se sistemi shkollor është përgjegjës për ofrimin e çdo gjëje në lidhje me nevojat e arsimit dhe mbrojtjen e fëmijëve. Koncepti i bashkëpunimit nuk është kuptuar mirë nga të dy palët, shkolla dhe komuniteti i prindërve kjo për shkak të mungesës së rregullave të qarta.


Kështu, TDH rekomandon krijimin e këshillave të prindërve, me qëllim kryerjen ë punëve vullnetare. Një aktivitet ky që prindërit shpesh e refuzojnë me pretendimin se kanë detyrime të tjera për t'iu përgjigjur nevojave të shkollës dhe problemeve.


"Sot në shkollat shqiptare takimet me prindërit janë shpesh sporadike dhe jo shumë të mirorganizuar. Nuk ka data fikse mujore për këto takime, të cilat shpesh kanë tendencë të shkojnë më për një kohë të gjatë.


Mësuesit i zhvillojnë këto takime pa një format të veçantë që iu jep prindërve mundësinë për të marrë pjesë rregullisht. Gjithashtu, mungojmë takimet individuale më prindërit", - thuhet në raport.


Kush ka aplikuar për herë të parë do të mësojë në 15 janar, nëse ka fituar një bursë

Qeveria rrit kotat e bursave për studentët

Këshilli i ministrave ka vendosur dje që të reduktojë numrin e bursave për nxënësit dhe të rrisë numrin e bursave për studentët. Sipas vendimit të djeshëm të Këshillit të Ministrave, ndihmën ekonomikë për vitin 2010-2011 do ta përfitojnë 1500 nxënës, të cilët janë në vitin e parë të shkollave të mesme.


Ndërsa për ata studentë që gjatë 2010-2011 frekuentojnë vitin e parë të fakultetit qeveria ka miratuar 1920 bursa. Ky vendim hedh poshtë vendimin e tre muajve më parë kur po e njëjta qeveri vendosi që për këtë vit të përfitonin bursa 3200 nxënës dhe studentë.


Përkatësish 1600 bursa për nxënësit e shkollave të mesme dhe 1600 për studentët. Në këtë mënyrë vendimi i djeshëm i qeverisë ka ulur me 100 numrin e përfituesve të bursave në sistemin arsimor parauniversitar dhe ka shtuar me 320 numrin e përfituesve të ndihmës në universitet.


Ndërkohë që në shkolla dhe fakultete ka mbaruar procesi i dorëzimit të dokumenteve për përfitimin e bursës MASH njofton se "Afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave për vitet e para është data 15 janar 2011, për të gjitha kategoritë e shkollave, ndërsa për vitet e dyta e lart është data 15 nëntor 2010."


Kategoritë që përfitojnë bursa


Këtë mbështetje financiare mund ta përfitojnë ata studentë dhe nxënës që vijnë nga familjet në nevojë, si dhe ata që kanë përfituar statusin e jetimit. Po kështu, mund të përfitojnë nga ky vendimi i qeverisë edhe nxënësit, të cilët kanë humbur kujdestarinë prindërore, nxënësit me statusin e invalidit, paraplegjikut dhe tetraplegjikut, si dhe nxënësit e familjeve të punonjësve të policisë, shërbimit informativ dhe forcave të armatosura që kanë humbur jetën për shkak të detyrës.


Ashtu si edhe vitin e kaluar do të përfitojnë bursë ata nxënës që do të vazhdojnë studimet larg vendbanimit të tyre në largësinë mbi 5 km, duke plotësuar kriterin ekonomik.


Bursa do të përfitojnë edhe nxënësit konviktorë që vijnë nga zonat juglindore dhe verilindore të vendit, për rrethet Tiranë, Përmet, Pogradec, Skrapar, Tepelenë, Librazhd, Gramsh, Kolonjë, Tropojë, Has, Pukë, Kukës, Dibër, Bulqizë, Mat, Mirditë, Malësi e Madhe dhe që janë regjistruar në shkollat e mesme profesionale për vitin shkollor 2010-2011.


Bursë përfitojnë edhe ata studentë që vazhdojnë studimet në degët Matematikë dhe Fizikë, dhe që pas përfundimit të plotë të kursit të parë të vitit paraardhës kanë arritur një notë mesatare mbi 8-të. U jepet bursë edhe 25 nxënësve me rezultate më të mira në provimet e Maturës Shtetërore, shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.


 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›