E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Jo dhunë, KQZ të veprojë sipas ligjit

Deklarata e ndihmës-sekretarit amerikan të shtetit Philip Gordon. Ambasada paralajmëron qytetarët amerikanë të kenë kujdes nga protestat

Zyrtarët e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit i bënë dje thirrje klasës politike në Shqipëri të mundësojë bashkëpunimin konstruktiv. Shtetet e Bashkuara kërkuan ndaljen e retorikës dhe nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve funksionim transparent në përputhje me ligjin. Qëndrimi është bërë i ditur në një deklaratë të nxjerrë nga ndihmës-sekretari i Shtetit, Philip Gordon. Në deklaratën e tij ai thekson se, Shtetet e Bashkuara e kanë ndjekur nga afër situatën në Shqipëri që nga zgjedhjet e 8 majit. Gordon nënvizon se dhuna dhe retorika që kërcënon për dhunë, ose nënkupton akte dhune, nuk është me vend dhe përbën kërcënim për të ardhmen e Shqipërisë. Ndihmës-sekretari Gordon nënvizon rëndësinë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të kryejë funksionin e tij në mënyrë konsistente dhe transparente, në përputhje të plotë me ligjin, për të krijuar besim te popullata dhe për të garantuar integritetin e mandatit të këtij institucioni. “Politikanët shqiptarë duhet të përqendrohen në shkëmbime konstruktive, në vepra që i shërbejnë një vendi me një të ardhme në Bashkimin Europian dhe jo tek retorika apo veprimet negative, që vetëm e denigrojnë këtë proces”, shkruan më tej Gordon në letrën e tij. Gordon shprehet se populli shqiptar meriton një demokraci të qëndrueshme dhe të begatë, bazuar në vlerat universale dhe shtetin ligjor. Sakaq, ambasada e SHBA-ve në Tiranë lëshoi dje një mesazh paralajmërimi për qytetarët amerikan që ndodhen në Shqipëri. “Media raporton se mund të ketë disa protesta dhe bllokime rrugës nëpër Shqipëri. Këto pasojnë paralajmërimin e bërë më 18 maj nga Partia Socialiste, e cila ftoi qytetarët në demostrata në Tiranë dhe qytete të tjera nëpër vend. Referuar raportimeve të shtypit, janë bllokuar disa akse rrugore si Golem-Kavajë, ura e Milotit, Ura e Mifolit në afërsi të Vlorës dhe mbikalimet në Shkozet të Durrësit, ashtu sikurse rruga Elbasan-Gramsh”, thuhet në njoftimin e ambasadës. Më tutje, qytetarët amerikanë informohen se media ka njoftuar për protesta të opozitës në qytetin e Fierit, në bulevardin kryesor dhe më tej. “Media thotë se në disa raste janë përdorur goma për të bllokuar rrugët dhe atyre u është vënë flaka. Më 19 maj, një turmë manifestuesish protestoi rreth Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe në afërsi të Stadiumit ‘Qemal Stafa’. Demonstratat e mëparshme kanë çuar edhe në bllokimin e akseve hyrëse në qytet”, thotë njoftimi. Ambasada kujton se demonstrata të mëdha dhe paqësore janë bërë në të shkuarën, por se ajo e mbajtur më 21 janar të këtij viti rezultoi e dhunshme dhe pati katër të vdekur e shumë të plagosur, përfshirë forcat e policisë. “Në javët e shkuara, policia dhe media informoi për akte sporadike dhune. U kujtojmë qytetarëve amerikanë se edhe demonstratat që nisin paqësisht mund të kthehen në të dhunshme. Ju duhet t’i evitoni ato, sa të jetë e mundur. Demonstratat në një qytet, por të pasohen në demonstrata edhe në qytete të tjera në gjithë vendin. Jeni të kujdesshëm për të dëgjuar edhe mediat lidhur me vendet ku bëhen demonstrata”, thekson njoftimi. SHBA u kërkon qytetarëve të saj të jetë të kujdesshëm dhe vigjilent në çdo moment kur ndodhen në ambientet publike. D.Malaj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›