E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti: Shqiptarët, më të diskriminuarit në rajon në lehtësimin e vizave

Nga Armand Maho

Me gjithë ratifikimin e Marrëveshjes për Lehtësimin e Vizave, sërish shqiptarët mbeten më të diskriminuarit e rajonit, në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Lëvizja Evropiane në Shqipëri (EMA), ka nxjerrë dje raportin pas një hulumtimi 11-mujor se si zbatohet Marrëveshja e Lehtësimit të Vizave në Shqipëri. Në përfundim ka rezultuar se shqiptarët vazhdojnë të jenë më të refuzuarit në rajon për këtë çështje. “Dokumenti që hyri në fuqi më 1 janar 2008 synon kryesisht lehtësimin e procedurave të pajisjes me vizë për qytetarët shqiptarë, heqjen e tarifës së vizës për kategori të veçanta aplikantësh dhe ruajtjen e saj në kuotën 35 Euro për qytetarët e tjerë. Megjithëse pritej të sillte ndryshime në procedurat e pajisjes me vizë për shtetasit shqiptarë, këto procedura vazhdojnë të jenë të komplikuara dhe të paharmonizuara ndërmjet konsullatave të ndryshme Schengen”, - thuhet në fillim të e të raportit të EMA.

Sipas raportit, në vitin 2007 në 23 për qind të tyre shqiptarët janë refuzuar në marrjen e vizave nga vendet e Schengen -it, ndërkohë që për vitin 2008, kjo shifër ka shkuar në 26 për qind, në raport me 14 për qind që është mesatarja në vendet e rajonit. “Sipas shifrave zyrtare, refuzimi i vizave Schengen ndaj qytetarëve shqiptarë ka qenë mesatarisht 23% në vitin 2007. Marrëveshja e Lehtësimit të Vizave ka sjellë një impakt pozitiv te qytetarët që i përkasin të paktën njërës prej kategorive që përfitojnë nga regjimi i lehtësuar i vizave. Kjo kategori refuzohet 21%, ndërsa aplikantët që nuk i përkasin asnjërës prej kategorive të Marrëveshjes refuzohen 30%. Megjithatë, shkalla e refuzimit të Shqipërisë vazhdon të mbetet rreth 26%, ndërkohë që mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është rreth 14%”, - thotë raporti.

Gjithashtu, në raport thuhet se kostoja e aplikimit për vizë për shtetasit shqiptarë, pra që nga tarifa që paguhet dhe bashkë me plotësimin e dokumentacionit shkon në 9 mijë lekë të reja, çka konsiderohet si një shifër shumë e lartë, gjë që nga ana e EMA konsiderohet si tepër e kushtueshme për një nga vendet, i cili sërish mbetet nga më të varfrit në Evropë. “Mënyra dhe kohëzgjatja e lënies së një takimi për intervistë, oraret e ndryshme të aplikimit për vizë, konvertimi i ndryshëm i tarifës së vizës prej 35 Eurosh që sanksionon Marrëveshja, apo marrja e vendimit për dhënien ose jo të vizës vazhdojnë të mbeten problematika të paharmonizuara ndërmjet konsullatave Schengen.

Kostot e aplikimit për vizë të një qytetari shqiptar shkojnë në rreth 9000 lekë, çka e bën një vizë Schengen tepër të kushtueshme. Kjo kosto përfshin tarifën e vizës dhe një listë dokumentesh në mbështetje të aplikimit për vizë”, - shprehet raporti.

Refuzimi i vizave

Shqipëri 26%

Serbi 13%

Maqedoni 11%

Mali i Zi 6%

B&H 4%

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›