E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autokracia dypartiake

Nga Besnik Manushi

Në Shqipëri po ndodh një fenomen që ende nuk ka një emër. Dy parti të mëdha, njëra majtas, tjetra djathtas spektrit politik, kanë vendosur të bien dakord për çdo gjë.

Mund të biesh dakord për shumë gjëra në një vend si Shqipëria, për shembull që të implementojmë ligje, të cilat përafrohen me ato evropianë në të mirë të aderimit të shpejtë në BE, të biem dakord në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore për t’i ardhur në ndihmë popullsisë së prekur. Por nuk mund të biem dakord që të mbyllim hallet tona gjatë një shpërthimi si ai i Gërdecit, nuk mund të biem dakord që të përfitojmë prej pushtetit, por mund edhe të biem dakord për të gjitha e të krijojmë një precedent për diçka që nuk ndodh kurrë në një qytetërim shumëpartiak.

Në fakt, vlera shumëpartiake ndan liberalen nga autokracia. Sistemet autokratike njihen si sisteme njëpartiake, por besa në Shqipëri ndodhi që në një sistem të shumëpartiak të kemi autokraci. Dy parti bëhen një për të imponuar te të gjithë atë që është vetëm në interes të tyre. Kjo do të thotë që ato të dyja përfaqësojnë pozitën dhe grevistët opozitën (sado e vogël), ose që ne nuk kemi më opozitë, por vetëm një pushtet dypartiak, i cili shndërrohet shumë shpejt në një autokraci të pakufizuar.

Ilir Meta deklaroi se nuk do të tërhiqej, ndërsa deputetë të tjerë thanë se vendi është zaptuar. Në të vërtetë opozita (e vogël) sot ka karakterin e një force të papërgatitur ndaj asaj që ndodhi dhe tashmë ndodhet emocionalisht shumë e paaftë për të ndryshuar gjë. Kjo do të thotë që deri në zgjedhje ne kemi një zgjidhje të vetme, që sa herë që kryetari i opozitës t’i bjerë telefonit të atij të pozitës, të bien dakord për gjithçka. Nëse ata vendosin që mediat të mbyllen dhe LSI hyn në grevë urie, nuk do të ndodhë asgjë, veçse mediat do të mbyllen dhe disa opozitarë dalin nga greva e urisë. Nëse ata vendosin që shqiptarët kanë qenë më të lirë se sa duhet, këtë herë madje LSI nuk hyn fare më në grevë urie, sepse, ose kjo ka ndodhur afër me të parën dhe nuk kanë njerëz ta përballojnë, ose, sepse nuk ia vlen më, sepse kjo do bëhet. Nëse vendoset që ne do taksohemi më shumë, se vendi është në borxhe sa më s’ka prej asaj urës apo asaj rrugës, atëherë shqiptarët kanë dy shpresa, ose që Albtelekomi të ketë falimentuar, ose që njëri prej të dy kryetarëve të ketë humbur celularin, por dhe kjo nuk është se është ndonjë gjë që i ndryshon shumë gjërat, dhe pse të dëshpëruarit përgjithësisht shpresojnë për çdo gjë.

Pra, Shqipëria ka prodhuar një rrymë të re politike, e cila për mua nuk gjen emër më të mirë se autokraci dypartiake. Ajo funksionon si një sistem i vetëplotësuar, i cili nuk ka nevojë për opozitë. Opozita e vërtetë është vërtetuar si pozitë-pritëse gjysmëzyrtare. Në Shqipëri ky perifrazim tejkalohet duke kaluar në një opozitë në pushtet dhe zyrtarisht në pozitë, kjo jo nëpërmjet pushtetit qendror, por nëpërmjet atij lokal. Të dy partitë janë opozitare të njëra-tjetrës, që do t’i quaja dy parti në pushtet ose dy pozita në opozitë me njëra-tjetrën. Për këtë arsye ato ndajnë dhe delegojnë pushtete proporcionalisht të njëjta, obeziteti i të cilave po lë pasoja në konstituimin e sistemit të ri politik në Shqipëri. Mbase kjo nuk zgjat dhe gjërat do t’i kthehen rrjedhës normale, në të kundërt ne kemi një opozitë të vogël, të cilën pushteti e legjitimon për të hedhur një dritës liberalizmi dhe demokracie të zgjeruar. Në përgjithësi sistemet autoritare krijojnë grupe opozitare për të dhënë përshtypjen e një debati demokratik, siç është rasti i LSI. Për vende të vogla si Shqipëria grupet e interesit nuk janë shumë të mëdha, madje do thoja se ato shkojnë jo më shumë se një formë klanore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›