Lek Pervizi: Plagët e internimeve në ferrin komunist
Z. Lek Pervizi është një ndër intelektualët e shquar të kombit, që provoi ferrin komunist, kalvarin e vuajtjeve, si i burgosur, internuar, me 16 viktima në familjen e tij, varret e te cilëve akoma nuk dihen, përveçse të nënës dhe të vëllait të tij, Gencit.
Janë mijëra viktima të pafajshme që pësuan këtë fat tragjik!
Kultura e tij e gjerë, por mbi të gjitha një bashkëshort shembullor, bën që të gjejë dhe çastet romantike në internim me gruan e tij Beben, emër që ia pagëzuan të internuarit, pasi ishte fëmija i paktë që i shpëtoi vdekjes në kampin e internimit.
… Bebes i kërkuan që të plotësonte një formular ku pranonte me shkue me t'amën e vllaznit në Mal të Zi. Ajo e mori formularin dhe e grisi para syve të çuditun të oficerit të degës duke i thënë: “E kam zgjedhur fatin tim, do të rri me Lekën”.
Sot në moshën 79 vjeçare ai jeton i lirë, dhe bën një jetë aktive në Bruksel. Eshtë botuesi i revistës “Kuq e Zi” ku për 15 vjet rresht në këtë revistë janë pasqyruar ngjarjet më të rëndësishme të kombit, figurat e shquara të letërsisë dhe artit!
Ju keni jetuar ferrin komunist, cili ishte shkaku i dënimit dhe për sa kohë ndenjët në burg dhe të internuar?
Shkaku kryesor i dënimeve që më përfshinë me gjithë familjen e fisin, ishte babai im gjeneral Prenk Pervizi, i cili, sa ishte në Shqipëri i ishte kundërvënë regjimit komunist deri me 1946, kur u arratis jashtë shtetit. Si rrjedhim filloi persekutimi, i cili
nisi me djegien e shtëpive në Laç e në Skuraj, si në kohën e mesjetës, katër kulla gjithsej, që ishin djegur dhe dy herë të tjera prej taborëve turke, bombarduar prej gjermanëve e që së fundi më 1944-1945 u dogjën nga hordhitë barbare komuniste të ashtuquajtura “çlirimtare”, që nuk lanë gjë pa bërë mbi popullin e tyre, më keq se një ushtri e huaj pushtuese. Emërtimi “çlirimtar” ishte një gënjeshtër e madhe, që servirej për të mashtruar vendin e popullin.
Na konfiskuan pronat e grabitën pasuritë, bashkë me një shtëpi tjetër në Tiranë, te blloku, rruga Vaso Pasha 19, që akoma nuk na është kthyer. Na dëbuan nga shtëpia, në të cilën këshilli popullor futi disa partizanë që akoma e pushtojnë atë. Banesa ishte konfiskuar me dekret qeveritar e me dekret duhej të kthehej, por kjo nuk u bë, dhe kemi 15 vjet me gjyqe pa kuptim. U internuam, së pari mami e gjyshja. Vëllai i madh Valentini, oficer akademist, ishte arrestuar e burgosur që më dhjetor 1944 në Shkodër, edhe vëllai i dytë Genci, aviator, ishte dënuar 10 vjet. Unë si më i vogli shpëtova 5 vjetët e parë e pastaj më 1950, përfundova drejt e në kalanë mesjetare të Porto Palermos, me gjithë vëllanë Valentin. Aty na pllakosën në guvat mesjetare të kalasë ku do të kishim lënë kockat bashkë me shumë të tjerë. Flinim mbi shtresën prej kalldrëmi gjithë lagështirë. Kthinat ngjanin si shpella ciklopësh. Ushqimi ishte për faqe të zezë dhe i pamjaftueshëm. Buka e qullosur. Filluan sëmundjet; kryesisht dizanteria. U bë sebep një nëndetëse greke që qarkulloi aty së pari, e një barkë transporti italiane që u kap, që na hoqën e na çuan në Tepelenë.
Internimet në Shqipëri nisën që më 1945, fillimisht në Berat, për familjet veriore dhe në Krujë për familjet jugore. Por u hap një fjalë se po i grumbullonin për t’i degdisur në Siberi, sipas planit sovjetiko-shqiptar. A e vërtetë apo thashetheme, të internuarve ju hyri frika. Në vend të Siberisë më 1948 u krijua kampi famëkeq i Tepelenës, ku u mbyllën në rrethim me tela me gjemba për gjashtë vjet me mijëra qenie njerëzore shqiptarë të pafajshëm, pleq e plaka, burra e gra, nëna me fëmijë djepi, ku pati edhe lindje. Në atë kamp mizor vdiqën shumë fëmijë (33 fëmijë vdiqën vetëm në një natë) e pleq. Ajo gjendje nuk kurseu as burra as gra. Të aftit për punë, i nënshtroheshin mundimeve skllavërore. Aty vdiq gjyshja 90 vjeçe, dy kushërinj e dy kushërira me fëmijët e tyre, për sa i përket rrethit tonë familjar e fisnor. Sigurisht se edhe familje të tjera i humbën të dashurit e tyre në ato kondita shtazarake. Më e keqja makabër ishte se të vdekurve ua ndërruan tri herë varret, kastile për të humbur gjurmët e varrezave të shumta që kishin mbuluar vendin rreth kampit. Atyre varreve nuk u gjendet më gjurma. Në ato kushte skëterr më erdhi frymëzimi për të përshkruar tmerrin që po përjetonin ato mijëra viktima të pafajshme. Kisha bërë edhe disa vizatime. Por, nga një kontroll i rreptë që do bëhej (më njoftoi një njeri besnik) u detyrova t’i djeg të tëra. Në fakt i mori nëna ime dhe i dogji në zjarret që ndiznin gratë për larjen e rrobave të fëmijëve. Në disa raste ato zjarre shkaktuan plasjen e bombave të luftës italo-greke të mbetura nën dhe, dhe pati të internuar që u vranë. Edhe kjo një pasojë e atij kampi. Prej asaj dite fillova t’i ngulis vargjet në mendje. Për t’u stërvitur e mos humbur aftësinë e vargut poetik, u mora me përkthimin e Ferrit të Dantes, nga një libër i “Komedisë Hyjnore” që ma dha një oficer italian i iternuar aty me ne. Ishte dhe një anë justifikuese po të kërkonin se ç’shkruaja. Dante studiohej në shkollat shqiptare, pra njihej. Letra nuk ekzistonte, dhe unë mblidhja letrat e kaushëve të duhanit të pleqve, te cilët i ruanin kastile për mua. Pasi mësoja vjershat e mija përmendsh letrat i digjja. Kështu munda me ruajt përmendsh mjaft poezi. Pata mbledhë edhe vjersha rapsodike të krijuara nga vetë të internuarit, të cilat kam arritë t’i rindërtoj e t’i botoj në një vëllim “Lahutari Shqiptar”.
Cilat janë disa nga poezitë, krijimet dhe pikturat tuaja që u krijuan gjatë kohës së izolimit, dhe si u bë e mundur ruajtja e tyre?
Poezitë arrita t’i radhis e t’i rindërtoj kur fitova lirinë në Belgjikë, në saj të kujtesës së fortë që më ka karakterizuar gjithë jetën. Poezinë e parë e kam krijuar përmendsh në një birucë të burgut të vjetër ku më kishin izoluar në maj 1950, ku u arrestova.
Ajo poezi mban titullin, “Tinguj të Kobshëm”, e fillon me vargjet: Pushuen tashma kangët e rinisë…/shpejt filloi në zemrën time brenga - tinguj të kobshëm të nxjerrë prej lahutës…
Kjo poezi qëndron në ballë të librit, si një “prelud” ndaj tragjedisë së mëtejshme që do të shtjellohej në librin e poezive me titullin: “Ankimi i Zanave”. E përdora këtë titull sipas traditës së këngëve legjendare shqiptare, ku zanat marrin pjesë në trimëritë e vuajtjet e heronjve të tyre, ju këndojnë trimëritë, por edhe qajnë për vuajtjet e vdekjen e tyre.
Më 1954 kampi i Tepelenës u mbyll, nga presioni ndërkombëtar, dhe u krijuan kampet e punës së detyruar, në fushat e Myzeqesë, ku të internuarit u kthyen në bujk-robër. Por disa prej nesh u izoluan përsëri, në kampin e të burgosurve në Shtyllaz, duke hapur një kanal faraonik. E prej aty na degdisën në Kuç të Kurveleshit të Vlorës deri më 1958 në izolim total. Nuk ishim shumë, nja 100 vetë, por prej tyre 70-të ishin intelektualë me tituj të lartë, që i kishin shpëtuar ekzekutimit, e shumta shkodranë, ish- ministra, diplomatë, profesorë, muzikantë, piktorë, fetarë, inxhinierë, shkrimtarë, poetë, gazetarë, oficerë madhorë, agronomë, juristë, gjuhëtarë, përkthyes, etj, të cilët i kishin kryer studimet në shkolla e universitete evropiane. Pra një elitë e terë e aftë me drejtu Akademi e Universitete. Kështu kampi i Kuçit pati fatin të kthehet në një universitet dhe akademi e katakombeve, me një elitë të tillë të zgjedhur intelektualësh të lartë, si: Kardinal Mikel Koliqi, Dr. Ali Erebara, Dr. Mykerrem Janina, Prof. Ali Cungu, Prof. Guljelm Deda, Dr. Izedin Beshiraj, shkrimari Dr. Mitat Araniti, oficerët akademistë Lin Deda, Luigj Berisha, Isa Kokalari, Ded Jakova, Valentin Pervizi, Zef Pali, vëllezërit juristë Baldasar e Zef Benusi, Dr. Sabri Quku, Prof. Dr. Lazer Radi, agronomët Kadri Borshi, Faik Selenica, Jakov Milaj. Inxh. Estref Frashëri, Dr. Ibrahim Sokoli, Dr. Mark Temali, Dr.Sami Hysi, Dr.Mihal Sherko, Dr. Nedim Kokona, ish- ministri i arsimit Zef Shiroka – (vëllai i doktor Shirokës), diplomatët ambasadorë Pandeli Nase e Remzi Çela, Dr.Dilaver Tartari, gazetari Fiqri Llagami, Dr.Karlo Çoba, etj. etj.
I përmenda gjithë këto emra, për të treguar, se si diktatura, pasi i kishte pushkatuar shumicën e intelektualëve, ata që mbetën i degdisi burgjeve e kampeve për t’i shuar fare. Në këto kondita ne të rinjtë përfitonim nga dituritë e këtyre figurave të shquara të kulturës shqiptare. Të rinjtë me të cilët ndaja shoqërinë në atë kamp ishin Fatbardh Kupi, Viktor e Ernest Dosti, Musa e Tomorr Maçi, Tomorr Dine, Thabit Rusi, Ylber Starova, etj.
Unë vazhdoja me poezitë e mia, gjithmonë me metodën e fiksimit të tyre në memorie. Këtu pata vizatuar disa portrete të atyre personaliteteve, skica në letra dosido, prej të cilëve me kanë shpëtuar disa, nja 10-15 copë. Është gruaja ime që ka meritën për shpëtimin e tyre. Ajo pothuajse lindi në internim, ku përfundoi me t’amën që në moshën e njomë katër muajshe më 1948, prej t’atit të arratisur jashtë shtetit, Nikoll Malaj nga Vermoshi.
Përjetoi gjashtë vjet të Tepelenës, e shpëtoi kot nga shfarosja e fëmijëve, dhe i ngeli emri Beba, si një bebe që kishte shpëtuar dhe në atë konfuzion mortor i ishte ngatërruar edhe emri. Ajo quhet Xhuliana, por gjithë të internuarit e shoqëria e njohin për Beba. Me këtë emër ajo u bë legjenda e kampeve.
Cilët miq dhe bashkëvuajtësit tuaj kanë qenë më pranë jush në kohën e burgut dhe të internimit dhe a komunikonit me ta për pikëpamjet tuaja?
Për kohën e vuajtjeve, miqtë e dashamirët ishin pothuaj të gjithë të dënuarit. Por meqë pyetja kërkon një përgjigje konkrete, mund të them, se një ndër bashkëvuajtësit mik e shkuar mikut, ka qenë prof. Guljelm Deda, që ne e thirrnim Lemi. Ky intelektual i lartë arriti të përkthejë në kondita aq të vështira të internimit, kryeveprën epiko heroike kalorsiake “Orlando Furioso” (Orlandi i çmendur) të poetit të madh italian Lodoviko Ariosto prej 40 vargjesh me rimë, në 17 vjet punë të kurajshme. Ishte një punë për të mbajtë të gjallë aftësinë e tij prej letrari e intelektuali të shquar. Një punë prej murgu. Ai konsultohej me mua, që megjithëse i ri, kisha lexuar të gjitha poemat e asaj kohe të Rilindjes së hershme italiane, me Dante, Petrarka, Bocaçio, Ariosto, Tasso, Bojardo, Pulci, etj. Kështu që kisha një përvojë të fortë mbi letërsinë e gjuhën italiane, edhe atë të vjetrën. Lemi kishte kaluar 45 vjet dënim ndër burgje e kampe internimi, prej të cilëve 10 vjet bashkë me ne. Miqësi të ngushtë kisha edhe me Mitat Aranitin, shkrimtar e gjuhëtar, përkthyes në shumë gjuhë, me një kulture poliedrike. Pastaj dua të përmend prof. Lazër Radin me të cilin kisha punuar gati 20 vjet si marangoz e dizenjator, si edhe Ibrahim Sokolin, Dom Mikel Koliqi, Dom Nikoll Mazrreku, Ali Erebara, Ali Cungu. Patjetër se komunikonim mes nesh lirshëm, sa që zhvillonim edhe biseda pa asnjë rezervë, që quheshin të rrezikshme. Ishte një shoqëri e fortë dhe e vendosur ku njerëzit ruanin cilësitë e virtytet më të mira të shqiptarit.
Me këto njerëz ishte kultura që zinte vendin e nderit në çdo bisedë. Sigurisht se për të rinjtë si unë me shokë, ky kontakt me të tillë intelektualë, vlente sa një auditor universitar ose akademik. Një gjë më kujtohet mirë, se e gjithë tema e bisedave ishte se si do të vepronim në lirinë e fituar, kur të na lejohej shprehja e fjalës dhe e mendimit dhe liria e qarkullimit në botën perëndimore. Flisnim për revista e gazeta që do të botonim, si dhe për ekspozitat e pikturave që do të hapnim, për botimin e librave.
Një perspektive në dukje e paarritshme, e supozuar, por që edhe mund të realizohej. Siç e shihni, në ato katakombe vlonte shpirti i qëndresës në forma të ndryshme. Kjo na jepte kurajë me shty ditët, deri sa të arrinte dita e shpëtimit. Kjo e gjitha.
Cilët shkrimtarë disidentë janë për ju shkrimtarë bashkëkohorë dhe a janë vlerësuar ata si duhet nga kritika e letërsisë shqiptare?
Është një pyetje shumë e zorshme. Disidenca në ato kondita të terrorit më t’egër që mund të mendohet, nuk mund të zhvillohej, as mund të guxonte të bënte sikur gjoja zhvillohej.
As edhe një shkrimtar shqiptar nuk mund të pretendojë që të ketë qenë disident apo të jetë i përfolur për i tillë. Të mos harrojmë se si u shpreh shkrimtari arbëresho-argjentinas Sabato, kur erdhi në Shqipëri pas diktaturës: “I urrej ato shkrimtarë që kanë bashkëpunuar me diktaturën.” E kishte fjalën me disa shkrimtarë shqiptarë që e mbanin veten si “disidentë” të padeklaruar, sepse po të deklaroheshin përfundonin, ose u pritej koka ose pllakoseshin në skëterrën e burgjeve e kampeve.
Flitet për disidence pa e kuptuar mirë atë veprimtari që në një regjim totalitar duhej të zhvillohej që të merrte një emërtim të tillë, siç ndodhi me Havelin apo Pastërnakun e Solzhenicinin. Po a kishte mundësi kjo në ato kushte të diktaturës totalitare komuniste shqiptare, ku vetëm me një shikim të diktatorit të shkonte koka për fiq? E, jo ma të merrte formë një disidence sado embrionale? Them embrionale, sepse ajo që quhej vigjilenca e organeve te sigurimit e të partisë ishte aq e organizuar, sa që edhe fluturimi i një mize kontrollohej, e jo ma që dikush të shpaloste shkrime e libra ose te fliste apo llomotiste sipas qejfit e në kundërshtim me vijën e partisë e të qeverisë.
Nuk po përmend emra, por sipas mendimit tim, duhen vlerësuar më tepër ata shkrimtarë dhe artistë, që qëndruan kundërshtarë të regjimit dhe u dënuan. E megjithëse u dënuan, mbajtën një qëndrim të pamposhtur, duke iu kushtuar një krijimtarie të fshehur e mendore, që në rast se zbulohej ose spiunohej, u kushtonte dhe jetën, siç ndodhi me dy poetët e rinj, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka dhe së fundi me poetin Havzi Nela. Ose si Astrit Delvina, që dihej botnisht se shkruante, por jo për lavdinë e partisë e të shokut merhum. Astriti përfundoi edhe në burg. Nga vuajtjet e torturat u sëmur aty. Mori kancerin e vdiq sapo u lirua më 1990. Ku futet ky shkrimtar, a nuk qenka i përshtatshëm që të quhet disident? Aq edhe më mirë të quhet kundërshtar. Ka më nder. Kemi të tjerë si Nikoll Mazrrekun (me të cilin ndava Tepelenën e Lushnjën), i cili ka shkruar libra në gjendje burgu. Dorëshkrimin e tij e nxorën të burgosurit me marifete të pamendueshme, duke rrezikuar edhe jetën e tyre, po të zbuloheshin. Ku janë ato dorëshkrime e pse nuk botohen? A nuk qenka disidencë kjo të krijosh e të shkruash në gjendje burgu e internimi? Dikush më kërkonte të më shpjegonte, se disidente quhen vetëm ata shkrimtarë e intelektualë komunistë, që kundërshtojnë partinë e sistemin e tyre dhe i kundërvihen me vepra shkrimore apo artistike. Po si qenka e mundur që nën diktaturën komuniste në Shqipëri t’i lejohej ky farë lloj disidenti komunist “ndaj partisë e sistemit” që të shkruajë e të botojë vepra që nuk ndjekin vijën e realizmit socialist? Pra kalojmë në një gjendje absurditeti. Kurse të tjerët që u mbyllën në burgje e kampe, duhet të quhen shkrimtarë kundërshtarë. Sepse nuk janë disidentë ndaj partisë e regjimit, por e kundërshtojnë atë e prandaj janë dënuar. Këto janë dokrra që krijohen enkas për të krijuar konfuzion dhe për të nënvleftësuar ata që mbajtën peshën e rëndë të kryqit mbi shpatullat e tyre, njëkohësisht për t’ju njohur ish shkrimtarëve komunistë të drejtën për të çuar përpara letërsinë e kulturën shqiptare, siç po ndodh.
Përfundimisht unë personalisht nuk e kam dalluar as nuk e dalloj një disidencë të mirëfilltë, bile as edhe një pseudodisidencë të meritueshme, me u quajt ashtu. Do t’ishte mirë që vëmendja e kritikëve dhe shkrimtarëve që merren me studimin e letërsisë të përqendrohej mbi këtë kategori shkrimtarësh të dënuar e të masakruar. Kaq kisha me thanë.
Cilët shkrimtarë shqiptarë do të vlerësoni në kohën e diktaturës dhe post diktatoriale?
Që një shkrimtar të vlerësohet duhet që vepra e tij të pasqyrojë anën e mire të shoqërisë, dhe të dënojë anën e keqe të saj. Në kuptimin që të ruajë ato vlera të mirëfillta që shprehin lirinë e mendimit e të fjalës, të veshur me art, të dyja këto në shënjestrën e censurës së një sistemi diktatorial.
Unë nga ana ime mbaj mend (e them për krahasim) kur vazhdoja studimet ne Itali, në Romë, që nën regjimin fashist kishte lindë e zhvillohej një linjë letrare, zëdhënëse e asaj diktature, (siç ndodhi tek ne) që nuk honepsej nga lexuesit, të mësuar me lexu vepra të pa angazhueme me ideologji, ku liria e fjalës dhe e mendimit shprehej nëpërmjet talentit dhe aftësive letrare të shkrimtarëve. Kështu, lexuesi italian, lexonte kryesisht veprat e përkthyera nga vendet e tjera perëndimore, ku përparësi kishin shkrimtarët anglezë e amerikanë, si Kronin, Shteinbek, Lewis, Mitchell, Galsworthy, Walpoole, Mann, etj. E për çudi edhe Shollohovi me Donin e Qetë, disa shkrimarë hungarezë, si Foldi, Zilahy, Kölmendi, Herzog, etj. Gjermanët si Fallada, Rilke, Remarku, etj. Preferoheshin romane, ku stili letrar ishte i përsosur dhe i lidhur me formën e përmbajtjen e lirë. Aq të shpëlarë ishin librat e autorëve konformistë të fashizmit plot lëvdata e propaganda për sistemin, sa që nuk i blinte as i lexonte kush, dhe unë nga ana ime nuk mbaj mend që të kem lexu ndonjë të tillë. Aq neveritës ishin, siç ishin neveritës dengjet e romaneve të epokës së diktaturës, fund e krye propagandë komuniste. Nga ana tjetër propaganda fashiste i ngrinte në qiell si shkrimtarë të mëdhenj (siç ndodhte tek ne në Shqipëri). Tani ato kanë përfunduar në koshin e plehrave e nuk ua di kush as emrin, as përmenden gjëkundi në ndonjë bisedë letrare. U është vënë viza. Nuk vlenin sepse i kishin shërbyer një sistemi diktatorial të urryer.
Tek ne po ndodh e kundërta. Orvaten që me çdo kusht të vlerësohen po ata shkrimtarë e krijues të tjerë ish- komunistë, që veprat e tyre i kanë kthyer në atë propagandë të partisë në fuqi e të diktatorit sundues, me justifikimin se pasqyrojnë atë epokë.
Prandaj një letërsi e kushtëzuar ideologjikisht e në shërbim të një sistemi që ka shtypur e terrorizuar popullin e tij, nuk ka si të marrë kurorën e lavdisë. Unë për veten time nuk mund t’i radhis në radhën e shkrimtarëve të mirëfilltë, që veprat e tyre ua kanë kushtuar subjekteve të lira dhe i kanë trajtuar me aftësi profesionale e me frymëzim të lirë. Shkrimtarët e kohës së diktaturës nuk kanë si të vlerësohen as nuk mund të vlerësohen, përveçse negativisht, si konformistë dhe në shërbim të atij sistemi, si përçues të ideologjisë dhe të parimeve të imponuara të komunizmit. Çdo vepër e tyre ka vepruar si gryka e automatikut që ka vrarë shkrimtarë, poetë, artiste e intelektualë me vlerë shqiptare, vëllezër të tyre. Ajo letërsi mund të quhet letërsia e mohimit, sepse mohoi kryesisht lirinë dhe të drejtat e njeriut. Mohoi popullin e tij dhe gjithë kulturën e mirëfilltë shqiptare.
Tani, pas komunizmit, jemi në një fazë kërkuese, prove, orvajtjesh. Nuk ka dalë akoma shkrimtari i madh që të pasqyrojë epopenë tragjike të një populli të tërë. Aftësia e shkrimtarëve të mëdhenj, është që të pasqyrojnë ato vlera të mëdha të një populli, që në rastin tonë, janë qëndresa vetëmohuese e bijve më të denjë të tij, në luftën e së mirës kundër së keqes, e lirisë dhe e demokracisë kundër diktaturës.
Kthehemi gjithmonë te Iliada e Homerit, te Lufta e Trojës, që mishëron të gjithë luftërat, por që merr kuptimin e paraqitjes së botës së vjetër me gjithë mjedisin e saj e personazhet, që u përjetësuan nga ai poet i madh. Ajo mbetet kryevepra e përhershme e qytetërimit botëror, që frymëzoi e frymëzon të tanë shkrimtarët pasardhës. Por të gjithë shkrimtarët e mëdhenj, janë përfaqësues të kohëve që jetuan. Homeri, Virgjili, Dante, Ariosto, Firdusi, Shekspiri, Omar Kajami, Cervantes, Goethe, Hugo, Balzak, etj. na dhanë epokat e tyre me nivel të lartë artistik. Na dhanë jetën, mendimin, traditat, botëkuptimet, njerëzit e thjeshtë e të shquar, pra botën e tyre shpirtërore e materiale, me të cilën ne njihemi e marrim mësim. Në këtë kontekst edhe Gjergj Fishta quhet poeti i madh kombëtar, pse na dha atë botë shqiptare, shpirtërore, materiale, njerëzore, në nivelin e një epopeje epiko- heroike të një kohë që nuk përsëritet më. Lahuta e Malcisë përbën një fakt unikal, ku u pasqyrua e u vulos bota e traditave, luftërave, zakoneve, dokeve e kanuneve, heroizmi, krenaria, vetëmohimi, trimëria, besa e burrnia, bukuria e karakteri i femrës shqiptare, etj, veti e virtyte që nuk janë më. Na dha personazhe te nivelit heroik si heronjtë e Iliadës. Dolën figura të përmasave homerike, si Oso Kuka, Mic Sokoli, Marash Uci, Ali Pasha i Gucisë, Tringa, etj. Jo më kot u quajt “Homeri Shqiptar”. Dostojevski i anatemuar zuri vendin e vet në podiumin e nderit. Prandaj neve na duhet një Bjelinsk shqiptar, ose disa Bjelinskë, për të vënë rregull në letërsinë tonë. Do të thoni, pse kaq skeptik dhe kundërvënës ndaj shkrimtarëve që i shërbyen regjimit dhe atyre të postdiktaturës. Si mos të jem i tillë? Kam njohur talente të vërteta, që mund të ishin berë shkrimtarë, poetë e artiste të nivelit të lartë. Por sistemi i degdisi me hapë kanale, me tha këneta, me prashitë misër e lakra. Njoh një të ri të talentuar, piktor, të cilin “lufta e klasave” ja mohonte meritat dhe e çoi me gërrye arat e parcelat e bujqësisë, pa asnjë të drejtë studimi artistik. Më 1990 ai kalon në botën perëndimore, dhe pranohet menjëherë e pa konkurs, në një akademi arti prestigjioze, ku shkëlqen e diplomohet me notat më të larta, e çmim të pare në pikture. Tani është piktor i afirmuar, bile ka hyrë në enciklopedinë e artistëve të atij vendi. Shqipëria vazhdon të mos e njohë, sepse i përkiste asaj shtrese që ishte persekutuar. Ato talente që hynin në radhën e të deklasuarve e të dënuarve, kosa e diktaturës nuk i kurseu, i zhduku nga faqja e dheut e u mori jetën më aktive. Sot, ata që nuk vdiqën, mund të jenë pleq që mezi ecin e mezi shohin, ose që u dridhet dora, ajo dorë që në liri do të kishte qëndisë vepra të bukura. Prandaj është e zorshme të japësh mendime kur shapi është përzier me sheqerin. A thua do të dali dikush i aftë që ta bëjë atë punë? Po e përfundoj me një dëshmi të rrallë, nga një mik i imi profesor e shkrimtar, bashkëvuajtës, që pasi e kishin dënuar disa vjet dhe liruar, nuk kaloi shumë dhe e arrestuan përsëri dhe u gjet para shefit të degës të qytetit të tij. Shiko i tha shefi, t’i njohim e t’i vlerësojmë aftësitë, prandaj partia ka menduar me të dhënë dorën. Do të emërohesh profesor dhe do të kesh mundësi të shkruash e të botosh libra, me një konditë: të pranosh bashkëpunimin me sigurimin e me institucionet e partisë. Që tani je i lirë të japësh mësim si profesor e të tregosh aftësitë e tua letrare, po qe se firmos këtë dokument. Miku im u përgjigj se nuk e pranonte assesi atë lloj propozimi të turpshëm. Paç veten në qafë, i tha shefi. Të pret ose pushkatimi ose do të kalbësh gjithë jetën në burgje e kampe internimi. Ja ku më keni, më vrisni që tani, ose më dënoni sa të doni, po atë turp nuk ja lejoi vetes. Nuk e pushkatuan, por gjithë jeta i kaloi në burgje e internime ku u sëmur rëndë dhe pas ngjarjeve të viteve 90, vdiq. Pra kishte nga ato burra që nuk u bënte terr syri para terrorit të diktaturës.
(Vijon në numrin e ardhshëm)