Rama nuk duhet të tërhiqet nga reforma në drejtësi
Paralajmërimi i kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, se nuk do të bashkëpunojë më me Berishën për reformën në drejtësi, ka ndezur debatin për bllokimin e mundshëm të projektligjeve për drejtësinë, të cilat pritet të përfundojnë procesin e konsultimit muajin që vjen. Ligji për prokurorinë, apo projektligji për procedurat e administratës gjyqësore, kanë nevojë për një bashkëpunim dypalësh dhe si të tillë ato duhen miratuar së bashku.
Arsyet që Rama ngre për të mos i votuar ato tani janë të drejta, por këto arsye qëndrojnë dhe pas një viti. Gjithmonë Berisha, por dhe vetë Rama do të jenë tashmë të dyshuar se duan të kontrollojnë drejtësinë apo institucionet. Për momentin i dyshuari i madh është Berisha, pasi nga tri çështje të mëdha që janë hapur, Gërdeci, Fazlliçi dhe rruga Durrës-Kukës, në dy të parat duhet të shkojnë në prokurori të dy fëmijët e tij biologjikë, dhe tek e treta djali i tij politik, Lulzim Basha. Kaq mjafton të besojmë të gjithë se ai dëshiron një gjyqësor që të rrijë në rresht para Alibeajt, apo një prokurori që të komandohet mundësisht nga bodyguard-i i tij. Por beteja e duhur që kjo të mos ndodhë, duhet të zhvillohet tani. Opozita duhet të paraqesë tani versionin e saj më të qëndrueshëm dhe më të konsultuar me faktorin ndërkombëtar, për të pasur një prokurori të pavarur dhe një gjyqësor të qëndrueshëm, i cili të ketë pavarësinë e duhur për të gjykuar, por dhe mekanizmat e duhur për t’u vetëpastruar nga korrupsioni. Edi Rama i ka të gjitha shanset tani ta bëjë zap Berishën në këtë pikë. Ikja nga beteja tani është një lehtësim për Berishën dhe një frymëmarrje e re për të. Angazhimi i deritashëm i opozitës për reformat ka qenë i justifikuar drejt si kontribut i saj për integrimin në NATO dhe për të përshpejtuar hapat drejt integrimit në BE. Kjo përpjekje nuk duhet ndalur. Nëse opozita i ikën këtij angazhimi, ajo thjesht justifikon qeverinë në dështimet e saj.
Ajo që duhet të provojë Edi Rama, është se Berisha do ligje të tilla për prokurorinë dhe drejtësinë që t’i vendosë ato nën kontroll. Për këtë ai duhet të mbështetë projekte serioze që i mbrojnë këto institucione nga ndërhyrjet politike. Nëse Berisha nuk e voton opsionin e opozitës, atëherë ai është përgjegjësi për dështimin e reformës në drejtësi. Nëse Rama i ikën përgjegjësisë së momentit, duke thënë që këtë do ta bëjmë, kur të vijmë në pushtet, atëherë nuk ka thënë asgjë dhe nuk ka dhënë asnjë garanci për këto reforma. E para, askush nuk e ka të sigurt ardhjen e tij në pushtet, e dyta, dhe nëse vjen, opozita e nesërme mund të mos ia japë votën pikërisht për këtë sjellje. Dhe e treta, nëse ndodh kjo, të gjithë do të besojnë se Rama me Berishën nuk kanë bashkëpunuar për hir të interesave të Shqipërisë apo integrimit në NATO, por për hir të Kodit Elektoral, i cili fuqizon pozitat reciproke në partitë e tyre dhe iu zhduk nga fusha e lojës kundërshtarët e pabindur.
Që ky imazh të mos krijohet tani, një javë pas miratimit unanim të Kodit Elektoral, opozita e Ramës duhet të mbrojë tezën që ka mbrojtur më parë, tezën që “Berisha të harrojë ligjin për prokurorinë”, nëse me të nuk është dakord prokuroria apo ekspertiza ndërkombëtare. Ky qëndrim është realist, inkurajues dhe progresiv. Bojkotimi i kësaj reforme nuk mund të argumentohet me asgjë tjetër. E vetmja arsye tjetër për të bojkotuar reformën do të ishte të thuash se ajo është e panevojshme, por për nevojën e saj Partia Socialiste është shprehur dhe duhet ta luajë këtë valle deri në fund. Kjo parti duhet t’u tregojë shqiptarëve versionin e saj për institucionet e drejtësisë dhe prokurorinë që ne të bindemi se nesër, kur të vijë në pushtet, do të mbajë distancën e duhur nga ato. Dhe rasti më i mirë për ta bërë këtë është tani. Me versionin që duhet të paraqesë tani, ajo ose do të bindë Berishën të mbrojë me ligj institucionet, ose do të na japë shpresë nesër se me atë version do të qeverisë dhe do të bindë opozitën e nesërme ta votojë. Por kjo opozitë nuk mund t’i fshihet kësaj beteje duke ia lënë alibinë e hapur Berishës për dështimin e këtyre reformave. Beteja duhet bërë tani dhe po tani duhet fituar.