Dilemat e protestës
Në demonstratën e të mërkurës, pra të 19 nëntorit, unë isha i fundit në radhë. Me një fjalë, kisha zënë atë vendin e zbrazët, i cili mund të gjendet në fund të çdo kolone, që ndryshe i binte me qenë i shtatë mijë e njëshi, sipas kumtesës së policisë, ose i tridhjetë mijë e njëshi, sipas llogaritjes së organizatorëve të protestës. Nuk brohorita, nuk thashë asgjë. Vetëm eca rrugëve të Prishtinës, kokëvarur, duke numëruar diku pllakat e betonit nëpër trotuare e diku pllakat e granitit në sheshin “Nëna Terezë”. Ky pozicion imi, i fundit në radhë, në një rrethanë të këtillë, m’u duk komod dhe krejt normal, sepse nuk kisha nevojë të isha as pjesë e turmës, e as i ndarë krejt prej saj; as të identifikohesha me të, e as të quhesha krejtësisht i shkëputur nga brengat e popullit.
Mirëpo, këtë qetësi lapidare nuk arrita ta shijoja deri në fund, sepse për një çast m’u fanit një përfytyrim i mnershëm: Po nëse turma kthehej mbrapsht, që domethënë bishti i saj të vihej në krye dhe unë, pa e kuptuar as vetës se si, do të mund të gjendesha në radhët e para të saj, atje ku duhet folur e duhet brohoritur, atje ku duhet thirrur e duhet thënë: “Rroftë! ose Poshtë!” Atje ku duhen shtrënguar grushtet dhe atje ku duhet nxjerrë gjoksi përpara. Puna ishte se unë e kisha humbur fillin dhe nuk e dija më se kush duhej të rronte e kush të mos rronte. Pastaj, edhe kjo puna e OJQ-ve, të cilat e kishin organizuar demonstratën, se si më dukej, sikur iu qenkësh shpuar çatia diku. Megjithatë, brenga ime më e madhe ishte se turma, e ndërkryer siç mund të jetë ndonjëherë, pa dëshirën dhe vullnetin tim, mund të më çonte te Presidenca ose qeveria dhe, ashtu në radhët e para siç mund të ndodhesha, do të më duhej të thërrisja: Rroftë! ose Poshtë!, në një kohë që unë nuk doja ta bëja as njërën, as tjetrën. Por, për këtë gjeta një zgjidhje të shpejtë. Thash me vete: do të ndalem te Ministria e Kulturës, në mënyrë stoike do t’i bëj ballë çdo rrebeshi, do të kapem fort pas ndonjë bliri aty në shesh dhe do t’i brohoras ministrit tim, do t’i them, rrofsh e qofsh sa malet, se kulturën na e bëre për faqe të bardhë! Me këtë do të dëshmoja edhe atë luajalitetin e nevojshëm qytetar, sepse ministri është i qeverisë, qeveria është e Kosovës, Kosova është e pavarur, pavarësia nuk na qenkësh edhe sovranitet, me një fjalë, kësaj i thonë: futja kot! Sido që të jetë, po të ndodhte e pandodhura, vetëm për një gjë do të isha i sigurt: do ta shaja atë koreanojugorin, Ban Ki-Munin, jo më duke ia deformuar emrin me të folmen e Keqekollës, por më keq akoma, me soj e sorollop, me gjysh e babagjysh, me teze e me halla. Kjo, me demek, duhej të ishte punë e lehtë, sepse të shash dikë nga Prishtina në Nju-Jork, nga streha e kioskës me reklamën “Kosova Tabaco” në majën e rrokaqiellit të OKB, jo vetëm që ndihesh i shfryrë dhe i lehtësuar, por, që është më me rëndësi, nuk të hyn as therë në këmbë. Edhe gjashtë pikat e tij do t’i shaja pa asnjë hezitim. Por tani më duhet të ndalem pak dhe të marr frymë thellë. Më kujtohet se, kur i patëm lexuar në gazetë, me një mikun tim, ato gjashtë pikat e qershorit, na patën mbuluar djersë të ftohta. “Na u shkërdhye nana”, - pat thënë miku im, që nuk shquhet as për dije të madhe politike, as për purizëm gjuhësor. Pastaj pimë duhan dhe kafe dhe qëndruam pa folur ndonjë gjysmë ore.
Dikur bëmë edhe disa pyetje të kota, retorike: Pse? Si? Kush? Dhe një pyetje tjetër pak më sinjifikative: Ku janë këta tanët? Cilët? Këta, pra, që ua kemi dhënë votat. Unë jo, thashë. Unë i takoj shumicës mosbesuese. Miku im fshiu ballin e djersitur, jo aq nga vapa, sa nga sikleti. Rri, i thash, mos u sëkëlldis. Edhe ashtu nuk të pyet njeri. Dolëm. Dera e lokalit u mbyll vetë, me një zhurmë të papërcaktuar, me një fjalë, si ajo e kalit në derë të hanit.
Pastaj erdh periudha e një heshtjeje të gjatë. Italiani Xanieri shkonte e vinte në Beograd. (Edhe këtë italianin, atë ditë në demonstratë e shava me afsh, por pa më dëgjuar njeri.) Tanët shkonin e vinin në Dhërmi, në Llogora, në Sarandë, te Mali i Robit në Durrës, te Uji i Ftohtë në Vlorë, ndonjëri madje edhe në Turqi ose edhe më larg akoma. Së fundi erdh vjeshta dhe gjërat u përsëriten, si dy vjet më parë, si në procesin e Vjenës. Një legalitet i ilegalizuar.
Takime të fshehta, biseda të fshehta, dokumente të fshehta. Më kujtohet se, gjatë bisedave të Vjenës, m’u pat bërë merak t’i bija në gjurmë dokumentit për trashëgiminë kulturore, që atëbotë ishte në përgatitje e sipër. “Ncuk! - më thoshin. - Nuk bën, është sekret!” Dikush ma zhbëri këtë enigmë. “Shko në Graçanicë, - më tha, - atje e gjen më lehtë se këtu te ne.” Po, pra! Dhe ilegaliteti këtu ka një kuptim, nuk është vetëm inerci joinstitucionale, trashëgimi kaçakësh, mungesë e traditës shtetërore. Është më shumë se kaq, është shpirtvogëlsi, është smirë, është kapardisje, është refuzim. Kush qenkëshit ju, që u dashka të dini se çfarë vendosim ne?! Vërtet, ne nuk jemi kush e di se çfarë, por shikoni se një ditë mund të vijë veja aty ku nuk përmendet dhe pastaj, o burra se mbaroi Kosova! Dhe pastaj dikush duhet të vijë nga përtej oqeanit të ta shpëtojë fytyrën.
Sido që të jetë, në punë të sharjeve të asaj dite në demonstratë nuk i thashë të gjitha. Ngela disi përgjysmë, i paqartë, pa status të definuar. Desha të shaj Rambujenë, por duhej të dilja në krah të Adem Demaçit dhe këtë nuk e doja. Desha të shaj Vjenën, Ahtisaarin, EULEX-in, por më duhej të dilja në krah të Albin Kurtit dhe as këtë nuk e dëshiroja. Desha të shaj presidentin dhe qeverinë, por më duhej të dilja në krah të opozitës dhe këtë jo që nuk e dëshiroj, por më pështiroset, kur i dëgjoj disa syresh tek flasin tani, ndonëse i takojnë të njëjtës çorbë. Pra, mbeta në të, siç i thonë një fjale.
Ndërkohë, duke u hamendur se çfarë duhet të bëja, pashë se demonstrata kishte përfunduar, Prishtina ishte kthyer në zymtësinë e saj të përditshme dhe rrugën deri në shtëpi e bëra ashtu si në fillim, duke numëruar hapat, i fundit nga ata që atë ditë thanë: Jo!
Jo më kështu!