E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti drejt fundit Chountis Kriter madhor zgjidhja e ngercit

Në Parlamentin dhe Komisionin Europian vazhdojnë analizat e fundit para raportit për Shqipërinë që do të publikohet më 12 tetor. Raportuesi i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Nikolaos Chountis thotë për “AS” se klasa politike nuk duhet t`i ndërlikojë problemet, por t`i zgjidhë ato. Mesazhi i Brukselit vjen pak ditë përpara publikimit të raportit, ku Shqipëria pret statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Sipas Chountis, kriteri kryesor është zgjidhja e ngërçit politik, i cili ka bllokuar reformat integruese.

“Jemi në momentin e analizës së përmbushjes së kritereve për pranimin e Shqipërisë si vend kandidat. Situata politike  në Shqipëri, me aq sa kam dijeni, është e ndërlikuar, por ka shenja përmiresimi.  Qëllimi i të gjitha institucioneve evropiane është përmbushja e kritereve politike e demokratike, të cilat do ta sjellin Shqipërinë  më afër BE-së. Unë mendoj se duhet gjetur zgjidhja e ngërçit politik aktual dhe zgjidhja e një sërë problemeve politike, ekonomike dhe reforma  në drejtësi. Forcat politike shqiptare duhet të bëjnë kujdes të mos i shtojnë problemet, por t’i zgjidhin ato. Ky do të jetë kriteri madhor për t’u pranuar. Është në dorën e politikës shqiptare që situata të avancojë”, tha Chountis.

Sipas Chountis Shqipëria ka marrë vlerësime pozitive për sa i takon situatës ekonomike. Ai bën thirrje për t`u fokusuar në objektivin kryesor siç është hyrja në BE, në një kohë kur gjeopolitika nuk është e qetë.

“Ndryshe nga kriza e përgjithshme ekonomike, unë mendoj se Shqipëria ndodhet në një situatë pozitive. Por jam pak i shqetësuar nga ndikimi që mund të shkaktojë në Shqipëri kriza greke dhe italiane. Mendoj se Shqipëria nuk ka të njëjtat probleme si vendi im dhe vendet e tjera, por situata nuk është e thjeshtë, por e vështirë, sepse kemi një krizë globale dhe rreziku kërcënon të gjitha vendet”, u shpreh ai.

Kompromisi politik është kërkuar nga mazhoranca për miratimin e ligjeve me 3/5 në parlament. Ndërkohë, opozita ka kushtëzuar bashkëpunimin e saj në këmbim të një draft-propozimesh me 10 çështje. Kanë ngelur gjithsej edhe 2 seanca parlamentare për t`u zhvilluar deri në daljen e opinionit të BE-së për Shqipërinë , ndërkohë që kompromisi mes spektrit politik vazhdon të jetë i largët.

Gjovalin Kola
Azhornuar së fundi ( e diel , 25 shtator 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›