E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti, financimi i partive fushë e errët për publikun

Financimi i partive politike në Shqipëri dhe katër vende të tjera të Ballkanit perceptohet ende si fushë e errët për publikun thuhet në një raport të Transparency International për financimin e partive politike në pesë vendet e Evropës Juglindore. Në këtë raport theksohet se mungojnë masat e forta transparence dhe sanksionet e duhura për moszbatimin e tyre.

IT bën thirrje për miratimin e ligjeve të reja për të përmirësuar kontrollin mbi financimin e forcave politike. Raporti i bën apel Shqipërisë, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Serbisë të garantojnë: raportime të sakta e të plota mbi të ardhurat dhe shpenzimet e partive politike; verifikimin e financave të tyre përmes një sistemi të besueshëm mbikëqyrje e kontrolli; dhe sanksionime efikase në rastet e mungesës së zbatimit të legjislacionit mbi financimin e partive. Për Shqipërinë theksohet se duhen afate kohore të qarta dhe mekanizma realë.

Gjatë paraqitjes së raportit Anne Koch, Drejtore Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore në Sekretariatin e Transparency International në Berlin është shprehur se Partitë politike do të mund t`i gëzohen besimit të votuesve të tyre veçse kur të kenë treguar se punojnë në favor të popullsisë dhe jo të interesave të tyre personale.

Vlerësohet se problemet e përbashkëta që ekzistojnë në këto vende lidhen me dispozita ligjore të pamjaftueshme mbi masat parandaluese, moszbatimin e sanksioneve, mungesën e kapaciteteve të agjencive mbikëqyrëse, si dhe mungesën e vullnetit politik të partive politike për të deklaruar financimet e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›