E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplaset mjeti, vdes babai i dy fëmijëve, plagoset shoferi

 

LUSHNJE - Një person humbi jetën, ndërsa një tjetër u plagos kur mjeti me të cilin po udhëtonin doli nga rruga, duke u përplasur me një pemë. Sipas policisë, viktima është Agron Veliu, 39- vjeç nga fshati Çermë Pasha i Lushnjës. Mësohet se viktima, baba i dy fëmijëve ishte pasagjer në kamionin që e drejtonte Adriatik Shuli. Mjeti po udhëtonte nga Çerma në drejtim të Divjakës mbrëmjen e së shtunës kur u aksidentua. Policia, që gjeti në vendin e ngjarjes viktimën, konstatoi se aksidenti kishte ndodhur pasi drejtuesi i mjetit kishte humbur kontrollin dhe për pasojë kamioni ka dalë nga rruga. “Kamioni është përplasur me një pemë ku si pasojë ka gjetur vdekjen pasagjeri Agron Veliu, 39- vjeç” bëri të ditur policia e Lushnjës. Burimet e policisë bënë të ditur se është tentuar për t’i dhënë ndihmë mjekësore Veliut, por ai ka gjetur vdekjen gjatë rrugës për në spital. Në bazë të këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe hetimeve paraprake, rezultoi se drejtuesi i mjetit, Adriatik Shuli, sapo ka parë shokun e tij të gjakosur dhe pa shenja jete është larguar me këmbë nga vendi i ngjarjes. Por sipas policisë, edhe ky shtetas ka marrë plagë të rënda, pasi vendi i shoferit ishte dëmtuar shumë rëndë. Aty rezultoi të kishte pasur edhe shumë rrjedhje gjaku. Nga ana e policisë, Adriatik Shuli është shpallur person në kërkim. Në të gjitha hyrjet dhe daljet e fshatit Çerme dhe përreth janë ngritur postoblloqe. Kjo masë nga ana e bluve për kapjen e të plagosurit mësohet të jetë marrë më tepër me qëllim kurimin e tij sesa për ta vënë atë përpara drejtësisë. Policia tha se nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ka dyshime që ai të jetë i plagosur rëndë, dhe të jetë larguar nga vendi nga trauma e shkaktuar nga ky aksident. Sipas specialistëve të qarkullimit rrugor, të cilët shkuan në vendin e ngjarjes dhe hartuan një procesverbal të tyre për këtë aksident, shkaku kryesor i kësaj përplasjeje është shpejtësia tej normave të lejuara. Mjeti është shkatërruar, ndërsa policia e ka larguar atë disa orë pas ngjarjes.                 m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›