Raporti i ‘Economist’, Islami: Qeveria të dhëna false
TIRANE- Për raportin e “Econmist Intelligence Unit”, ka reaguar Partia Socialiste me anë të deputetit të saj Kastriot Islamit. Deputeti socialist ka deklaruar se raporti ka paraqitur Shqipërinë e vërtetë të kryeministrit Berisha dhe ajo që thotë ai me shifrat e rreme të rritjes ekonomike.
Duke ju referuar të dhënave të gazetës ekonomike botërore “Economist”, Islami u shpreh se Shqipëria është midis 165 vendeve të botës dhe te 49 vendeve evropiane në grupin e tretë. “Ju duhet të jeni të ndërgjegjshëm se në fund të vitit 2008, jetoni në një demokraci hibride, demokraci të përzier me elementë autoritarë. Dhe kjo nuk ndryshuar që nga viti 2006 kur është kryer ky studim për herë të parë”-theksoi deputeti socialist.
Më tej Islami shtoi se “nga të gjithë këto tregues Shqipëria ka më të ultin treguesin e funksionimit të qeverisjes, pra atë që Berisha e mburr me të madhe në sloganin Shqipëria po Ndryshon”. “Dhe kjo bën që në Shqipëri dhe në të gjithë vendet e grupit me demokraci hibride, liderat e tyre të përdorin gënjeshtrat e mashtrimet për të fshehur mosfunksionimin e qeverisë së tyre”-përfundoi Islami, duke paraqitur një sërë argumentesh të keqqeverisjes. (a.r/news24/balkanweb)