Raporti i Freedom House: Media në Shqipëri është pjesërisht e lirë
Shqipëria renditet si një vend pjesërisht i lirë për sa i përket lirisë së mediave, duke u renditur në nivelin e tre nga shtatë të tilla në total. Ky është konkluzioni që jep raporti i përvitshëm i “Freedom House” për vitin 2009, organizatë ndërkombëtare, e cila raporton edhe për liritë politike dhe civile në një vend. Në lidhje me lirinë e mediave, Shqipëria arrin të pozicionohet në vendin e 50-të. Nënkryetari i Komisionit parlamentar të Mediave, deputeti i Partisë Demokratike, Mark Marku, në një prononcim për “Shqip” theksoi se raporti jepte një pasqyrim afër reales për problemet që has vendi për sa u përket lirive. Sipas Markut, Shqipëria nuk është një demokraci e përsosur, por një demokraci në ndërtim dhe sipër dhe për këtë arsye nënkuptoheshin edhe kritikat e bëra në raport. “Raporti analizon liritë në të gjitha vendet e botës dhe në këtë kuptim është një pasqyrë deri diku reale, deri atje mund të jetë real një raport organizate. Fakti që Shqipëria renditet në vendin e 50-të mes 118 vendeve të tjera dhe fakti që ajo renditet në nivelin e tretë nga shtatë nivelet që kishte, ndaj mund të shihet si pozitiv”, deklaroi deputeti i PD-së. Por, gjithsesi, Marku theksoi nevojën që të gjitha kritikat e bëra në raport të merreshin parasysh dhe të korrigjoheshin nga ana e palës shqiptare, sepse Shqipëria ishte një vend që priste integrimin e plotë në Bashkimin Europian. Në raportin e bërë publik dje, nga kjo organizatë theksohen akuzat për korrupsionin të bëra ndaj qeverisë “Berisha”. “Korrupsioni është i përhapur dhe Bashkimi Europian bën thirrje për implementimin e masave të besueshme antikorrupsion”, theksohet në raport. Po kështu, raporti flet edhe për përpjekjet e vendit për integrim, duke u shprehur skeptik në lidhje me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, deri në vitin 2015. “Shqipëria u pranua me të drejta të plota në NATO në vitin 2009 dhe po kështu këtë muaj ajo aplikoi për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Gjithsesi, integrimi i saj në BE mbetet i paqartë dhe mund të mos të vijë përpara vitit 2015”, theksohet në raport. Nga ana tjetër, duke i bërë një analizë edhe situatës së gjyqësorit në vend, raporti thekson se ndonëse Kushtetuta e vendit parashikon një gjyqësor të pavarur, shpesh gjyqësori është subjekt i presionit politik. Në këtë kuadër theksohen edhe problemet e vetë gjyqësorit, që ndonjëherë ka probleme në gjykimin e korrupsionit dhe shtyrje të pajustifikueshme të proceseve gjyqësore.
#