Shtetet e Korridorit VIII: Të gatshëm për ta përfunduar
Pas më se 15 vjetësh, qeveritë e vendeve ku kalon Korridori i Tetë rrugor, arritën të nënshkruajnë një memorandum mirëkuptimi. Ky dokument, përmes të cilit vendet angazhohen për investime të përbashkëta, u nënshkrua dje në Tiranë mes ministrave të Transportit nga Shqipëria, Italia, Maqedonia dhe Bullgaria.
“Tregjet tona ndrydhen nga mungesa e korridoreve. Në këtë rajon nuk ekziston qoftë edhe një projekt i vetëm bashkues i këtyre vendeve nën ombrellën e një korridori të madh”, u shpreh Berisha.
Ndërsa ministri italian i Transporteve tha se qeveria italiane do të paraqesë rëndësinë e këtij projekti edhe në Bashkimin Europian për të siguruar financime të mëtejshme. Por pala shqiptare ka këmbëngulur që, përveç rrugëve dhe porteve në financimet për Korridorin e Tetë, të përfshihen edhe linjat hekurudhore.
“Zhvillimi i transportit hekurudhor përgjatë Korridorit të Tetë është i domosdoshëm. Pothuajse i gjithë rrjeti është i amortizuar dhe ka nevojë për një ristrukturim të plotë”, u shpreh Olldashi.
Iniciativa për ndërtimin e Korridorit të Tetë ka nisur qysh në vitin 1996 dhe ishte një nismë e Presidentit të atëhershëm amerikan Bill Klinton. Por katër vendet që prekeshin nga gjurma e korridorit kanë pasur shpeshherë mosmarrëveshje për prioritetin e projekteve. Tentativa e fundit për anëshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit ka qenë në vitin 2003 dhe erdhi si reagim ndaj Bashkimit Europian, i cili nuk e përfshiu Korridorin VIII në listën e financimit përgjatë 10 viteve të ardhshme.