50 infermiere, peticion ministrit Vasili
Urdhri i ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, për përfundimin e arsimit të lartë të të gjithë personelit infermieror, ka sjellë reagimin e infermiereve të spitalit civil të Kukësit. Rreth 50 infermiere, kryesisht personel i shërbimit spitalor të Rrethit të Kukësit, i kanë nisur ministrit një peticion ku shprehen kundër urdhrit. “Kam 34 vite punë si infermiere dhe kam mbaruar shkollën në vitin 1972, tani në moshën 54–vjeçare nuk mund ta nis arsimin e lartë, pasi edhe vetëm pak vite më duhen për të dalë në pension”, tregon një nga infermieret, duke shtuar se kjo masë nuk është aspak normale. Ajo thotë se i takon një brezi që ka kontribuar aq shumë për mijëra pacientë për më shumë se 3 dekada dhe që të flaket tashmë nga puna, nuk i duket një reformë e arsyeshme. Një tjetër infermiere tregon se pas 22 viteve punë e kishte të pamundur ta niste shkollën nga e para. “Në moshën tonë kjo nuk mund të bëhet, por nëse kërkon cilësi, ministri le të na marrë në provim”, tha një infermiere.
#